Opinione / Politikë

Duhet të paguajnë të pasurit për dekarbonizimin


Lucas Chancel

Le ta pranojmë se, shanset për të qëndruar nën një rritje prej dy gradë Celsius në temperaturën globale nuk duken se do të kenë rezultate të mira.

Nëse vazhdojmë punën si zakonisht, bota është në rrugën e duhur për t’u ngrohur me tre gradë Celsius të paktën deri në fund të këtij shekulli.

Me normat aktuale të emetimeve globale, buxheti i karbonit që na ka mbetur nëse duam të qëndrojmë nën 1.5 gradë Celsius  do të shterohet në gjashtë vjet.

Paradoksi është se, globalisht, mbështetja popullore për veprimin klimatik nuk ka qenë kurrë kaq e fortë.

Referuar një sondazhi të fundit të Kombeve të Bashkuara, shumica dërrmuese e njerëzve në mbarë botën e shohin ndryshimin e klimës si një emergjencë globale.

Ku kemi gabuar deri më tani?

Ekziston një problem thelbësor në diskutimin bashkëkohor të politikës klimatike: rrallë e pranon pabarazinë.

Familjet më të varfra, të cilat kanë emetues të ulët të karbonit, me të drejtë parashikojnë që politikat klimatike do të kufizojnë fuqinë e tyre blerëse.

Kurse në këmbim, politikëbërësit i frikësohen një reagimi politik nëse kërkojnë veprim më të shpejtë klimatik.

Problemi me këtë rreth vicioz është se na ka humbur shumë kohë. Dhe lajmi i mirë është se mund t’i japim fund.

Le të shohim së pari faktet.

10 për qind e popullsisë së botës janë përgjegjëse për rreth gjysmën e të gjitha emetimeve të gazeve serrë, ndërsa gjysma e mbetur e botës kontribuon vetëm me 12 për qind të të gjitha emetimeve.

Kjo nuk është thjesht një ndarje e vendeve të pasura kundër të varfërve: ka emetues të mëdhenj në vendet e varfra dhe emetues të ulët në vendet e pasura.

Çdo vit në SHBA, 50 për qind më e varfër e popullsisë amerikane emetojnë rreth 10 ton karbon për person, ndërsa 10 për qind më e pasur emetojnë 75 ton për person.

Ky është një raport prej më shumë se shtatë me një. Në mënyrë të ngjashme, në Evropë, gjysma më e varfër emeton rreth pesë ton për person, ndërsa 10 për qind e më të pasurve emeton rreth 30 ton, një raport prej gjashtë me një.

Mirëpo, nga vijnë këto pabarazi të mëdha?

Të pasurit emetojnë më shumë karbon përmes mallrave dhe shërbimeve që blejnë, si dhe nga investimet që bëjnë. Grupet me të ardhura të ulëta lëshojnë karbon kur përdorin makinat e tyre ose ngrohin shtëpitë e tyre, por emetimet e tyre indirekte janë dukshëm më të ulëta se ato të të pasurve.

Gjysma më e varfër e popullsisë mezi zotëron ndonjë pasuri, që do të thotë se ka pak ose aspak përgjegjësi për emetimet që lidhen me vendimet për investime.

Pse kanë rëndësi këto pabarazi? Në fund të fundit, a nuk duhet të reduktojmë të gjithë emetimet? Po, duhet, por padyshim që disa grupe do të duhet të bëjnë një përpjekje më të madhe se të tjerët.

Në mënyrë intuitive, mund të mendojmë këtu për emetuesit e mëdhenj, të pasurit, apo jo? Vërtetë, dhe njerëzit më të varfër kanë më pak kapacitet për të dekarbonizuar konsumin e tyre.

Nga kjo rrjedh se të pasurit duhet të kontribuojnë më shumë në frenimin e emetimeve dhe të varfërve t’u jepet kapaciteti për të përballuar kalimin në 1.5 ose dy gradë Celsius.

Fatkeqësisht, kjo nuk është ajo që po ndodh – nëse ka diçka, ajo që po ndodh është më afër të kundërtës.

Ishte e dukshme në Francën e vitit 2018, kur qeveria rriti taksat e karbonit në një mënyrë që goditi rëndë familjet rurale me të ardhura të ulëta, pa ndikuar shumë në zakonet e konsumit dhe portofolet e investimeve të të pasurve.

Shumë familje nuk kishin asnjë mënyrë për të reduktuar konsumin e tyre të energjisë. Ata nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të drejtonin makinat e tyre për të shkuar në punë dhe për të paguar taksën më të lartë të karbonit.

