Opinione / Sport

Cristiano Ronaldo – ndihmë apo problem për Manchester United?


Emlyn Begley Gazetar i sportit në BBC

Rikthimi i Cristiano Ronaldo-s te Manchester United këtë verë i gëzoi jashtëzakonisht shumë fansat e Djajve të Kuq – deri tani ai madje ka shënuar disa gola shumë të rëndësishëm, por, a është United skuadër më e mirë pa CR7-ën në përbërje?

Një nga nënshkrimet më të bujshme të verës, ktheu ëndrrën në ‘Teatrin e Ëndrrave’, disa ditë pasi u duk se ai do t’i bashkohet rivalëve të qytetit, Manchester City-t.

Pasi shënoi katër gola në tre paraqitjet e tij të para, Ronaldo ka shënuar vetëm dy në gjashtë ndeshjet e radhës – por të dyja që kanë qenë gola në minutën e fundit, vendimtare për fitoret ndaj Villarreal dhe Atalanta.

United ka ndryshuar mënyrën e lojës, në mënyrë që 5 herë fituesi i Topit të Artë të përshtate me klubin, me trajnerin Ole Gunnar Solskjaer që tani është nën presion të madh pas humbjes 0-5 nga Liverpool-i.

Ish-shoku i skuadrës, Leonardo Bonucci, mendon që Juve është një skuadër më e mirë pa Ronaldo-n prezent, kurse Graeme Souness, ish-kapiteni i Liverpool-it dhe Skocisë, beson se Ronaldo nuk duhet të jetë një titullar i garantuar.

Pra, a po i ndihmon apo po i pengon Ronaldo United-it?

Çka ka bërë mirë?

Tre gola në gjashtë ndeshjet e para në Premier League është një rekord mjaft i mirë, por, për standartet e tij, nuk është i jashtëzakonshëm.

Hera e fundit kur ai e përfundoi ligën me përqindje shënimi 50 ose më pak, ishte sezoni i tij i katërt te United, 2006/’07, kur ai shënoi 17 gola në 34 paraqitje.

Atë botë, ai ishte golashënuesi i tretë më i mirë në Premier League, me Drogba-n që fitoi Këpucën e Artë pasi shënoi 20 gola.

Është ende herët, por 14 futbollistë kanë shënuar më shumë gola se Cristiano në Premier League, duke përfshirë Hwang Hee-Chan të Wolves dhe Ismail Sarr të Watford.

Heroizmat e tij kanë ardhur në kompeticionin e tij të preferuar, Champions League, ku është golashënuesi më i mirë me 137 gola.

Dy golat vendimtar përballë Villarreal dhe Atalanta, po e bëjnë diferencën për United, që po udhëheq grupin kur mund të ishte e fundit.

Gjashtë golat e tij me United-in e kanë ngritur totalin e tij me djajtë në 124, derisa ai ka 450 gola me Real-in, 101 me Juventus-in dhe rekord 115 gola me Portugalinë. Pesë të tjera i ka shtuar me Sporting Lisbonën në hapat e parë të karrierës.

Tani, Ronaldo e luan rolin e numrit nëntë – siç ka bërë për shumë vite me radhë. Një realitet i largët me anësorin fanatik që United e përjetoi pas transferimit nga Sporting.

Për prekje, ai renditet i 216-ti në Premier League me 243 prekje, por për prekje në zonën e kundërshtarit, ai renditet i 16-ti me 39.

Ronaldo është i teti në listën e tentativave, me 25 goditje në Premier League këtë sezon, kurse i nënti me goditje në portë, nëntë në total.

“Ai do të shënojë dhe do ta lumturojë publikun, por nuk mendoj se ai mund të luaj çdo ndeshje”, thotë tani analisti Graeme Souness.

“Do doja ta kisha në skuadër”, thotë ai, “por me kushtin se ‘nuk do të nisësh nga fillim çdo ndeshje’, por do të kesh influencë të madhe gjatë nëntë muajve”.

Po ndikimi i tij i përgjithshëm?

Pra, nuk është më i miri. Statistikat e tij në presion, në përgjithësi, janë të vakëta, edhe pse kurrë nuk ka qenë pjesë e lojës së tij.

Në Premier League, vetëm një futbollist – duke mos përfshirë ata që kanë luajtur më pak se 15 minuta, ka pasur më pak tentativa për presion të sakta se Ronaldo në këtë sezon (0.74), dhe ai është mbrojtësi i Everton-it, Mason Holgate.

Sipas faqes së statistikave FBREF, Ronaldo radhitet i 384-ti në presione të tentuara dhe i 385-ti në ato të kompletuara. 429 futbollistë, përfshirë edhe portierët, kanë luajtur në këtë sezon të Premier League-s.

Në krahasim, Cavani që luajti 26 herë sezonin e kaluar, kishte 3.86 presione të suksesshme për 90 minuta.

Mark Odgen i ESPN-së, në BBC radio tha: “Çka ka ndryshuar këtë edicion është Cristiano Ronaldo. Ata kanë një futbollist përpara që nuk bën shumë punë”.

“Cavani bën gjithçka. Ai nuk dorëzohet edhe kur duket e pamundur, ai e ndezë publikun dhe skuadrën. Nëse Ronaldo nuk është aty, United marrin formën e një skuadre”.

