Darka e Athinës dhe virusi i nacionalizmit ballkanik       

Darka informale e Athinës mbrëmjen e 21 gushtit, e thirrur nga kryeministri grek Kyriakos Mytsotakis, vë në dukje pa asnjë mohim që Ballkani ka qenë dhe mbetet gjithmonë një zonë veçanërisht nevralgji...
Loading Icons...
test12

Darka e Athinës dhe virusi i nacionalizmit ballkanik       

Loading Icons...

Darka informale e Athinës mbrëmjen e 21 gushtit, e thirrur nga kryeministri grek Kyriakos Mytsotakis, vë në dukje pa asnjë mohim që Ballkani ka qenë dhe mbetet gjithmonë një zonë veçanërisht nevralgjike në Evropë. Dhe pa dyshim e kemi të qartë që nacionalizmi është një virus endemik në zonën e Ballkanit.

Me rënien e perandorive, asaj osmane dhe austro-hungareze, nga shekulli XVIII, lëvizjet nacionaliste krijuan një fragmentim që çoi në lindjen e shteteve që njohim sot. Shtetet të pavarura ballkanike të cilat arritën vetëm pjesërisht të mbushin vakumin e pushtetit që buroi nga shembja perandorive.

Shtete të vogla të populluara nga disa milionë banorë, shpesh të ndara në bashkësi etniko-fetare në konflikt të hapur me njëra tjetrën.

Probleme dhe vështirësi të cilave pas Luftës së dytë Botërore iu shtuan edhe ato të përgjithshme të strukturës së luftës së ftohtë, me ndarjen e vendeve ballkanike në dy blloqet kundërshtare.

Federata Jugosllave e konceptuar nga Josip Broz Tito, arriti për dekada të krijojë një ekuilibër midis shumë prej tyre (përjashtim Kosova), duke i bashkuar në një komb me përmasa të pranueshme me një politikë dhe identitet të përbashkët.

Por, me vdekjen e Titos dhe më pas rënien e dy blloqeve, Federata e krijuar pësoi shpërbërje ashtu si ajo ruse dhe Çekosllovake ( kjo e fundit qe e vetmja që u krye në mënyrë paqësore).

Në ish-Jugosllavi konfliktet etnike dhe pretendimet territoriale shpërthyen në një luftë të përgjakshme shpërbërëse duke lejuar kthimin e virusit nacionalist.

Hyrja në komunitetin politik të BE-së e disa prej vendeve ballkanike si Greqia, Bullgaria dhe Kroacia, së bashku me hyrjen në NATO të shumicës së vendeve të mbetura me perspektivën e anëtarësimit të tyre gradual në Union, duket sikur qetësoi disi klimën në rajon dhe arriti të zbusë konfliktet e kërkesat nacionaliste.

Por ja që realiteti i viteve të fundit tregoi që ai virus, i mbartur prej dy shekujsh, në fakt kishte mbetur vetëm latent dhe po rikthehej gjithnjë e më shpesh për të ndezur flakën e marrëdhënieve mes shteteve.

Ata që tashmë janë anëtarë të Komunitetit Evropian e përdorin këtë pozicion si një mjet force dhe pushteti për të kërcënuar të tjerët.

Ky është rasti me pretendimet historike bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Por kjo është edhe më evidente në presionin e ushtruar prej dekadash nga Athina gjithmonë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe akoma më shumë ndaj Shqipërisë.

Greqia menaxhon një sërë politikash tërheqëse (si pensione, nënshtetësi, etj.) ndaj popullsisë të Shqipërisë së Jugut, së cilës i bashkohet një sjelljeje agresive e përsëritur kundër shtetit shqiptar formatuar nga kërkesa në lidhje me mosmarrëveshje territoriale, pretendime për hapësirat detare dhe ndërhyrje reale si ajo, shumë e rëndë kohën e fundit për çështjen Fredi Beleri.

