Siç ndodh gjithmonë, kur konflikti mes izraelitëve dhe palestinezëve ndizet, ekstremet marrin përsipër narrativën, duke pretenduar se ruajnë një të vërtetë të vetme: të tyren.
Masakra e tmerrshme e kryer nga Hamasi dhe kriza humanitare e shkaktuar nga rrethimi izraelit nuk janë pjesë e së njëjtës tragjedi, por fakte të veçanta.
Fëmijët e vrarë nga disa janë më shumë fëmijë se fëmijët e vrarë nga të tjerët.
Kasapana e Hamasit justifikon nevojën për të rrafshuar Gazën, për të ndërprerë ujin dhe energjinë elektrike, duke vendosur se 2.3 milionë palestinezë janë “moralisht përgjegjës”.
Ditët e fundit kemi dëgjuar se “Gaza do të bëhet një vend ku asnjë qenie njerëzore nuk mund të ekzistojë”.
Por bombardimet izraelite legjitimojnë gjithashtu ringjalljen e antisemitizmit të parë në shumë vende, përfshirë Milano-n.
Një grup i madh intelektualësh nga e majta izraelite, të udhëhequr nga David Grossman, nënshkruan një apel “kundër indiferencës morale” të kolegëve të tyre nga e majta evropiane, fajtorë për injorimin e sjelljes së Hamasit dhe për të mos thënë asgjë për incidentet e racizmit.
“Hebrenjtë u qetësuan pasi u thanë se antisemitizmi nuk ekziston”; “Gazanët që janë duke vdekur u kritikuan për mospërdorimin e frymës së tyre të fundit për të dënuar Hamasin”.
Janë dy tituj të publikuar nga faqja amerikane e satirave politike The Onion, në përpjekje për të përmbledhur absurditetin e përplasjes mes të vërtetave jo të plota.
Ndodh që pasi ka rrafshuar Groznin, Vladimir Putin e krahason shkatërrimin e Gazës me Stalingradin.
Dhe se Gal Hirsch, ish-gjenerali i zgjedhur nga Bibi Netanyahu për të menaxhuar çështjen delikate të pengjeve, sulmoi ambasadorët evropianë, të cilët erdhën për të ofruar ndihmën e tyre, duke i akuzuar se kishin mbështetur marrëveshjet e Oslos: tridhjetë vjet më parë.
Hirsch, i dënuar për evazion fiskal, nuk është në gjendje të kuptojë se drama e pengjeve është një nga pasojat e dështimit të atij procesi të paqes, faji për dështimin e të cilit ndahet në mënyrë të barabartë midis izraelitëve dhe palestinezëve.
Kthimi në një horizont negociator, pra në një zgjidhje politike, është bërë mantra e mazhorancës që nuk i përmbahet njërës prej dy të vërtetave ekstreme.
“Dy shtete për dy popuj në paqe dhe siguri” ishte formula e Oslos. Kështu thonë presidentët dhe kryeministrat perëndimorë që kanë ardhur në Izrael ditët e fundit; Putin dhe Xi Jinping e thonë këtë po ashtu, liderët e botës në zhvillim e thonë (disa vazhdojnë të justifikojnë Hamasin).
Të gjithë e thonë këtë, përveç shumicës së izraelitëve dhe palestinezëve, të përfshirë drejtpërdrejt në bombardimet e Gazës dhe masakrat e Hamasit.
Zgjidhja e dy shteteve është bërë diçka si një shfajësim nga liderët botërorë për injorimin e asaj që ka ndodhur prej vitesh në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Kjo e fundit është konsideruar gjithmonë një çështje më vete: edhe pse që nga fillimi i vitit 2023 izraelitët kanë vrarë 200 palestinezë (jo të gjithë terroristë apo milici), plus 95 të tjerë vetëm në këto dy javë, ndërsa luftonin në Gaza.
Izraeli pretendon se Hamasi duhet të zhduket. Duke supozuar se është e mundur, pas asaj që ndodhi, një e ardhme ku të jetë pjesë lëvizja islamiste është e paimagjinueshme.
Por është e hidhur të mendosh se në vitet 1980 ishte Izraeli ai që inkurajoi rritjen e Hamasi-t për të kundërshtuar konsensusin absolut për Fatah-un: atë konsensus që bota tani do të donte të rivendoste në Gaza.
Gabimi është përsëritur vitet e fundit gjatë të cilave qeveritë izraelite (veçanërisht ato të Netanyahut) e kanë transformuar Autoritetin Palestinez të Ramallah-ës në një lloj kuislingu, në shërbim të sigurisë së tyre në Bregun Perëndimor.
Abu Mazen nuk e humbet asnjë rast për të thënë gjëra të gabuara dhe ministrat e tij t’i bëjnë ato.
Por Fatah, të cilin ata përfaqësojnë, ka bërë thirrje për një zgjidhje politike të konfliktit prej 30 vitesh.
Palestinezët “e mirë” nuk janë shpërblyer kurrë nga Izraeli, i cili përkundrazi ka favorizuar gjithmonë “të këqijtë” të cilët, duke zgjedhur luftën e armatosur, mbështetën objektivat izraelite për të parandaluar një shtet palestinez.
Siç tha dikur Bezalel Smotrich, ministri kombëtar-fetar në kundërshtim me idenë e një shteti arab, po ashtu si Netanyahu, “Autoriteti Palestinez është një pengesë, Hamasi është një burim”.
Në fjalimin e saj në konferencën e paqes në Kajro, Giorgia Meloni argumentoi se Hamasi është i interesuar për një shtet islamik, jo për atë palestinez.
Nuk është kështu. Është më keq: ekstremistët kanë shartuar elementin fetar në luftën e tyre nacionalçlirimtare. Prandaj, ata janë edhe më të rrezikshëm.
Ashtu si dy ministrat kombëtarë-fetarë izraelitë, Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir, të cilët i dhanë sionizmit një motiv biblik.
Nëse, si dhe kur do të përfundojë kjo luftë në Gaza, do të jenë ata të dy dhe Hamasi ata që do ta bëjnë edhe më të vështirë arritjen e horizontit politik të dy shteteve.
Në paqe dhe siguri, siç u tha tashmë tridhjetë vjet më parë.