Opinione / Editoriale

Çka ndodh të jesh armik i Iranit


Mëngjesin e 7 shtatorit, kryeministri Edi Rama, deklaroi për të parën herë zyrtarisht se pas sulmit kibernetik të 15 korrikut ndaj sistemit të e-Albania qëndron Irani dhe se Shqipëria do të ndërpriste menjëherë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit (IRI).
Sipas tij, katër grupe iraniane kanë organizuar sulmin kibernetik në vend.

Ndër ato edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron.

Kreu i Qeverisë shqiptare vërejti se objektivi i sulmit ishte shkatërrimi i infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimi i shërbimeve publike, si edhe grabitja e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.

Përgjigja nga qeveria e IRI-t nuk vonoi.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Ka’nani, vendimi i ndërmarrë nga Qeveria shqiptare është i pabazuar dhe i shërben vetëm komplotit amerikan dhe atij izraelit.

Por pse Qeveria e Iranit sulmoi Shqipërinë dhe cilat mund të jenë pasojat e prerjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve?
Për ekspertët e fushës sigurisht Irani nuk bën pjesë në fuqitë e sofistikuara për sa i përket sulmeve kibernetike ashtu siç mund të jetë Kina, Rusia, Izraeli apo SHBA-të.

Por fare mirë renditet te ato fuqi të cilat kanë avancuar në strategjinë dhe organizimin e luftës së tyre kibernetike e kanë arritur rezultate mjaftueshëm të mira nga ato sulme.

Strategjia e IRI-t në projektimin e fuqisë rajonale ka qenë gjithnjë ajo e përdorimit të aktorëve proxy (me prokurë) dhe jo lufta direkte, për arritjen e objektivave strategjike.

Vepron në të njëjtën mënyrë për sa i përket operacioneve të tij kibernetike.

Irani i sheh sulmet kibernetike si pjesë të aftësive ushtarake asimetrike që i nevojiten për t’u përballur kryesisht me armiqtë e saj kryesorë, SHBA-të dhe Izraelin e më pas aleatët e tyre dhe për të projektuar fuqinë e tij.

Përdorimi i aktorëve jo qeveritarë si proxy në sulmet kibernetike i shërben gjithashtu edhe për të fshehur angazhimin direkt në sulmet e bëra.

Kjo, edhe pse në shumë raste indikacionet për operacione të tilla tregojnë lidhjen direkt të aktorëve me aparatin e sigurisë së vendit, përkatësisht Ministrinë e Inteligjencës dhe Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike.

Qëllimi i sulmeve kibernetike është qartësisht për të krijuar avantazhe në favor të saj dhe për të ndikuar në ngjarje të ndryshme në mjediset që vetë Iranit i interesojnë, duke e bërë kibernetikën instrument të vyer të pushtetit kombëtar.

Nga ana tjetër, Irani ndër vite ka qenë objekt i sulmeve kibernetike dhe ngjarja madhore që ka ndikuar në vetëdijen iraniane për t’u forcuar në këtë aspekt ka qenë sulmi nga virusi Stuxnet në vitin 2010.

Ky ishte sulmi i parë kibernetik shkatërrues kundrejt Iranit.

Stuxnet ishte një virus kompjuterik (disa supozojnë se është krijuar dhe përhapur nga qeveria amerikane në bashkëpunim me qeverinë izraelite) i cili arriti te sabotojë fabrikën e pasurimit të Natanzit.

Në veçanti, virusi duhej të çaktivizonte centrifugat e uzinave të pasurimit.
Stuxnet krijoi dëme të shumta në vetëbesimin iranian dhe shënoi momentin e ngjitjes nga ana e IRI-t në fushën e kibernetikës.

Nga ai moment Republika Islamike e Iranit i është përgjigjur rregullisht sanksioneve ose provokimeve të perceptuara përmes fushatave sulmuese kibernetike.

Këtë bëri edhe në rastin e Shqipërisë, fajtore në sytë e tyre për strehimin që i bëjnë Mojahedinëve (MEK).

Mojahedinët janë ndër grupet opozitare të Republikës Islamike, më mirë të organizuar dhe më të mëdhenj, jashtë kufijve të Iranit.
Arabia Saudite, Holanda, Gjermania, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë zbuluar ndër vite sulme kibernetike të rëndësishme të kryer nga aktorë iranianë të kundër qeverisë, ushtrisë ose institucioneve të tyre shkencore.

Rreth 22 vende kanë pësuar dëme nga sulmet e ndryshme kibernetike në një hark kohor prej 10 vitesh.

Duhet thënë se të paktën 21 prej tyre nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim thelbësor kundër shtetit të huaj që është përgjegjës për sulmin, kështu që prerja e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me IRI-n sigurisht mund të listohet si një nga masat më të rrepta që janë marrë kundrejt një sulmi kibernetik.

Si do të reagojë Irani në lidhje me këtë?

Nga përgjigja që zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane bëri dje, reagimi më i sertë i drejtohet SHBA-ve.

Ndërsa për Qeverinë shqiptare thuhet se ky vendim i ndërmarrë është i pabazuar dhe i shërben vetëm komplotit amerikan dhe izraelit.
Përgjigja që i jepet SHBA-ve në këtë drejtim pa dyshim ka tone më të forta.

Përfaqësuesi i Ministrisë se jashtme i drejtohet duke thënë se akuzat e ngritura kundrejt Republikës Islamike janë “akuza pa bazë për t’i garantuar lirinë e veprimit MEK-ut, që veprojnë si spiunë të amerikanëve”.

Por kjo përgjigje njëkohësisht zbulon prapavijën politike të sulmit kibernetik që iu rezervua Shqipërisë.