Njëherazi, karburanti i aviacionit i përdorur nga të pasurit për të fluturuar nga Parisi në Rivierën Franceze u përjashtua nga ndryshimi i taksave.

Reagimet ndaj këtij trajtimi të pabarabartë çuan përfundimisht në braktisjen e reformës. Këto politika të veprimit klimatik, të cilat nuk kërkojnë përpjekje të konsiderueshme nga të pasurit, por dëmtojnë të varfrit, nuk janë specifike për asnjë vend.

Frika nga humbja e vendeve të punës në industri të caktuara përdoret rregullisht nga grupet e biznesit si një argument për të ngadalësuar politikat klimatike.

Vendet kanë njoftuar plane për të ulur ndjeshëm emetimet e tyre deri në vitin 2030 dhe shumica prej tyre kanë krijuar plane për të arritur zero emetim rreth vitit 2050.

Le të përqendrohemi në momentin e parë, objektivin e reduktimit të emetimeve në vitin 2030.

Sipas studimit tim të fundit, gjysma më e varfër e popullsisë në SHBA dhe në shumicën e vendeve evropiane tashmë e ka arritur objektivin. Ky nuk është aspak rasti për shtresat e mesme dhe të pasurit, të cilët janë prapa.

Një mënyrë për të reduktuar pabarazitë e karbonit është krijimi i të drejtave individuale të karbonit, të ngjashme me skemat që përdorin disa vende për të menaxhuar burimet e pakta mjedisore si uji.

Një qasje e tillë në mënyrë të pashmangshme do të ngrinte çështje teknike dhe informacioni, por është një strategji që meriton vëmendje.

Ka shumë mënyra për të reduktuar emetimet e përgjithshme të një vendi, por në fund të fundit, çdo gjë përveç një strategjie reptësisht egalitare do të thotë në mënyrë të pashmangshme të kërkosh përpjekje më të mëdha për zbutjen e klimës nga ata që janë tashmë në nivelin e synuar dhe më pak nga ata që janë shumë më lart.

Kjo është aritmetika bazë.

Ndoshta, çdo devijim nga një strategji egalitare do të justifikonte rishpërndarjen serioze nga të pasurit te ata më të këqijtë për të kompensuar këta të fundit.

Shumë vende do të vazhdojnë të vendosin taksa për karbonin dhe energjinë mbi konsumin në vitet në vijim. Në këto kontekste, është e rëndësishme që të mësojmë nga përvojat e mëparshme.

Shembulli francez tregon se çfarë nuk duhet bërë. Në të kundërt, zbatimi i taksës së karbonit nga British Columbia në vitin 2008 ishte një sukses sepse një pjesë e madhe e të ardhurave tatimore që rezultojnë shkojnë për të kompensuar konsumatorët me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Në Indonezi, përfundimi i subvencioneve të karburanteve fosile disa vite më parë nënkuptonte burime shtesë për qeverinë, por edhe çmime më të larta të energjisë për familjet me të ardhura të ulëta.

Fillimisht shumë e kontestuar, reforma u pranua kur qeveria vendosi të përdorë të ardhurat për të financuar një sigurim shëndetësor universal dhe për të mbështetur më të varfrit.

Për të përshpejtuar tranzicionin e energjisë, duhet të mendojmë edhe jashtë kutisë.

Konsideroni një taksë progresive mbi pasurinë, me një rritje të ndotjes. Kjo do të përshpejtonte zhvendosjen nga karburantet fosile duke e bërë aksesin në kapital më të shtrenjtë për industritë e karburanteve fosile.

Gjithashtu do të gjeneronte të ardhura potencialisht të mëdha për qeveritë që mund të investonin në industritë e gjelbra dhe inovacionin.

Taksa të tilla do të ishin politikisht më të lehta për t’u kaluar se sa një taksë standarde e karbonit, pasi ato synojnë një pjesë të popullsisë, jo shumicën.

Në nivel botëror, një taksë modeste e pasurisë për multimilionerët me një rritje të ndotjes mund të gjenerojë 1.7 për qind të të ardhurave globale. Kjo mund të financojë pjesën më të madhe të investimeve shtesë që kërkohen çdo vit për të përmbushur përpjekjet për zbutjen e klimës.

Cilado qoftë rruga e zgjedhur nga shoqëritë për të përshpejtuar tranzicionin, është koha që të pranojmë se nuk mund të ketë dekarbonizim të thellë pa rishpërndarje të thellë të të ardhurave dhe pasurisë.

 

Marrë nga “The Guardian”.


Lajmet kryesore