U pati thënë Albin Kurti drejtuesve të partive politike në pushtet dilni matuni. Po njëjtë u pati thënë Vjosa Osmani aleatëve të ish-partisë së vet. Ata që dolën u matën, humbën. Sot drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajrakut, edhe bashkëpunëtorëve të tij të ditës dhe të natës, të zyrave e të kafeneve, po ua bëj këtë ftesë: dilni matuni me punonjës të Bibliotekës Kombëtare në televizione. Matuni me mua. Matuni me Shoqatën Sindikale të Punonjësve të kësaj biblioteke. Matuni me të gjithë ata që nuk nënshkruajnë dokumente kundërligjore. Matuni me të gjithë ata që nuk përfitojnë asnjë metelik shtesë në fund të muajit përpos pagës. Nëse s’ju shkarkojnë nga detyra pas matjes, nëse s’ju fut askush në burg gjatë ditës, unë e lëshoj Kosovën gjatë natës përgjithmonë me gjithë familje. A matemi burra? Jo, nuk jeni që mateni, e di. Që turreni, po. Meqë debat në televizione s’po doni, meqë takime në zyrë s’po pranoni, meqë postën elektronike po e lexoni e nuk po reflektoni, mundësia për komunikim me ju është kjo: fjala publike – letra e hapur. Lexoni për shkeljet tuaja ngadalë! Nëse nuk shqetësohuni sonte, do të shqetësoheni nesër!
Biblioteka Kombëtare e Kosovës të premten shënoi 79-vjetorin e themelimit. Fatmirësisht, nuk erdhi ministri i Kulturës, se para tij, para kolegëve, para publikut të pranishëm, para atyre pak medieve, desha të flas me pëlqimin e Bajram Begut. Shkova poshtë në hollë. Nuk e pashë ministrin ulur askund. E futa letrën në xhep dhe u ktheva në zyrë. Para tij desha ta lexoj këtë letër. Pasi ai të premten mungoi, sot po e lexoj para jush.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, që prej themelimit të saj, kurrë në gjendje më të keqe s’ka qenë. Kurrë. As në dorë të njerëzve të përgjegjshëm, as në dorë të Zotit, sot nuk është. Disa herë jam përpjekur t’i tregoj ministrit për gjendjen e saj duke ia çukitur emrin dhe mbiemrin në “Facebook” në opinionet që kam shprehur, duke arkivuar letër për të edhe në Arkivin e Ministrisë së Kulturës. Disa herë u kam shkruar postë elektronike anëtarëve të Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ministrit, ish-ministrave, sekretarëve, u. d. sekretarëve, zëvendësuessekretarëve për skandalet e shumta brenda Bibliotekës. Kanë heshtur të gjithë. Kanë heshtur një për një e një pas një. Pse kanë heshtur e pse po heshtin, pak di, pak s’di. Po heshtin, ndër të tjera, edhe për shkak të disa punësimeve që kanë bërë. Fakte, për ndërprerje të skandaleve, kanë pasur mjaft gjithherë.
Ashtu si unë, pati bërë përpjekje ish-anëtarja e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, Ardiana Shala, t’i drejtojë disa punë me shkrime dhe me reagime private, pastaj edhe shkrime publike. S’ia tumiri kush asaj fjalën private as publike. Dha dorëheqje, pak a shumë, me këtë arsyetim: kur s’ma merrni parasysh fjalën, kur nuk drejtoni punë të këqija, s’jua dua honorarin e këshilltares dhe s’mund të rri aty ku bëhen punë të këqija dhe kundërligjore. Aferim i qoftë! Respekt për Ardiana Shalën, prej tokës në qiell! Për gardianen e buxhetit publik! Për gardianen e taksave të qytetarëve të Kosovës!