Kjo e fundit nuk është vendi i parë që ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Izraeli i ndërpreu menjëherë pas fitores së Revolucionit islamik dhe pak muaj më vonë, në prill të 1980, i njëjtë vepruan edhe SHBA-të.
Kanadaja do të tërhiqte ambasadorin e saj në 2003 pasi Zahra Kazemi, një fotografe e pavarur me shtetësi të dyfishtë kanadeze-iraniane, vritet në paraburgim në Iran, në atë që Kanadaja e përshkruan si një vrasje e urdhëruar nga shteti.

Në 2012, pas muajsh bisedimesh gjithnjë e më të ashpra nga Otava, Kanadaja ndërpreu të gjitha marrëdhëniet, duke përmendur disa faktorë, përfshirë trajtimin e diplomatëve të huaj, mbështetjen e Iranit për Sirinë dhe kërcënimet e tij kundër Izraelit.

Në vitin 2016, Arabia Saudite ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në një përshkallëzim të tensioneve midis dy shteteve pas ekzekutimit të klerikut shiit saudit Sheikh Nimr al-Nimr.

Kleriku ishte në mesin e 47 personave të dënuar me vdekje në bazë të akuzës për vepra terrorizmi.

Veprimi i Arabisë Saudite ndiqet nga Bahrain, Sudani, Emiratet Arabe dhe Kuawiti. Dy të fundit i kanë rifilluar marrëdhëniet diplomatike gjatë këtij viti.

Vetë vendet e Bashkimit Evropian kanë episode të ndryshme kur kanë kërcënuar ose i kanë larguar ambasadorët për kohë të caktuara nga Teherani.

Ndodhi kështu në 1997, për shkak të një atentati në restorantin grek “Mikonos” në Berlin në 1992, ku mbetën të vrarë tre anëtarë të Partisë Kurde të Iranit.

Pas një gjyqi që zgjati 3 vjet e gjysmë, një gjykatë gjermane arriti në përfundimin se qeveria iraniane ishte “përfshirë drejtpërdrejt” në vrasjet e Berlinit.

Kryeprokurori federal, Kay Nehm, lëshoi një urdhër arresti për ministrin e Inteligjencës të Iranit në atë kohë, Ali Fallahian dhe tha se lideri suprem Ali Khamenei dhe presidenti i atëhershëm Ali Akbar Hashemi-Rafsanjani kishin dijeni për krimin.

Urdhra të tjera arresti u lëshuan për dy agjentë me bazë në Teheran të së njëjtës ministri.

Në reagim ndaj rastit, qeveritë e BE-së tërhoqën ambasadorët e tyre nga Teherani dhe hoqën dorë nga politika e tyre e “angazhimit konstruktiv” me regjimin islamik.

Në 2012, vendet e BE-së sërish kanë tërhequr ambasadorët dhe kërcënuan me sanksione të reja pas sulmit në ambasadën britanike të nëntorit 2011, në Teheran.

Por me Shqipërinë çfarë do të ndodhë?

Gazetat e Teheranit gjatë ditës së sotme risollën të gjitha deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Iranit me të njëjtin titull, shumë neutral.
Sulmet për momentin i drejtohen kryesisht SHBA-ve për referencën se Shqipëria është vend i NATO-s dhe mund të aktivizohet neni 5 i Aleancës Atlantike dhe më pas ndaj Britanisë së Madhe, ku ministri i ri i Jashtëm i sapoemëruar mori qëndrim kundër Republikës Islamike.

Gazetat pranë liderit suprem, Ayatollah Khamene-it si “Kayhan” apo pranë Ministrisë së Inteligjencës si “Mashregh” kanë botuar kursive të shkurtra satirike duke ironizuar përmasat e Shqipërisë dhe duke e krahasuar me një mushkonjë apo një frutë të vogël që e konsideron veten një ananas.

Asnjë kërcënim për momentin, as i drejtpërdrejtë dhe as indirekt nuk duket në horizont.

Por Irani di të presë, nuk është impulsiv dhe vendimet i merr me mendje të kthjellët.

Reagimi më i mundshëm i Teheranit mund të jetë financimi i radikalëve islamikë shqiptarë, kosovarë dhe malazezë për të krijuar probleme në Tiranë.

Ata mund të sulmojnë interesat e SHBA-ve dhe madje edhe të Britanisë së Madhe në Shqipëri në një formë demonstrative dhe jo serioze.

Natyrisht përgjegjësia për këto veprime në dukje mund t’i kalojë ndonjë grupi lokal.

Për sa i përket MEK-ut pa dyshim veprimtaria e spiunazhit do të vazhdojë. Po ashtu sikurse dhe veprimtaria e tij do të vazhdojë kundrejt Republikës Islamike.

A mori Shqipëria veprimin e duhur? Pa dyshim që po.

Në fund të fundit është një vend i vogël, me pothuaj asnjë interes në marrëdhëniet tregtare apo kulturore me IRI-n.

Përballë një sulmi të tillë përgjigja ishte e duhura.

Provë e kësaj është vetë reagimi nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jehns Stoltenberg.

“Dënoj fuqishëm sulmin e fundit kibernetik ndaj Shqipërisë, të cilin Tirana dhe aleatët e tjerë ia atribuojnë Iranit. NATO dhe ekspertët e aleatëve po ofrojnë mbështetje. NATO është e përkushtuar të vazhdojë të rrisë vigjilencën: për të penguar, mbrojtur kundër dhe kundërshtojë kërcënimet kibernetike”.

Rrëfimi ‘kibernetik’ – Irani pas tij?


Lajmet kryesore