Opinione / Kolumnistët

Çka tjetër duhet të thoshte Brnabiç që t’i ndalohej hyrja në Kosovë?


Lirim Mehmetaj Gazetar

Nga e gjithë kasta e politikanëve fashistë në Serbi, Ana Brnabiç, është përfaqësuesja më “e pastër” e linjës së ideologut fashist serb, historianit Vaso Çubrilloviç.

Brnabiç para dy-tre vjetësh pati thënë se “shqiptarët janë njerëz të dalë nga mali”, që është pasus përsëritës i deklaratës së dikurshme të Çubrilloviç-it, se “shqiptarët janë njerëz me bisht”, d.m.th të egër dhe të pa civilizuar.

Kjo pasuese e denjë e Çubrilloviç-it këtë të hënë qëndron në Kosovë. Lejen për këtë vizitë e ka marrë nga Qeveria e Kosovës, saktësisht Ministria e Punëve të Jashtme.

Ardhja e Brnabiç krejt shpengueshëm në shtetin “e njerëzve që kanë dalë nga mali”, siç do ta përshkruante Nabakovi, “normalisht është çmenduri, por çmendurisht normale”.

Përtej lejes, policia e Kosovë njoftoi se është angazhuar që për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, forcat e rendit do të bëjnë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete.

Pasueses së Çubrilloviç-it i mundësohet ardhje në Kosovë dhe qarkullim derisa ajo lëvizë nga qyteti në qytet duke ofenduar dhe përçmuar shqiptarët poshtë e lartë.

Për ata që nuk e dinë se çfarë linje përcjell Brnabiç, do të ishte mirë t’i hidhnin një sy jetëshkrimit të fashistit Çubrilloviç.

Ai është hartues i planit çnjerëzor për dëbimin e shqiptarëve nga trevat e tyre.

I prezantuar fillimisht si një ligjëratë në vitin 1937, teksti elaboronte spastrimin e zonave të banuara me shqiptarë brenda Jugosllavisë.

Duke shpjeguar se si metodat e deriatëhershme, përmes kolonizimit të ngadalshëm dhe reformave agrare, nuk po kryenin punë, ai sugjeronte në detaje një zgjidhje radikale – shpërnguljen në masë të shqiptarëve.

Çubrilloviç thoshte se shqiptarët duhet të detyrohen që të migrojnë, duke ua bërë jetën në shtëpitë e tyre të padurueshme, përmes torturave të ndryshme dhe kështu në ato vende të vendoseshin serbë.

Ai thërriste institucionet që “t’i bëjnë arnautët të vuajnë sa më shumë që munden”.

Kjo do të bëhej, shpjegonte fashisti, përmes gjobave, arrestimeve, rregullimeve brutale të policisë, dënimeve, vjedhjeve, dhunës dhe akteve të tjera të ngjashme. Mbledhje e ashpër e taksave të rënda dhe mbyllje të shkollave.

Shtëpitë nëpër fshatra duhet të digjen, thoshte Çubrilloviç dhe si shembull suksesi të kësaj metode merrte rastin e dëbimit të shqiptarëve nga Nishi e vende të tjera.

Për rrahje e përdhunime ai thoshte se duhet të përdoren paramilitarët e çetnikët, derisa tokat e shqiptarëve t’u shpërndaheshin serbëve e malazezëve dhe kështu do të ndryshonin strukturën etnike duke u “pastruar nga shqiptarët”.

“Derisa gjermanët mund të heqin qafe mijëra çifutë dhe Rusia mund të bëjë ndryshime milionëshe në popullatë nga një pjesë në tjetrën, nga një kontinent në tjetrin, dëbimi i disa qindra mijëra shqiptarëve nuk do të shkaktojë luftë botërore”, shkruante Çubrilloviç.

“Gjithsesi, ata që vendosin ta bëjnë një gjë të tillë, duhet ta dinë çfarë po duan dhe të jenë konsistentë deri në arritje të qëllimit, pavarësisht pengesave të mundshme nga ndërkombëtarët”, sugjeronte ai.

Për shkak të rezistencës shqiptare, plani asnjëherë nuk u zbatua në tërësinë e tij dhe këtë mungesë e ndjen sot Brnabiç. Ajo është përcjellëse e sertë e kësaj ideje të babait të saj ideologjik.

Prandaj, lejimi i kësaj fashisteje në Kosovë është një ofendim i pashembullt, sepse me pranimin e saj, pranohet edhe gjuha e urrejtjes që ajo përcjell.

Ndonjë naiv, për ta relativizuar gabimin, mund të thotë se ndalimi i saj do të ishte thjesht një veprim simbolik i parëndësishëm. Por simbolikat kanë rëndësinë më të madhe në formësimin e identiteteve, prandaj popujt nisin edhe luftë për të mbrojtur pikërisht simbolet shtetërore, sepse përbëjnë substancën e identitetit, përtej ndërlidhjes racionale.

Vetëm paramendojeni një situatë kur gjatë kësaj vizite Brnabiç ta përsërisë fjalimin e saj fashist se si “shqiptarët vijnë nga mali”, derisa anash policët shqiptarë e ruajnë atë dhe eskortën e saj, për t’ia lehtësuar udhëtimin nëpër Kosovë, ndërkohë që ajo i fyen paskrupull.

Normalisht, do ishte e pakuptueshme dhe anakronike që Kosova të dëshirojë normalizim raportesh me Serbinë e në anën tjetër të bllokojë vizitat e secilit shtetas serbë. Është e qartë se ndërvarësia mes shtetesh presupozon edhe vizita të ndonjë politikani që dikur ishte në kundërshtim me vetë ekzistencën tende si shtet, por kjo s’nënkupton tolerimin e një politikaneje që përfaqëson linjën fashiste në raport me vetë popullin dhe mbështet shfarosjen e kombit që i takon.

Shumë shtete dikur armiqësore sot kanë raporte të mira bilaterale, madje edhe Gjermania e Izraeli janë në terme miqësore tani, por kjo ka ardhur pas një kërkim falje, shpagimi dhe programi të gjerë denazifikimi.

Në anën tjetër, Brnabiç falje u kërkon vetëm serbëve që s’mund të bëjë më shumë për zhbërjen e shtetit të Kosovës.


Lajmet kryesore