Pa harruar që Ligji i luftës i Greqisë me Shqipërinë mbahet ende në fuqi nga shteti grek.

Qeveria në Athinë pretendon të ndikojë në veprimtarinë e gjyqësorit shqiptar dhe ka kërcënuar qeverinë e Tiranës të bllokojë procesin e anëtarësimit të saj në BE si dhe vetë fondet evropiane të pre adezionit.

Kjo kapriço nacionaliste qëndron pas arsyes së mungesës së një ftese nga ana e Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, kolegut të tij Edi Rama, duke e përjashtuar atë nga darka e takimit informal mes liderëve ballkanikë, ku pjesëmarrës ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelenskyy.

Pikërisht në tryezën e Athinës, presidentja e Komisionit Evropian përsëriti urgjencën e strategjisë për të futur të gjithë Ballkanin Perëndimor në Bashkim me hapa të shpejtë.

Në atë tavolinë u ulën edhe Vuçiç e Kurti, liderët e dy vendeve ku nacionalizmi nuk është shuar asnjëherë dhe ka qenë në rritje kohët e fundit, duke çuar në përkeqësim të hapave drejt procesit të dialogut. Përkeqësim që padyshim rrit nivelin e de stabilizimit rajonal.

Ndërkohë rëndësinë më të madhe politike e pati shtrëngimi i duarve mes Presidentit ukrainas Zelenskyy dhe atij serb, Aleksandër  Vuçiç.

Nga ana e tij Zelenskyy i kërkoi homologut mosnjohjen e territoreve të pushtuara nga Rusia, ndihmën me armatime (edhe pse Serbia është i vetmi vend në rajon i cili nuk ka aplikuar sanksionet ndaj Rusisë). Premtim që qartësisht e mori në këmbim të atij ukrainas për të mos njohur pavarësinë e Kosovës.

Nëse Rama ishte mungesa e darkës informale në Athinë, Kurti u ul në tavolinë për të pasur edhe një herë konfirmim të problemeve të tij në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Por dy ishin problemet politike më të qarta që dolën gjatë asaj darke.

Njëri i drejtohej Vuçiç-it, pasi deklarata e ministrit të tij të Mbrojtjes Vuçeviç kundër Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi ndaj njohjes së Kosovës qartësisht ishte një mesazh kërcënues që cenon stabilitetin në rajon.

Dhe tjetri është ai brenda vetë Komunitetit Evropian. Mbizotërimi i vetos brenda Unionit (pa përmendur rastet e Hungarisë apo Polonisë dhe duke qëndruar në rajon mjafton të shohim Bullgarinë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe kërcënimet e qeverisë greke ndaj Tiranës, duke pretenduar ata kështu ndërhyrjen e politikës në drejtësi) tregon se procesi i zgjerimit të BE-së është edhe një herë peng i politikës. Dhe në veçanti peng i instancave nacionaliste, të cilat kërkojnë të kalojnë si mbrojtje e interesave individuale kombëtare, deri në atë pikë sa e bëjnë vetë Unionin të duket si një organ i paralizuar, pak efektiv në ndjekjen e objektivave të përbashkëta.

Kriza që filloi në Evropë në vitin 1989 nuk mund të konsiderohet e përfunduar. Pasiguritë e lëna të hapura në Ballkanin Perëndimor nga marrëveshjet e Dejtonit, Ohrit dhe Kumanovës, dialogu i ngecur mes Serbisë dhe Kosovës, dhe përkeqësimi i kontrasteve post-sovjetike që duket hapur me luftën ruso-ukrainase, krijojnë një konvergjencë rrugëtimi mes lëvizjeve sovraniste evropiane dhe atyre nacionaliste ballkanike duke e bërë Bashkimin Evropian të duket më i fragmentuar mes shteteve anëtare, ose, në mënyrë paradoksale, më i ballkanizuar në integrimin e Ballkanit.