Huqi është zakonisht jetëgjatë dhe bashkëjeton me njeriun, por mund ta pikasësh edhe në hapësira të shkurtra kohore.
I tillë ishte ai i opozitës parlamentare në Shqipëri.
Duke iu përgjigjur videomesazhit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama kujtoi se si kauza dhe solidariteti ndaj Ukrainës ka qenë nga të paktat herë kur palët kanë qenë të bashkuara në politikën shqiptare.
“Ky parlament që sot ka nderin të mblidhet t’ju dëgjojë, nuk shquhet për shpirtin e dakordësisë mes palëve”, pikënisi fjalimin kreu i qeverisë.
“Mbështetja e rezistencës ukrainase ndaj pushtuesve rusë, është një nga ato raste, edhe më të rralla, kur të gjithë, kanë qenë dakord pa bërë as më të voglin diskutim”, do të vijonte Kryeministri.
Deklarata u prit me duartrokitje, por çuditërisht vetëm nga tryezat e deputetëve socialistë.
Opozita, jo vetëm që e shpërfilli plotësisht këtë pretendim krenarie, por shumë prej deputetëve nuk e dëgjuan fare fjalimin e Ramës, të tjerë hidhnin sytë nga telefonat, si ish-kryetari Basha apo kryetari i mandatuar Alibeaj, Berisha nga tableta e tij elektronike e shumë madje përpiqeshin të gjenin diçka ku të hidhnin sytë si deputeti Agron Shehaj.
Këtu, në Shqipëri, bashkimi kombëtar u ngjan pak lojërave magjike: edhe kur është aty, nuk shihet.
Fatkeqësisht, kur krenaria kombëtare vjen pas asaj personale apo partiake, rruga për t’u bërë një komb i pranuar dhe i respektuar është ende e gjatë.