Opinione / Kolumnistët

Cila është diagnoza e një shoqërie të sëmurë


“Na ishte një vend që mbahej me të paligjshmen. Jo se i mungonin ligjet, as se sistemi politik nuk bazohej në parime që të gjithë pak a shumë thoshin se ishin dakord. Por ky sistem, i përhapur në një numër të madh qendrash pushteti kishte nevojë për mjete të mëdha financiare (kishte nevojë sepse kur mësohesh të kesh shumë para nuk je më në gjendje të konceptosh jetën në asnjë tjetër mënyrë) dhe këto mjete mund të posedoheshin vetëm në mënyrë të paligjshme domethënë duke i kërkuar nga ata që i kishin, në këmbim të favoreve të paligjshme”.

“Ose thënë ndryshe, kush mund të jepte para në këmbim të favoreve në përgjithësi ato para ai i kishte fituar përmes favoreve të marra më parë; kështu që rrjedhoja ishte një sistem ekonomik qarkullues dhe jo pa një harmoni të tij”.

Ky është një reflektim i “Apologut mbi ndershmërinë në vendin e të korruptuarve” i Italo Calvinos, një ese e shkurtër që lidhet plotësisht me temën e korrupsionit botuar në gazetën “La Repubblica” në Itali më 15 mars 1980.

Kështu Italo Calvino përshkroi në një përrallë – që përrallë nuk ishte, por një aludim tragjik për realitetin – situatën sociale të një vendi imagjinar të shënjuar nga korrupsioni.

Dhe nuk mund të mos më vinte në mendje këto kohë kur një nëpunëse e AKSHI-t trafikon drogë, nja pastruese vjedh shuma të mëdha dhe nuk hapet asnjë hetim për prejardhjen e tyre nga banesat e nëpunësit administrativ, kur Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë përfundon në pranga i akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me transferime fondesh publike, kur pret që SPAK të japë rezultatin e dëshiruar, kur në jetën e përditshme shpesh, shumë shpesh, takon njerëz të cilët të tregojnë episode korrupsioni të vogla a të mëdha qofshin.

Fenomeni i korrupsionit ka të bëjë me përdorimin e pushtetit, cilitdo pushtet dhe abuzimin e tij. Kur flasim për to mendojmë gjithnjë institucionet qeveritare, apo të administratës publike. Por nivelet nuk janë vetëm ato të lartat. Edhe në nivele më afër përditshmërisë ka situata më se të afta për të shënjuar jetën e zakonshme.

Kur një gjyqtar shet një dënim, kur një oficer policie vepron si kriminel ose hajdut, kur një mësues promovon për një sasi leku, kur një zyrtar publik promovon një punonjës i cili bashkëpunon me të në përfitime personale, kur një zyrtar publik i jep një tender apo projekt një kompanie në këmbim të një ryshfeti, kur një mjek (cilido qoftë ky, edhe ai i familjes) favorizon një pacient në këmbim të parave, kur krerët e shteteve shesin burimet e vendit të tyre në këmbim të mbështetjes për pushtetin që kanë dhe duke përvetësuar një pjesë të tij, në të gjitha këto raste mund të flasim për dukuri korruptive nga më të ndryshmet.

Korrupsioni shkon edhe më tej. Ai merr edhe formën e një rekomandimi për përshpejtim praktike, kapërcen pengesat për të cilat dikush ndoshta do të refuzohej, hap dyer që përndryshe mund të mbeteshin të mbyllura. Por ama, kështu mund të gjenerojë edhe detyrimin për të kthyer favorin në një formë tjetër.

Kështu krijohet një zinxhir shkëmbimesh e favoresh dhe në një moment të caktuar bëhet e vështirë të ndash kufirin midis të ligjshmes dhe të paligjshmes.

Korrupsioni ka fytyrën e një sistemi në të cilin mekanizmi i indiferencës dhe heshtjes ka disa aspekte të ngjashme me atë të mafies. Njerëzit ose pa dashur ose pse të dobët e në vështirësi bëhen bashkëpunëtorë të interesave që mund të ndërthuren. Një proces i nëndheshëm ku më i dobëti pa e kuptuar skllavërohet dhe dobësohet akoma më shumë, paçka se atij vetja i duket më i fortë.

Heshtja mund të jetë pasojë e frikës pikërisht nga dobësia në të cilën ndodhet, por edhe rezultat i natyrës dypalëshe të vetë korrupsionit, i cili sheh një lidhje të vazhdueshme midis korruptuesit dhe të korruptuarit.

Efektet nuk ndihen, por dëmet janë aty. Janë në shkatërrimin e lidhjeve sociale, të solidaritetit real mes njerëzve duke nxitur atë mes atyre që përfitojnë, në dobësimin e vlerave, të strukturave ekonomike, të jetës politike, të besimit në ligj dhe institucione, duke e bërë të dobëtin gjithnjë e më të dobët dhe të fortin gjithnjë e më të fortë.

Kultura sociale, ajo që mbizotëron te të gjithë qytetarët dhe kultura politike, ajo që mbizotëron te politikanët dhe administratorët, janë të lidhura ngushtë. Qytetarët ankohen për politikanët, por këta të fundit janë padyshim një shprehje e shoqërisë në të cilën jetojmë, në tërësi.

Është shprehje e atyre dukurive të një niveli të ulët të korrupsionit, por që homogjenizon sjelljen e një shoqërie të tërë dhe të bërin e politikës.

Ata me më shumë pushtet mund të bëjnë më shumë dëm dhe më shumë dobi në shoqëri sesa ata me më pak ose aspak pushtet. Një klasë liderësh të korruptuar rrit korrupsionin në jetën e përditshme të secilit, duke e bërë atë më “normale”, të pranueshme, më të dukshme.

Dhe ky është një ndërveprim i dyanshëm. Qytetari që pranon dhe gjen një jetë shoqërore pa rregulla morale dhe civile normale përshtatet dhe do të votojë për politikanë dhe parti më të gatshme për të toleruar dhe praktikuar korrupsionin.

Shpesh thuhet se korrupsioni është kudo në politikë, është një fenomen endemik. Është më se e vërtetë! Shoqëritë në të gjitha vendet udhëhiqen nga politikat. Por dallimi qëndron te sasia dhe toleranca ndaj korrupsionit. Në disa vende korrupsioni është i rastësishëm, diku tjetër është një fakt që karakterizon dhe kushtëzon të gjithë ekonominë dhe jetën, ku ndikimi i tij, infiltrimi dhe bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe shtetit, në formën e korrupsionit politik merr një karakter sistemik.

Atëherë korrupsioni kthehet në fenomen patologjik me implikime sistematike në sistem, kosto që nuk mund të maten në terma ekonomikë, që kanë të bëjnë me vlerat themelore për ruajtjen e rendit demokratik si barazia, transparenca e mekanizmave vendimmarrës, besimi në institucionet, funksionimi i institucioneve publike.

Na duhet dikush që të na përcaktojë diagnozën tonë.


Lajmet kryesore