Ç’ju shqetëson kaq shumë, kryebashkiak, te këto media të ashtuquajtura

Erion Veliaj, me aftësinë e tij të famshme për të aktruar si viktimë e gjithkujt, e bëri sërish atë që di më mirë: sulmoi mediat, opozitën dhe këdo tjetër që nuk i bie në gjunjë. Në deklaratën e tij t...
Vitjon Nina
Loading Icons...
test12

Ç’ju shqetëson kaq shumë, kryebashkiak, te këto media të ashtuquajtura

Vitjon Nina
Loading Icons...

Erion Veliaj, me aftësinë e tij të famshme për të aktruar si viktimë e gjithkujt, e bëri sërish atë që di më mirë: sulmoi mediat, opozitën dhe këdo tjetër që nuk i bie në gjunjë.

Në deklaratën e tij të fundit mbi hetimet e SPAK për pasuritë e familjarëve të tij, fillimisht ai bën sikur mirëpret drejtësinë, vetëm për të kaluar më pas në sulme të egra ndaj opozitës dhe, sigurisht, “të ashtuquajturave media”. Veliaj shkruan:

“Hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në korrupsion dhe të ‘ashtuquajturat media’, që luftojnë çdo zyrtar publik që nuk bie pre e shantazheve të tyre”.

Më falni, kryebashkiak, por a nuk jeni ju ai që ka përfituar nga “media me regji” për të ushqyer çdo ditë popullin me kronika të ndërtuara si reklama politike? A nuk janë këto mediat “pa Zot”, siç ju pëlqen t’i quani, që e kanë kthyer emisionin e lajmeve në një përsëritje të përditshme të kasetave tuaja të marketingut?

Por e vërteta del gjithmonë në dritë. Fakti që agjentët e BKH-së u panë te dera e galerisë suaj të artit apo që SPAK po heton pasuritë e familjarëve tuaj, nuk janë trillim mediatik. Ky është realiteti që përpiqeni me aq zell ta fshihni. Dhe ja ku jemi: “të ashtuquajturat media” e raportuan saktë.

Prokuroria e Posaçme e konfirmoi. Ndërkohë, portale të specializuara në glorifikimin e imazhit tuaj nxituan t’i mohonin këto lajme, duke u kthyer në avokatë të padenjë të pushtetit tuaj.

A është frika ajo që ju nxit të sulmoni mediat e pavarura? Apo ndoshta fakti që ato nuk pranojnë të jenë pjesë e regjisë tuaj? Nëse jeni aq “i hapur” ndaj hetimeve, siç pretendoni, përse nuk përballeni me to me qetësi, pa u hedhur si zakonisht në baltosjen e atyre që thjesht thonë të vërtetën?

Në fund, shqiptarët duhet të pyesin veten jo vetëm për korrupsionin që rrjedh nga zyrat tuaja, por edhe për heshtjen e disa mediave “të mëdha”, që nuk e kanë guximin të raportojnë lajme të tilla. Sepse, për ta, shpërblimet tuaja vlejnë më shumë sesa misioni i gazetarisë.

Dhe ja ku jemi: në vend që të flasim për korrupsionin, flasim për fyerjet tuaja. Kjo është strategjia juaj, dhe e themi me bindje dhe me shumë siguri!