Opinione / Editoriale

Beteja në PD: Do të ndryshojë gjithçka, apo asgjë nuk ndryshon?


Gerta Zaimi Kryeredaktore e Albanian Post

Beteja e vazhdueshme brenda Partisë Demokratike ka sigurisht një rëndësi historike për jetën politike shqiptare.

Së pari, sepse nëse rezultati është disfata e babait padron të PD-së, Sali Berishës, kjo do të jetë dalja nga skena politike e njeriut të fundit në majat e politikës shqiptare, i cili ka qenë pjesë e aparatit të regjimit të Enver Hoxhës.

Do të jetë gjithashtu fundi (ose zvogëlimi ekstrem) i një pushteti politiko-ekonomik, që ka kushtëzuar shoqërinë shqiptare prej tridhjetë vjetësh.

Gjithashtu, humbja eventuale e Berishës, ngre një sërë pyetjesh për të ardhmen e politikës shqiptare.

Nuk kemi, ose nuk kam, dijeni për atë që realisht po ndodh brenda selisë blu.

Pavarësisht dhunës së përplasjes së vazhdueshme mes palëve Berishë dhe Bashë, anëtarët e partisë respektojnë heshtjen më të rreptë. Në thelb ka një mungesë informacioni për atë që ndodh brenda, për atë që palët dinë dhe përdorin kundër njëri-tjetrit dhe dinamikave, gjë që është e paimagjinueshme në kronikat e çdo vendi demokratik.

Prandaj, mbi çka ndodh, ka vetëm disa pyetje teorike vetvetes.

Nëse fiton pala e Bashës, nga ana tjetër, çfarë do të ndryshojë në Partinë Demokratike? Cilët janë ata, të cilët do të marrin në dorë partinë dhe çfarë interesash do të përfaqësojnë?

A do të jetë Basha kreu i ardhshëm i partisë, apo do të dalë i dërrmuar nga trauma e shkëputjes me themeluesin, viktimë e dhunës së konfliktit të brendshëm? Dhe vendin e tij, mund ta marrë dikush tjetër brenda partisë!

Boll të kujtojmë se çfarë ndodhi me Michail Gorbachev-in në Rusi, pas Perestrojkës ose me Achille Occhetto në Itali, pas kthesës postkomuniste të Partisë Komuniste Italiane.

Gjithnjë në rastin e fitores nga ana e tij, përballja, nuk do të ishte direkte me Berishën, por me një ekzaminim real të politikanit Basha.

I lindur dhe i rritur politikisht nën hijen e “kumbarit”, tashmë do t’i duhet të provojë cilësitë e tij.

Por, kush është Basha?

A është në gjendje ai të drejtojë një nga partitë kryesore shqiptare? Ka ai lidershipin që do t’i duhej një PD-je të re pas një traume të fortë të thuajse një dekade, me katër palë zgjedhje të humbura mes parlamentarësh e lokalesh?

Fuqizimi i vërtetë i Bashës, në fakt, ka ardhur menjëherë pas mbështetjes së hapur publike, që i solli ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, pas shpalljes së Berishës si non grata nga Departamenti i Shtetit.

Deri diku, duket sikur Basha ka kaluar nga tutela e Berishës në atë të ambasadores amerikane.

Kjo gjë lë shteg për të rikthyer në mendje një pyetje thelbësore: Cili është personaliteti i tij, stili i tij dhe cilat janë synimet e tija politike?

Këto janë pyetje që duhet t’i bëjë vetes edhe kundërshtari i tij i jashtëm (dhe në kushte normale i vetëm), kryeministri Edi Rama, sepse në Shqipëri ka një dypolarizëm thelbësor dhe dy skajet kundërshtare kushtëzojnë njëra-tjetrën.

Në Itali fjala bie, dalja e Silvio Berlusconit në politikë çoi në shfaqjen e një modeli politik liderist dhe një gjuhe politike populiste, që në fakt ka kushtëzuar edhe kundërshtarët e tij, duke çuar në lindjen e të ashtuquajturës Republikë e Dytë: një mënyrë e re e bërjes politikë.

Partia Demokratike e post-Berishës mund të braktiste dhunën (jo vetëm verbale) që ka karakterizuar stilin e saj nën doktorin, mund të rifutet në lojën demokratike, të fillojë të bëjë politikë duke u ndeshur me kundërshtarët në konkretizimin e çështjeve dhe vendimeve të Qeverisë.

Do të ishte një revolucion, që gjithashtu do ta detyronte kryeministrin aktual, Edi Ramën, të braktiste liderizmin e shfrenuar, që mungesa e një opozite të besueshme e ka lejuar të shtrihet në mënyrë dramatike, duke e detyruar kështu të përballet me kundërshtarin për çështje konkrete, dhe jo vetëm debate e fyerje personale, që pak kanë të bëjnë me problemet reale të vendit.

Gjithsesi, nuk dihet nëse Basha do ta fitojë betejën dhe a do të jetë ai kreu i një Partie të re Demokratike! Mbi të gjitha, nëse po, a dëshiron dhe a do të jetë në gjendje ta menaxhojë këtë revolucion?

Apo gjithçka do të ndryshojë vetëm në pamje për të lënë çfarëdo tjetër ashtu siç ishte?

Këtë do ta shohim. Por, një gjë është më se e sigurt: Loja (e luajtur me dyer të mbyllura) është emocionuese.


Lajmet kryesore