Fazli Gajraku, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, për shumë shkrime që kohë të gjatë kam shkruar për punën e tij bërë llom, kohë pas kohe ka bërë përpjekje të marrë masa ndaj meje nëpërmjet dy u. d.-ve kundërligjorë. Dhe sa herë që atij i ka shkuar mendja të marrë masa e të ma ndalë lirinë e shprehjes, unë kam shkruar edhe më gjatë dhe do të shkruaj vazhdimisht. Kam shkruar edhe kur, po me dijeninë e tij, sejmeni i tij më ka kërcënuar e ai ka heshtur. Nuk është distancuar as nga kërcënimet, as nga sharjet, as nga sulmet që më janë bërë mua dhe që u janë bërë edhe të tjerëve. Sot ai e udhëheq Bibliotekën Kombëtare vetë i treti. Përkrah tij, orë e çast, janë koordinatorja e Bibliotekës Universitare, Bukurie Haliti dhe u. d. i Bibliotekës Digjitale, Liridon Zekaj. Shkaku i këtyre dyve ka prishur raportet me gjashtëdhjetë për qind të punonjësve të Bibliotekës Kombëtare. I ka mbuluar kërcënimet e Liridon Zekajt ndaj meje, ndaj Ramush Zekës (shefit të IT-së), ndaj Izet Abdylit (shefit të personelit dhe administratës), ndaj Tefik Mehmetit, ndaj punonjësve të higjienës e ndaj kujtdo tjetër. Sot Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ka një drejtor me letra, por i ka edhe këta dy të tjerët pa letra. Ditën e kremtimit të saj e refuzojnë mbi pesëdhjetë për qind e punonjësve. Nuk duan një kore bukë prej tyre (prej buxhetit të Bibliotekës). Nuk duan një gotë ujë. Nuk duan një qebap. Nuk duan t’i kenë përkrah dhe përbri në tavolinë. Arsyet janë të shumëllojshme. Në radhë të parë, kërcënimet që ua kanë bërë disa punonjësve, në radhë të dytë nëpërkëmbjen që ua kanë bërë që tetë vjet duke ua qitur para ata që u shkojnë për vijë, në radhë të tretë keqpërdorimet që kanë bërë kohë të gjatë.
Që nga janari deri në nëntor 2023 Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka shpenzuar nga buxheti i vet rreth 60 000.00 euro. Ka shpenzuar rreth 20 për qind të buxhetit. Çfarë menaxhimi i parasë publike është ky? Padyshim një kryetar fshati do ta menaxhonte më mirë! Nga kjo shumë, vetëm për shpenzime të udhëtimit, të akomodimit dhe të drekave zyrtare janë shpenzuar 41 435.50 euro. Pra, mbi 70 për qind e buxhetit për këtë periudhë është shpenzuar për: udhëtime, akomodime dhe dreka zyrtare. Dhe ata që kanë përfituar nga këto janë: Liridon Zekaj 8 805.00 euro, Fazli Gajraku 6 470.00 euro, R. T. 6 458.00 euro. Tre punonjës të Bibliotekës e shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit, të tjerët lexojnë për shpenzimet e tyre. Tekefundit, ju mund të thoni, punë e madhe, kanë bërë qejf me para të qytetarëve të Kosovës brenda dhe jashtë Kosovës. Po bre, veç drejtorin nuk e ka zgjedhur Këshilli Drejtues për të bërë qejf, por për të punuar. Njëherë mundet, por pastaj s’mundet. E këta dy zyrtarë, po, mund t’i ketë zgjedhur drejtori për të bërë qejf bashkë fund e krye botës. E tash pritni shkeljet ligjore.
