Opinione / Kolumnistët

Dallimi mes një diplome të Oxford-it dhe një të UP-së është 873 vjet studim – dhe diçka më tepër


Lirim Mehmetaj Krryeredaktor Albanian Post, Prishtinë

Rasti i fundit i mospranimit të një doktorante të Oxfordit si asistente në Universitetin e Prishtinës, do të duhej të ishte një pikë vlimi. Një moment që assesi s’bën të kalojë veç me reagime në Facebook. Dënimi për anëtarët e komisionit vlerësues do duhej të ishte kapital – largim i menjëhershëm nga puna dhe dorëheqjet do duhej të përcilleshin deri te dekani.

Nëse e mendoni këtë si masë drastike dhe ekzagjerim, jeni po aq gabim sa të ashtuquajturit profesorë që vlerësuan procesin.  

Universiteti i Oxfordit ka prodhuar 69 çmime Nobel. Është i treti në botë. Para tij janë vetëm Cambridge në Britani të Madhe dhe Harvard në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë dhjetëra mijëra universitetet, qindra mijëra shkencëtarë dhe fare pak çmime nobel, por 69 kanë kaluar nëpër Oxford. Sot e kësaj dite vazhdon të mbetet një nga universitetet më të mira për nga cilësia e studimeve, niveli i punësimit të studentëve dhe më prestigjiozi në botë për shkak të historisë.

Universiteti i Tiranës, e panevojshme për t’u thënë, s’ka prodhuar ndonjë nobelist, larg asaj. Është ndër më të dobëtit në botë në ranglistat që listojnë cilësinë e universiteteve dhe jo vetëm Universiteti i Prishtinës, por disa universitetet private në Kosovë janë të ranguara më mirë.

Për të përshkruar saktësisht se çfarë studime bëhen në UT, po e ndaj me ju një tregim.

Një studente e shkencave sociale kishte bërë doktoratën në Universitetin e Tiranës. Preokupimi i saj shkencor kishte të bënte me inteligjencën artificiale, mbase ndonjë ndërlidhje mes AI-së dhe ndikimit në shoqëri. E pyetur në një rast se çfarë është inteligjenca artificiale, ajo kishte thënë, citoj: “është kur bëhesh kinse di diçka por në fakt nuk e di”. Pra tregohesh artificial. Për të mos ia ofenduar inteligjencën askujt s’po vazhdoj me shpjegime se sa banal, deri në dhembje, është ky gabim në përkufizim.

Universiteti i Prishtinës, Departamenti i Antropologjisë këto ditë ka pasur dy kandidate në kushte të barabarta për t’i pranuar në punë si asistente të jashtme – njëra duke bërë doktoratën në Universitetin e Oxfordit, Iliriana Blakaj dhe njëra me Master në Universitetin e Tiranës, Yllka Syla-Uka.

UP ka zgjedhur kandidaten me Master në Tiranë.

Mediat e nxorën lajmin dhe u kuptua se kjo nga Universiteti i Tiranës e ka burrin deputet të partisë në pushtet dhe gjithashtu është familjare e një zëvendës-ministri në qeverinë aktuale. Ndërlidhja u bë menjëherë – paska qenë vendim politik angazhimi i saj.

Por, deputeti/burri doli me një sqarim dhe tha se nëse e gjen dikush se ai ka ndikuar, është gati të largohet nga jeta politike e publike.

Ka mundësi që ai s’ka pasur dorë, por në një shtet/shoqëri që funksionon krejtësisht me lidhje familjare dhe ndikime nepotiste në punësim dhe numri i madh i familjarëve të këtij deputeti të punësuar në institucione të shtetit, e bën atë pak të besueshëm. Gjithsesi, reagimi i tij është i parëndësishëm.

Reagimi i bashkëshortes, tash asistentes, është ai që duhet lexohet me vëmendje.

Zonja Syla-Uka kishte shprehur befasinë e saj me diferencimin që njerëzit po bënin mes një diplome në Universitetin e Prishtinës apo Tiranës dhe një diplome në Oxford.

“Nëse studimet në UP dhe institucione të tjera publike kanë më pak vlerë dhe një gradë BA apo MA e fituar në UP vlen më pak se e njëjta gradë e fituar diku tjetër, atëherë është mirë të mos na mashtroni kinse po studiojmë kur jemi studentë dhe mos të mashtrojmë gjeneratat e reja kur angazhohemi si staf akademik”, shkruan ajo.

Jo se ekziston diferencë mes diplomës së fituar në Oxford dhe asaj në Tiranë, por diferenca është jashtëzakonisht e madhe. Vetë fakti që ajo nuk e ditka këtë gjë kaq të thjesht e bën të pakualfiikueshme për t’i ligjëruar dikujt.