Micah Richards, analist në BBC, thotë: “Nëse e sjell Ronaldo-n, cili është stili i lojës? Ku është balanci? Normalisht që e transferon Cristiano-n nëse ai është në dispozicion. Por, merr dhe njerëz tjerë që kryejnë punën e tij”.

Për pasime poashtu, Ronaldo është shumë poshtë në listë, i 208 me 169 pasime të tentuara dhe 143 të sakta.

195 futbollistë kanë kompletuar më shumë se dy driblimet e tij.

Si e ka ndryshuar ai stilin e lojës te United?

Ka disa diference që vihen re te stili i lojës që United luan këtë edicion: Ata janë më direkt, ata krosojnë më shumë; dhe ata bëjnë presion më pak.

“Ai ka çdo të drejtë të thotë se është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, por në aspektin e përmirësimit të Manchester United-it si skuadër? Jo”, thotë Souness pas humbjes katastrofale të djajve ndaj Liverpool-it.

Ronaldo e fitoi Serie A-në në dy sezonet e para të tij me Juventus-in, por sezonin e kaluar ata përfunduan vetëm në vendin e katërt, duke i dhënë fund ‘sundimit’ nëntë vjeçar në elitën e futbollit azur.

“Vitin e kaluar luajtëm për të”, tha Leonardo Bonucci, “tani grupi duhet ta gjejë shpirtin e ekipit te Juve që ishte para ardhjes së tij”.

Ish-mesfushori i United, Bayern dhe Gjermanisë, Bastian Schweinsteiger, u pajtua me Bonucci-n.

“Juventus-i janë më të mirë pa Cristiano-n”.

“Ku do që shkon Cristiano, ai është fokusi kryesor, por nëse e keni parë Juve-n para epokës CR7, ata u paraqitën si një skuadër dhe si një 11-she”.

United janë në vendin e shtatë në Premier League pas nëntë ndeshjeve, tetë pikë prapa liderit, Chelsea-s.

Sezonin e kaluar ata kishin 16 pikë në këtë fazë, por ishin në vendin e nëntë, për shkak se skuadrat tjera kishin një ndeshje më shumë.

Por, United duhet të ishte më e mirë pas transferimit të Varane, Sancho dhe Ronaldo.

Djajtë e Kuq e patën startin e njëjtë edhe në Champions vitin e kaluar – të parët me gjashtë pikë pas tre ndeshjeve.

Ka ndryshime të dukshme në mënyrën se si Ronaldo ka ndryshuar lojën e tyre.

Me Ronaldo-n që është shumë kualitativ në ajër, United po bazohet më shumë te krosimet këtë vit.

Ata kanë shkuar nga 11.2 krosime për ndeshje vitin e kaluar, në 14.2 tani.

Përkundër kësaj, Ronaldo ende nuk ka shënuar me kokë në Premier League – edhe pse goli heroik përballë Atalanta-s erdhi me kokë.

Manchester-i janë më të dobët këtë sezon te presioni si skuadër.

Ata ishin të dytit vitin e kaluar në këtë aspekt, kurse këtë vit janë vetëm në vendin e shtatë.

Ata kanë rënë në vendin e 12-të nga i teti për pasime të lejuara kur kundërshtarët kanë topin në sulm – që do të thotë se ata kanë stagnuar në shpejtësinë për të ndalur aksionet e kundërshtarit.

Dhe, një nga ndryshimet më të mëdha, është fakti se United po sulmon më shpejt këtë sezon.

Ata janë të parët për distancën e mbuluar në sulm, dhe të dytët në aspektin se sa lartë në fushë gjinden futbollistët kur fillon një sulm.

Skuadra e Solskjaer poashtu është përmirësuar në sulme direkte dhe shpejtësi efikase.

Ish-sulmuesja e Anglisë, Karen Carney, tani analiste e futbollit, beson që stili i tyre, megjithatë, nuk ka ndryshuar aq shumë.

“Ata kanë tentuar ta ndryshojnë mënyrën se si luajnë së fundmi, por nuk është vetëm për shkak të Ronaldo-s”, thotë ajo.

“United ka një rekord të mirë si mysafir për shkak të mbrojtjes thellë dhe kundërsulmeve të shpejta”.

Souness thotë që “problemi i tyre është se ata nuk mund të luajnë në mënyrën që Ole iu kërkon”.

“Ata nuk mund të presojnë lartë, sepse nëse një nga futbollistët nuk e respekton planin, gjithçka mund të ndodhë”.

“Duhet të luajnë një stil ndryshe – diçka që Ole nuk e do me të vërtetë”.

United ka pasur më shumë kilometra të kaluara se kundërshtarët vetëm në një nga gjashtë ndeshjet që Ronaldo ka luajtur – por ajo kishte ndodhur edhe në dy nga tre ndeshjet para ardhjes së tij.

Ka dyshime që Cristiano Ronaldo e ka ndryshuar Manchester United-in këtë edicion, dhe, me Solskjaer-in nën presion që mendon se si mund ta kthejë situatën në të mirën e tij, ai mund t’i analizojë këto statistika dhe të mendojë nëse rikthimi i ikonës së klubit e ka bërë skuadrën e tij më të mirë ose më të keqe.


Lajmet kryesore