Disa u. d. që tetë vjet, disa që shtatë vjet, disa që gjashtë vjet…, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës vazhdon t’i mbajë në pozita kundërligjshëm. Edhe avancimet e u. d.-ve të rinj i bën kundërligjshëm. Sinjalizuesja e Bibliotekës Kombëtare nuk ia tërheq vërejtjen, nuk mban shënime, nuk protokollon asgjë në Bibliotekë për shkelje të Ligjit për Zyrtarët Publikë. I kam shkruar dhe i kam kërkuar kësaj sinjalizuese sqarime nëse, për këto shkelje, e ka lajmëruar auditorin. I kam kërkuar përgjigje nëse e ka lajmëruar përgjegjësin e sinjalizuesve të MKRS-së për institucionet vartëse të saj. Nuk ka kthyer përgjigje as brenda afatit, as pas afatit. Një ndëshkim do të duhej t’i jepej kësaj, se kështu e parasheh ligji. Ndoshta s’i ka shkuar mendja se do të shkruaj edhe publikisht për heshtjen e saj pavarësisht e bija e kujt është e që ndonjëherë të atit të saj i them “tungjatjeta!” në rrugë dhe i shpreh respekt.
Një skandal tjetër brenda Bibliotekës Kombëtare është ky: zyrtari i bibliotekës vetë i bën specifikat financiare, vetë bëhet menaxher i kontratës. Disa zyrtarë të komunës së Prishtinës, për shkak të këtij konflikti të interesit, për shkak të një rasti të tillë, nga zyra e punës kanë dalë me duar në pranga e të mbështjella pas shpinës. Se kur do të dalë zyrtari i bibliotekës, ndoshta drejtor Gajraku e di! Ndoshta e dinë anëtarët e Këshillit Drejtues! Ndoshta e dinë zyrtarët e krimeve ekonomike! Nëse asnjëri prej këtyre s’dëshiron të dijë, të paktën ta dini ju.
Kështu, jo në bazë të ligjit, ka ndodhur edhe me emërimin e anëtarëve të komisionit vlerësues për klimakomora.
Skandali tjetër: bëhen anëtarë të pranimit të punonjësve të rinj në Bibliotekën Kombëtare ata që janë të dëgjueshëm të drejtorit ani pse, me emërimin e tyre anëtarë, përbëjnë shkelje të konkursit. Pse? Sepse, sipas ligjit, nuk mund të emërohet anëtar një person që ka të kryer vetëm shkollimin e mesëm kur për atë vend të punës kërkohet nga kandidati ta ketë të përfunduar fakultetin. Nëse kjo është shkelje e vogël, ja një më të madhe.
Bëhen anëtarë të komisionit vlerësues të ofertave, për rrjet LAN dhe VAN, punonjësit që kanë qenë të punësuar në punë në shërbimin e higjienës. Ligji thotë ndryshe: duhet të jetë i fushës së teknologjisë informative. Pra, është shkelur ligji. Çfarë dinë këta të shkretët çfarë malli kanë pranuar?! Nuk do të dija as unë, se s’jam i kësaj fushe. Po pse bëhen këta e s’bëhen të tjerët? Sepse të tjerët nuk duan të marrin pjesë në këto komisione, të nënshkruajnë dokumente me vlerë mijëra euro e nesër a pasnesër të përballen me drejtësinë. Dhe, së këndejmi, bëhen ata sepse herë pas here u derdhet në llogari nga një mëditje, kinse për orë shtesë të punës. Kanë nevojë për para dhe, jo për respekt, por prej frikës, nuk ua kthejnë fjalën as drejtorit, as menaxherit të kontratës.
Skandal tjetër është ky: një kompanie i është paguar puna pa e përfunduar të gjithën. Punën e ka vijuar disa javë dhe muaj më pas. Çfarë, pas marrjes së parave, s’do ta kryente punën?! Kush do të jepte përgjegjësi? Ligji për financa s’e lejon këtë shkelje. Në Bibliotekën Kombëtare është lejuar kjo shkelje. Tash, për atë punë që është kryer, po përgatitet një kontratë e re me emër të ri. Për të, sapo të informohem më mirë, do t’ju informoj hollësisht.
