Dorëheqja, më e pakta

Albin Kurti do të duhej të dorëhiqej dhe fare shkurt pas dorëheqjes do të duhej të fillonte një hetim i gjerë për të e për njerëzit rreth tij, për të kuptuar nëse ishin influenca të caktuara, apo çmen...
Bordi Editorial Albanian Post
Loading Icons...
test12

Dorëheqja, më e pakta

Bordi Editorial Albanian Post
Loading Icons...

Albin Kurti do të duhej të dorëhiqej dhe fare shkurt pas dorëheqjes do të duhej të fillonte një hetim i gjerë për të e për njerëzit rreth tij, për të kuptuar nëse ishin influenca të caktuara, apo çmenduria individuale që çoi Kosovën në një kritikë të hapur dhe të pashembullt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjellur përmes deklarimeve të ambasadorit amerikan në Prishtinë.

“E paralajmëruam nuk dëgjoi. I kërkuam të mos e bënte e bëri. I thamë të tërhiqje s’na dëgjoi”, tha ambasadori Jeff Hovenier kur transkriptoi atë që kishte biseduar me Kurtin, para se ky të vendoset se dërgimi i Ilir Pecit në objekt komunal është më i rëndësishëm se partneriteti me SHBA-të.

Injorancën s’e dënon ligji, por ajo do të duhej të dënohej politikisht, edhe pse – parë gjakftohtë, ky rrezikim raportesh nuk duket veç ndërtim i një amatori politik.

Nga kundërshtimi për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, te sulmet ndaj ish-ambasadores amerikane, Tracey Ann Jacobson, në shpjegimin e tij për mos dashurinë e shqiptarëve të Kosovës për Amerikën, te vardisja e paskrupullt me islamistë politikë e deri te ky dëmtim raportesh në pakthim, Albin Kurti vazhdimisht ka dëshmuar se është brenda linjës shkatërruese, por të vetëdijshme.

Shumë kush ka harruar që Vetëvendosje dikur akuzonte NATO-n madje edhe që kishte përforcuar spastrimin etnik nga Serbia në Kosovë dhe se kishte forcuar integritetin territorial të Serbisë.

Kurtit i kishte penguar shumë edhe vetë KFOR-i.

Në një komunikatë të titulluar “Brenda mendjes kolonialiste: KFOR-i dhe seksualizimi i sferës publike” denoncohej karakteri kolonialist dhe patriarkal i kësaj trupe.

Kosovën do të duhej ta mbronin institucionet, por meqë s’ka institucione e keqpërdorin “heronjtë”.

Asnjë tjetër s’i ka shkaktuar dëmin që ka arritur t’i shkaktojë “heroi” më i madh i kohërave moderne, Albin Kurti.

I pasinqertë në secilin dimension të tij, ai ka tallur dhe vazhdon të tallë shqiptarët deri në pakufi.

Sa Kosova s’ishte shtet, kauza e tij ishte se s’do bëhet kurrë, kur Kosova u bë shtet, kauzë bëri bashkimin me një shtet tjetër, dhe kur grabiti pozitën e kryeministrit, po provon ta shkatërrojë fare.

Fundet rikuptimësojnë fillimet dhe deklarimi i ambasadorit amerikan për situatën e fundit ku pasojat për Kosovën veçse kanë filluar dhe po shqyrtohen të tjera, shfaqin më së miri qëllimin startues të Kurtit.

Kosova s’ka preokupim më të madh të sigurisë nacionale sesa raportet me SHBA-të dhe Kurti ka zgjedhur të ndjekë një qasje të rrezikshme të degradimit të po këtyre raporteve.

Ata që e kanë dëgjuar ambasadorin amerikan sot e kanë dëgjuar më shumë se një herë – më shumë se dy herë.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër. Ishim totalisht kundër, se i dinim konsekuencat që do të vinin. Kemi kërkuar nga Kurti që të marrë hapa konkretë drejt uljes së tensioneve në veri, ai nuk është përgjigjur ndaj këtyre kërkesave”, tha pos tjerash Jeff Hovenier, duke treguar që praktikisht Kosova për SHBA-të më nuk është shteti i njëjtë që ishte para se të fillonte çka filloi në Veri.

