Opinione / Politikë

Cili ligj sheriatik për Afganistanin


Deborah Scolart Studiuese e së drejtës myslimane dhe vendeve islame, Universiteti i Romës Tor Vergata

Në konferencën për shtyp pas rënies së Kabulit, talebanët u treguan të kujdesshëm të specifikojnë se “të drejtat e grave afgane do të garantohen sipas ligjit të sheriatit”. Kjo është një deklaratë interesante që ngre pyetjen se çfarë nënkuptojnë talebanët me ligjin e sheriatit.

Në fakt, në Afganistan, ligji i sheriatit ka mbetur gjithmonë në fuqi, që nga themelimi i shtetit, por është intensiteti i tij që ka ndryshuar, sepse, për shembull, ekziston një ndryshim i madh midis ligjit të sheriatit që zbatuan talebanët në vitet 1990 dhe atë që përmbahet në kodin civil, në kodin penal, në ligjet e familjes aktualisht në fuqi në vend.

Për më tepër, kushtetuta e vitit 2004, në afirmimin e parësisë së Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit, nuk lë mënjanë referencën ndaj sheriatit (Hanefi për Sunitët, xhafaritë për Shiitët) si një standard referimi për gjyqtarët në rast të një ngërçi të krijuar nga boshllëku legjislativ. Dhe, për të qenë të saktë, kjo dispozitë kushtetuese që i hap rrugë ligjit shiit, u përshëndet si një novacion shumë i rëndësishëm në historinë ligjore të Afganistanit, i cili deri në vitin 2004 ishte refraktar në njohjen e të drejtat të pakicave fetare (përfshirë ato islame) të pranishme në vend.

Në panoramën e vendeve islame, Republika Islamike e Afganistanit (2001-2021) renditet ndërmjet atyre konservatorë, më afër Pakistanit sesa Tunizisë ose Marokut.

Sidoqoftë, edhe përballë një sistemi që, për sa i përket marrëdhënieve familjare, e vendos gruan në një pozicion vartësie në lidhje me burrin që është ende kryetari i familjes, në këto njëzet vjet u bë e mundur për gratë afgane të arrihej një nivel i caktuar emancipimi.

Ato mundën të studionin, madje edhe në universitet. Mundën të kryenin profesione në kontakt me burra që nuk i përkisnin familjes dhe madje edhe me të huaj (mësuese, gazetare, aktiviste të të drejtave civile, mjeke, përkthyese). Mundën të merrnin pjesë në jetën politike të vendit të tyre, të kandidonin për zgjedhje administrative dhe politike, dhe të ushtronin të drejtën e tyre për të votuar.

Sigurisht, situata nuk ka qenë gjithmonë optimale, dhe nuk kanë munguar, as në këto njëzet vjet, kërcënime, madje sulme fatale dhe kundërshtime të forta nga ana e elementëve më konservatorë të shoqërisë afgane.

Tani, përballë talebanëve të shekullit 21, lind pyetja. Nëse është e nevojshme të theksohet se grave do t’u jepen të drejtat e parashikuara nga ligji i sheriatit, lind dyshimi që për talebanët sistemi ligjor afgan dhe kushtetuta aktualisht në fuqi nuk janë mjaft “islame” ose në përputhje me ligjin e sheriatit.

Në këtë kuptim, shpjegohet shumë mirë frika e shprehur ditët e fundit nga shumë gra, si ato më të ekspozuarat në nivel publik, ashtu edhe ato që, më thjesht, kanë frikë se mos e shohin veten të privuara nga të drejtat e deritanishme dhe të lidhura, siç ndodhi deri në vitet 1990, vetëm me sferën e brendshme të familjes, të konsideruara pak a shumë të nevojshme vetëm për lindjen e fëmijëve,  dhe të përjashtuara nga mundësia për të kontribuar në zhvillimin dhe mirëqenien e vendit.

Historia e talebanëve, dhe e lëvizjeve të tjera ultra-konservatore rreth botës islame, na mëson se miratimi i interpretimeve më konservatore, armiqësore ndaj grave dhe pakicave fetare, është funksional për të hartuar një model të shoqërisë që bëhet e lehtë për tu kontrolluar: me pretekstin e fesë, qindra mijëra njerëz janë privuar nga të drejtat dhe mundësitë në jetën shoqërore, pengohen emancipimi, pluralizmi politik dhe fetar, duke garantuar mbijetesën e regjimit i cili në këtë mënyrë nuk lejon të piqet e asnjë dialektikë apo kritikë.

Sheriati, i cili është ligj hyjnor, është zhvilluar nga njerëzit gjatë shekujve përmes fikh-ut, shkencës së ligjit. Njerëz pra, që do të thotë: të gabueshëm. Njerëz të cilët veprojnë në kontekste historike, gjeografike dhe politike dhe janë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve.

Miratimi i një modeli në vend të një tjetri, zgjedhja e ndjekjes së interpretimeve të ngurta dhe konservatore, refuzimi i vrojtimit dhe krahasimit me pjesën tjetër të botës islame dhe zgjidhjeve të miratuara atje, të cilat bëjnë të mundur kombinimin e respektit për vlerat dhe parimet islame me njohjen e hapësirës gjithnjë e më të madhe për gratë (nganjëherë dhe për pakicat fetare) është një çështje politike, jo një çështje fetare.

Nuk mund të thuhet se ligji i Sheriatit i talebanëve është tout court (krejtësisht) i gabuar, sepse (përveç disa teprimeve të pamundura për t’u justifikuar edhe në këndvështrimin e interpretimeve më të rënda) nuk është; Prandaj, në fakt, është e mundur të gjurmohen bazat e idesë së tyre të sheriatit në fikh-un e disa juristëve të së kaluarës.

Zgjedhja, megjithatë, është thjesht politike; ajo pasqyron modelin e shoqërisë që synohet të ndërtohet, marrëdhëniet e pushtetit midis atyre që mbajnë autoritetin dhe individëve që i nënshtrohen atij autoriteti. Dhe duke qenë një zgjedhje politike, ajo mund dhe duhet të vihet në diskutim, në çdo kohë, nga kushdo.

Mendoni për pyetjen – përgjigjur nga talebanët sërish në konferencën për shtyp – në lidhje me amnistinë për të gjithë ata që kanë punuar me institucionet e republikës islamike dhe me të huajt gjatë njëzet viteve të fundit. Amnisti? Për çfarë krimi? Në ligjin e sheriatit sigurisht që NUK ka asnjë fakt penal të zbatuar qoftë edhe distancë në kohë; e njëjta gjë vlen edhe për kodin penal.

Republika Islamike e Afganistanit ishte një shtet i njohur nga bashkësia ndërkombëtare me një qeveri legjitime: shërbimi ndaj shtetit dhe institucioneve të tij nuk mund të konsiderohet një veprimtari ilegale, për të cilën një person falet për shkak të dashamirësisë së talebanëve, të cilët dëshirojnë të akreditohen si të moderuar.

Kini kujdes, pra, sepse ne tashmë kemi dy tregues rreth idesë mbi sheriatin nga talebanët e shekullit 21, dhe kjo nuk premton asgjë të mirë për të ardhmen.


Lajmet kryesore