Shpejt e shpejt edhe këto të meta dhe të vërteta: mbi 12 muaj programi për katalogim të fondeve të Bibliotekës bën “pushim”; disa punonjës Fazli Gajraku i fut në listën e përformuesve të artit (edhe vetveten) sapo fillojnë punën, disa i lë zyrtarë publikë; që disa vjet e ka nisur “Bibliografinë e librit shqip”, disa herë ka marrë mjete për të nga MKRS-ja për realizim dhe s’e ka përfunduar ende; as monografinë për masakrën në Krushë të Madhe s’e ka kryer ani pse, sipas kontratës që pati nënshkruar me ish-ministren Vlora Dumoshi në vlerë rreth 140 000.00 euro, është dashur ta kryejë moti. Tash vonë, pikërisht dje, në Ditën e Bibliotekës, veç pse rri në një restorant ditën dhe natën, veç pse ha dhe pi në të me shokë, i kishte dhënë një punë pronarit të atij restoranti: ta shtrojë një koktej për të pranishmit në këtë ditë të veçantë kombëtare! Nuk e di a ka hapur procedura të prokurimit për atë koktej. Nuk e di si do ta paguajë. Kur e pashë atë “drekë” në tavolinë, seç më erdhi në mendje një shprehje e Albin Kurtit opozitar: Këta edhe në gur të varrit të dëshmorëve vjedhin! Ka hapur, pa u bazuar në Ligjin për Biblioteka dhe në Rregulloren e saj, thirrje për përkrahje të OJQ-ve. E ka hapur një thirrje tinëz (sa për sy e faqe në uebfaqen e saj që ka vizitorë pak). Si është e mundshme të aplikojnë të njëjtat OJQ që kanë aplikuar herën e parë? Kush i informoi ato që është hapur thirrja e re? Pse bash të njëjtat aplikuan? A i kanë kryer të gjitha prej tyre detyrimet financiare të vitit të kaluar dhe si i kanë kryer? Pse Fazli Gajraku i ka ndërprerë mbledhjet me shefa? Pse s’e fton në mbledhje shefin e personelit dhe administratës, Izet Abdylin? Pse s’e fton në mbledhje shefin e IT-së, Ramush Zekën? Pse nuk konsultohet sot me Tefik Mehmetin, ndihmësdrejtor? Pse merr numra të rinj të protokollit e nuk i sjell vendimet e kaluara? Çfarë po mban fshehtë? Nga kush po mban fshehtë? A e di ai që edhe punonjësit e Bibliotekës Kombëtare kanë të drejtë për qasje në dokumente zyrtare? A e di ai që edhe përtej afatit ia ka vonuar qasjen në dokumente zyrtare gazetës “Epoka e re”? A e di ai, a e ka informuar Izet Abdyli, se kjo është shkelje ligjore? Si mund të emërojë drejtor Gajraku komisioni për kontrata të reja për punonjësit pa qenë anëtar komisioni shefi i administratës dhe personelit? A e ka lexuar ligjin ai? A i ka treguar ndokush çfarë flitet në atë ligj? Pas gjithë këtyre punëve dhe dobësive, sabahu nuk do të më zinte pa dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit! Por, ai s’jep as nesër, as pasnesër, tek në shkurt kur t’i përfundojë, se i ka ai katër shokë, dy në Akademi (B. R. dhe K. Sh.), një në Presidencë (V. M.) dhe një në MKRS, që e mbajnë me zor drejtor.
Kryeministër, Ministër, anëtarë të Këshillit Drejtues, kolegë, miq, në javët e ardhshme do të lexojmë letra sërish. Mirëmbetsha dhe mirëmbetshi! Faktet janë kokëforta. Kokëfortë jam dhe unë. Pesë para s’i jap për asnjë njeri që shkel mbi këtë tokë. Dhe meqë unë nuk përtoj të shkruaj, ju mos përtoni të lexoni. Shihemi shpejt!
(Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale të autorit)