Për Kurtin, loja me riemërtime është thelbësore në maksimalizimin e propagandës së tij, por këtë herë do jetë e kotë.

Këtë herë është e qartë – këtë herë ka veprim konkret.

Komandanti amerikan për Evropën ka marrë vendim për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në “Defender Europe 2023 dhe se kjo është vetëm pasoja e parë për Kosovën”, tha Jeff hovenier dhe kjo nuk deformohet dot.

Jo politikan, por s’ka njeri që s’e di që diplomacia dhe siguria janë dy shtyllat e sigurisë nacionale dhe në Kosovë diplomacia përmbledhë të dyja. Ky njeri ka goditur diplomacinë e Kosovës, pra ka goditur sigurinë nacionale të Kosovës.

Kurti ka tentuar gjithmonë ta bëjë, por fatkeqësisht nga pozita e kryeministrit i ka mundësitë për ta bërë. Duke pasur kapacitetin për të shkaktuar dëme të rënda mbi diplomacinë pasoja rrezikon të jetë e papërballueshme për shtetin.

Për dy vjet në detyrë, Kurti ka dëmtuar jo veç raportet, por edhe aftësinë diplomatike të Kosovës në nivelin më të lartë, rrjedhimisht ka cenuar më shumë se kushdo tjetër e çkado tjetër sigurinë nacionale. Ai, në pozitën e kryeministrit, përbën rrezik nacional.

Emëruesi i tij i përbashkët është mashtrimi. Gjithçka për të mashtruar. Mashtrime për ardhje në pushtet. Mashtrime për të mbajtur pushtet. Mashtrime njerëzve që e votuan, mashtrime ndërkombëtarëve që e përkrahën. Ai këdo ka mashtruar.

Kosova sot është në rrugë të mirë për të shkatërruar krejtësisht aleancën me Amerikën dhe gjithçka që ka bërë Kurti deri tani si kryeministër çon në një konkluzion: Kurti është gati t’i jap një goditje të papërballueshme vendit dhe ta izolojë krejtësisht vetëm që të mos kuptohen mashtrimet e tij.

Kush është ai budalla që dëshiron prova më të qarta. Nëse pret një deklaratë ku Kurti thotë qëllimet e tij hapur, atëherë prisni përgjithmonë. Prisni deri atëherë kur çfarë sot duket e rëndë, do të duket normale nesër dhe çfarë nesër s’imagjinohet do të jetë përditshmëri më vonë.

Shkatërrimi nuk është moment në këso raste, është një rënie graduale dhe e anashkalueshme në shikim të parë.

Kurti në vazhdimësi po luan sipas “playbook-it” të “të zgjedhurve të fortë” që kanë shkaktuar dëme të thella të vendeve të tyre.

Megjithatë Kurti kryeministër ka shumë përkrahës. Disa me synime si të tijat, shumica të mashtruar brutalisht.

Një pjesë tjetër e frikësuar nga kjo masë nuk guxon të flas edhe pse e kupton çfarë po ndodhë.

Kjo është shqetësuese. Shteti nuk e mbron vetën. Nëse opozita politike dhe intelektuale refuzon ta kundërshtojë me krejt çfarë posedon, ai rrezikon ta vazhdojë dëmin e ta thellojë problemin.

Për më tepër, rrezikon t’ia hedh paq kësaj situate, duke e shndërruar në realitetin e ri politik, ku përçarjet me Amerikën janë përditshmëria e re e diskursit dhe deklarimet shqetësuese bëhen më pak shqetësuese.

Fatkeqësisht, për shkak të moshës së re të shtetit, institucionet nuk janë mjaftueshëm të fuqishme që ta nxjerrin jashtë këtë njeri. Por, njerëzit në Kosovë janë mjaftueshëm në moshë për ta pasur vetëdijen e nevojshme se në çka përkthehet një njeri si ky.

Ai do të duhej të jepte dorëheqje edhe pse me siguri nuk do ta bëjë. Por, ai duhet të largohet me patjetër dhe me siguri se do të ndodhë.