Brenda diskursit mbi përkujtimin e përjetimeve të konfliktit: Muzeu i fëmijëve të luftës

Në dekadat e fundit, muzetë historik dhe institucionet e tjera të trashëgimisë kanë zënë vend të rëndësishëm si lokacione të negocimit të narrativeve historike – rrjedhojë kjo e një kthimi kolektiv te...
Bjeshkë Guri, Lira Blakaj
Loading Icons...
test12

Brenda diskursit mbi përkujtimin e përjetimeve të konfliktit: Muzeu i fëmijëve të luftës

Bjeshkë Guri, Lira Blakaj
Loading Icons...

Në dekadat e fundit, muzetë historik dhe institucionet e tjera të trashëgimisë kanë zënë vend të rëndësishëm si lokacione të negocimit të narrativeve historike – rrjedhojë kjo e një kthimi kolektiv te kujtesa. Pjesë e këtyre zhvillimeve janë bërë edhe muzetë e luftës, një format muzeor ky, zhvillimi dhe evolucioni i të cilit ka sjellë shumë debate dhe pikëpyetje rreth çështjeve të reprezentimit.

Perspektiva dhe reprezentimi antagonistik janë një modalitet etiko-politik i të kujtuarit, në të cilin peshë e madhe u jepet kategorive morale të “të mirës” dhe “të keqes”, dhe këto terme aplikohen tek aktorë dhe agjentë specifikë, që rëndom marrin rolet e “heroit” dhe “të keqit” të historisë.

Në këtë perspektivë, hapësirën kryesore dhe të vetme e zënë makro-narrativet, të cilat vendosin për një mënyrë të kujtuari për të gjithë. Në këtë logjikë dokumentimi të konfliktit dhe të luftës, ekspozitat zakonisht përjashtojnë çdo perspektivë tjetër që nuk i shërben narratives kryesore institucionale, e cila sillet rreth glorifikimit ose viktimizimit të palëve të përfshira në konflikt.

Kur narrativet për historinë e konflikteve përmbajnë në dukje identitete diametralisht të kundërta, kujtesa kontestohet dhe e kaluara sfidohet përtej vërtetësisë subjektive të përjetimeve. Kjo kritikë po sjell një perspektivë tjetër të praktikës muzeore.

Kjo qasje refuzon kategoritë morale dhe synon të kontekstualizojë konfliktin, duke shkuar përtej reprezentimit antagonistik dhe duke u thelluar në mënyrat se si mund te i kuptojmë kostot e konfliktit prej një prizmi shumëdimensional dhe shumëpërspektivor.

Muzeu i Fëmijëve të Luftës synon të formësojë ekspozitën e vet duke u përshtatur me këtë modalitet të dokumentimit të kujtesës kolektive. Duke u bërë pjesë e një nisme të dokumentimit të përjetimeve të fëmijëve në kontekste të konfliktit të armatosur, Muzeu i Fëmijëve të Luftës në Kosovë synon të nxjerrë në pah, përmes rrëfimeve të përvojave të fëmijëve, kushtet shoqërore dhe politike, e nëpërmjet tyre të kontestoje pabarazitë, marginalizimin e grupeve shoqërore, të shtyjë promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe përfshirjen sa më të madhe të të gjithë personave që në luftën e fundit në Kosovë ishin të moshës fëmijërore.

Muzeu i Fëmijëve të Luftës në Kosovë është ndër të paktët muze në botë të konceptuar që të dokumentojnë përjetimet e fëmijërisë të luftës. Homologu i tij, dhe muzeu i parë i këtij formati, Muzeu i Fëmijërisë së Luftës në Bosnjë, është një prej nismave që ka vënë një frymë të re në muzeologji, dhe siç thuhet përmes kësaj nisme, një muze i fëmijërisë së luftës nuk do të ishte i mundshëm në asnjë shekull paraprak, për shkak të fokusit shpeshherë “kundërintuitiv” që ky muze ka në krahasim me modelin tradicional.

Koncepti, i cili fokusohet në tri pika kyçe: 1) fokusi në komunitet; 2) parimi i integritetit dhe i barazisë në reprezentim; si dhe 3) qasja gjithëpërfshirëse panhumane janë pika që kanë shërbyer si udhërrëfyes në konceptimin kuratorial të këtij muzeu në Kosovë.

Ekspozita ‘Loja e ndërprerë’: Një udhërrëfyes

Në luftën e fundit në Kosovë u vranë 1 mijë e 24 fëmijë ndërsa edhe 109 fëmijë të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur. Lufta nuk ndërpreu vetëm jetë të pafajshme. Shumë fëmijëve që mbijetuan, përjetimi traumatik i luftës u shkaktoi një ndërprerje simbolike të fëmijërisë.

Përballja me luftën krijoi një disonancë mes nevojës për t’u rritur në siguri, kapacitetit për t’i procesuar ngjarjet dhe përjetimet përtej aftësive të tyre emocionale, si dhe nevojës për adaptim e rritje të parakohshme në kushte lufte.

Koncepti i ekspozitës dhe emërtimi i saj me titullin ‘Loja e ndërprerë’ u frymëzuan natyrshëm nga dhjetëra rrëfime të personave që gjatë luftës në Kosovë kanë qenë fëmijë. Si akt kreativ dhe nevojë zhvillimore, loja është kujtim tek i cili individët rikthehen gjithmonë.

Loja mundëson ikjen mendore nga realiteti dhe, në të njëjtën kohë, triumfon mbi dhunën e luftën, duke ofruar hapësira në të cilat kreativiteti fiton mbi frikën dhe pasigurinë.

Ekspozita e Muzeut të Fëmijëve të Luftës në Kosovë na shpalos një rrugëtim në kohën e luftës, në të cilën rrëfimet na dërgojnë te fshehja, ikja dhe migrimi nën kushte ekstreme, te kampet e refugjatëve, përballja traumatike me humbjen dhe vdekjen, kthimi në shtëpitë e djegura, liria dhe kaosi që e pasoi.

Ekspozita është kuruar që të jetë multivokale, ashtu që secili të flasë prej pozitës së vet shoqërore dhe kontekstit historik, pa injoruar ndonjë narrative kuratoriale që theksin e vë mbi antagonizmin e përvojave. Nëpërmjet rrëfimeve të përvojave të fëmijërisë, ekspozita synon të kontestojë pabarazitë, marginalizimin e grupeve shoqërore, si dhe të përfshijë sa më shumë perspektiva.

Të gjitha përjetimet në këtë ekspozitë janë pjesë e historisë së luftës. Të gjitha artefaktet janë tregues të përvojave personale.

Autoret janë pjesë e ekipit kuratorial për krijimin e ekspozitës të Muzeut të Fëmijëve të Luftës.