E gjithë filozofia e studimit modern nënkupton perfeksionimin e metodave hulumtuese, kryesisht atyre kuantitative, të cilat ose nuk shpjegohen në UP ose shpjegohen keq. Derisa Universiteti i Oxfordit është themelues i disa prej këtyre metodave.

Në Universitetin e Prishtinës, aq më pak atë të Tiranës, profesorët nuk dinë të shpjegojnë as dallimin mes variablës së varur dhe variablës së pavarur.

E mbaj mend si sot, një semestër të tërë kishim mbajtur ligjërata dhe ushtrime në UP në lëndën “Metoda Kualitative dhe Kuantitative” dhe as çfarë është hipoteza null nuk na e shpjegonte kush. Aq më pak testim statistikor të hipotezave, e lërmë shpjegimin e gabimeve që mund të bëhen në vërtetimin e hipotezave kur e nxjerr si të pavërtetë një hipotezë null të saktë, ose e nxjerr si të vërtetë një hipotezë null të gabuar, që në shkencë njihen si “type 1 error dhe type 2 error”.

Në Universitetin e Prishtinës në shkenca sociale nuk mësohet statistikë, që është jetike për të kuptuarit e metodave kuantitative. Gjithashtu, programet kompjuterike për kryqëzimin e variablave dhe nxjerrjen e përfundimeve nuk mësohen, rrjedhimisht nuk mësohet as si lexohen të dhënat që tregojnë sistemet SPSS, STATA, apo R.

 Yį = ƒ ( Xi , ß ) + ei

Kjo formulë, që tregon variablën e varur, funksionin, variablën e pavarur, parametrat e panjohur dhe termat e gabuar, ngjanë si shkencë raketash për studentët e shkencave sociale në Universitetin e Prishtinës.

Pra, një analizë regresive që është një set i proceseve statistikore që matë raportin në mes të variablës së varur dhe një apo më shumë variablave të pavarura, është procedurë e aliene në UP.

Madje, në UP lërë që nuk mësohet dallimi mes korrelacionit dhe kauzalitetit, por pothuajse nuk përmenden fare.

Dhe këto janë vetëm njohje bazë e metodave në shkenca sociale, është vetëm gërvishtje e sipërfaqes. Në universitetet mesatare evropiane këto mësohen në nivele fillestare të studimeve, kurse në UP e përfundon masterin dhe as metoda elementare siç janë “Grand theory”, “Thick description” apo analizimi i tekstit përmes kodimit nuk përmenden.

Derisa në UP këto metoda nuk mësohen, në universitetet si Oxford përtej se mësohen avancohen dhe zbulohen të reja e më pas shpërndahen nëpër botë.

Prandaj po, zonja Yllka, dallim ka dhe dallimi është i madh në mes të diplomave të UP-së dhe Oxofrdit. Dhe zgjidhja nuk është, siç propozon ti “ta mbyllim UP-në”.

Jo, nuk duhet ta mbyllim, por duhet të mirëpresim kandidat të tillë si Iliriana Blakaj që vjen nga Oxfordi dhe kështu, ngadalë, të rrisim cilësinë brenda UP-së.

Mos të keqkuptohem, njohja e një diplome të një universiteti kulmor dhe vlerësimi nuk bëhet vetëm në UP e universitete të dobëta si UP-ja, por çdoku në botë.

Sa isha në master në Universitetin e Salzburugt, në fakultetin e Sociologjisë dhe Shkencave Politike, departamenti i Shkencave Politike na ftoi në një koktej rasti. Kur shkuam, u prezantuam me një profesore që vinte nga Universiteti i Tokios, një universitet jashtëzakonisht i njohur edhe ky për cilësinë e studimeve. Ajo kishte zgjedhur që të kalonte pjesën tjetër të jetës akademike në Evropë dhe universiteti e kishte bindur që të vije e të ligjërojë në Salzburg. Të gjithë ishin të gëzuar, derisa shefi i departamentit të shkencave politike i ngazëllyer fliste për rëndësinë e pamatshme që kishte ardhja e një kuadri të tillë në departament.

Është e vërtetë. Ti nuk ke faj që je përzgjedhur para kandidates tjetër. Faj ka sistemi që i mundëson burrit tënd të ushtrojë ndikimin (dhe ndikimi ushtrohet në mënyra të ndryshme) për t’u pranuar në pozitën e asistentes dhe rrjedhimisht për ta dekurajuar një kandidate nga Oxfordi.

Faj kanë edhe të ashtuquajturit profesorët e komisionit që kanë bërë “vlerësimin”, Tahir Latifi dhe Durim Abdullahu, të cilët, bëjnë një përzgjedhje të tillë ndikuar politikisht dhe gjithashtu nga kompleksi i inferioritetit që buron nga padija e tyre e skajshme.

Përveç se këta do të duhej të largoheshin urgjentisht për këtë proces të turpshëm, dorëheqje t’i kërkohet patjetër edhe vetë dekanit të Fakultetit.


Lajmet kryesore