Opinione / Politikë

Berisha me rezolutën: Kur do të jesh më katolik se Papa


Bordi Editorial i Albanian Post

Një rezolutë “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”, e dorëzuar në Parlamentin e Shqipërisë nga deputeti demokrat Tritan Shehu, nuk është lejuar nga mazhoranca e vendit për t’u futur në agjendën tre-javore të punimeve të Kuvendit.

Arsyeja mbi këtë votë “kundër”, është fakti se rezolutën e ka ideuar ish-presidenti dhe kryeministri, Sali Berisha.

Në pamje të parë në fakt, vendimi i socialistëve nuk bën shumë sens, por në kontekstin historik, ai është madje edhe i arsyetuar.

Në vitin e largët 1995, kur Berisha ishte president, administrata e kreut të Shtëpisë së Bardhë, Bill Clinton, po mendonte seriozisht të sillte në Tiranë një notë diplomatike, pasi Berisha kishte marrë vendimin që të hiqte embargon e karburantit për Serbinë, duke e lejuar kështu furnizimin e serbëve me naftë të vlefshme për veprimet e tyre çnjerëzore në luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku Srebrenica ishte veçse një fetë torte (jo e vogël) e horrorit serb, i cili më pas pasoi edhe në Kosovë.

Praktikisht 27 vite më pas, pikërisht ky njeri, i cili hoqi embargon, po kërkon të vendosë një rezolutë njohjeje të gjenocidit!

Një riciklim të tillë politik të tillë në fakt, Berisha e arriti me sukses në vitin 2005, kur pasi ishte akuzuar nga gjithë shqiptarët për një vjedhje masive me anë të skemave piramidale, u kthye me sloganin “Me duar të pastra” për të fituar pushtetin.

Këtë herë gjithsesi, Berisha nuk ka si të thotë se i ka duart e pastra, sado t’i shpëlajë ato me pretekstin se “Kosova na qenkësh dëmtuar prej embargos dhe ndaj duhej hequr” (Kosova ishte pjesë e Serbisë në ato vite).

Për këtë arsye, “katran” e bëri edhe kryeministri Edi Rama me retorikën e tij, duke ja vënë në dukje këtë përpjekje për t’u risjellë si shpëtimtar i shpirtrave të humbur.

Vetëm se socialistët ranë në “grackën” lehtësisht të lexueshme të Berishës.

Me moslënien e kalimit në agjendën e Parlamentit të saj, në sytë e një opinioni të painformuar, Edi Rama është “i keqi që nuk njeh aktet gjenocidale serbe”.

Në këto kushte, veçse një zgjedhje e zgjidhje i mbetet: Të bëjë vetë një rezolutë të tillë e ta paraqesë në Parlament.

Aty do të shohim se sa katolik është Berisha, me votën e tij…


Lajmet kryesore