Në historikun e kombit shqiptar ideja e bashkimit kombëtar simbolizon përpjekjet qindra vjeçare, por për arsye pragmatike që u determinuan nga zhvillimet gjeopolitike, ku shqiptarët nuk ishin fare faktorë, ka bërë që në periudha të caktuara kjo ide të rimodelohet dhe ta krijojë një realitet tjetër; atë të dy shteteve – Shqipëri dhe Kosovë, që nëse analizohen rrethanat ka qenë më realisti dhe ndoshta i duhuri.
Por, përkundër gjendjes faktike që aktualisht ekziston, ideja e bashkimit kombëtar vazhdon që të mbetet një nga aspiratat më të fuqishme të të dyja popullsive që flasin një gjuhë, qe kanë të njëjtën traditë e të njëjtat zakone, e të njëjtën histori. Si e tillë, kjo simbolizon një ideal shekullor dhe një përpjekje për të tejkaluar kufijtë artificialë. Kjo nënkupton dëshirën për jetuar në një shtet të vetëm, por përveç kësaj ka arsyeje të tjera se pse bashkimi kombëtar duhet të jetësohet.
Duke i bërë një skanim gjendjes aktuale se ku gjenden të dyja shtetet në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm, posaçërisht Kosova, bashkimi kombëtar është një interes tejet strategjik që ndikon pozitivisht në të gjitha sferat e jetës – më shumë se sa një ideal, koncept romantik e emocional apo nacionalizëm, siç mund të përshkruhet nga shumë njerëz që për arsye të ndryshme kundërshtojnë këtë ide.
Në një botë ku pasiguria është në rritje dhe rreziqet që ekzistojnë për shtetet, e që domosdoshmërisht i afektojnë edhe shqiptarët – normalisht jo për shkak të tyre, por për arsye të pretendimeve malinje të fqinjëve dhe jo vetëm – bashkimi kombëtar është një domosdoshmëri që mbështetet në përfitime të dyanshme për shqiptarët e të dyja shteteve.
Vetë përpjekja e shqiptarëve për bashkim kombëtar ishte një vagon i pashkëputshëm zhvillimesh, por janë disa data dhe momente që e diktuan trajektoren qe çoi në një realitet tjetër, atë që sot e kemi: një komb, dy shtete.
Kontekst i shkurtër historik
Par shkak se ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane për një periudhë 500-vjeçare, ndarja e trojeve shqiptare nuk ishte temë, si tërësi kontrolloheshin nga osmanët.
Kur filluan përpjekjet për t’u çliruar nga zgjedha osmane, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (10 qershor 1878) koncepti më i qartë dhe serioz në këtë drejtim si në aspektin politik ashtu edhe në atë ushtarak, nuk kishte fare pikëpyetje se cilat troje do të çliroheshin, tërësia ishte ideja.
Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale në kuadër të mundësive modeste që kishte, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e pafuqishme që të ndalonte vendimet e fuqive të kohës – asnjërën nuk e kishte mbështetëse – të cilat shfrytëzuan trojet shqiptare si një “karotë” për të kënaqur ambiciet e fqinjëve të shqiptarëve.
Pra, Kongresi i Berlinit as që i mori parasysh kërkesat e shqiptarëve, përkundrazi i ndau trojet e tyre për Serbinë, Malin e Zi e Greqinë, ndërsa pjesën e mbetur e la nën administrimin e Perandorisë Osmane.
Përkundër kësaj, përpjekja e shqiptarëve për çlirim dhe pavarësim të plotë të territoreve nuk ndaloi. Kjo kauzë u ndoq edhe gjatë kryengritjes së përgjithshme të 1912, e cila kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor. Mëvetësia e shpallur nga Ismail Qemali përshinte të gjitha trojet shqiptare.
Por, kjo nuk do të pranohej. Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), e organizuar pas përfundimit të Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913), me qëllim rregullimin e kufijve në Ballkan dhe menaxhimin e çështjeve të hapura që dolën nga shpërbërja e territoreve të Perandorisë Osmane në rajon, mori një vendim ndryshe nga seç prisnin shqiptarët.
Është ngjarja e cila determinoi historinë e Kosovës si një territor i cili deri në atë periudhë ishte pjesë e pandashme e trojeve shqiptare. Lënia e Kosovës jashtë shtetit shqiptar (Kosova iu dha Serbisë si rezultat i fitores së Luftës I Ballkanike) ishte fillesa e një përpjekje për ribashkimin shqiptar.
Përderisa shteti shqiptar, apo siç njihet Shqipëria londineze, po bënte përpjekjet e saj për konsolidim të brendshëm – që do ta arrinte më shumë vështirësi vetëm pas Luftës së Parë Botërore, në Kongresin e Lushnjës (janar 1920) – shqiptarët e Kosovës nuk do të ndalnin organizimet e tyre për ribashkim me trungun etnik, siç ishte “Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” – e drejtuar nga Hoxhë Kadri Prishtina – që kishte për qëllim, ndër të tjera, çlirimin dhe bashkimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare me Shqipërinë.
Por, kjo lëvizje, si edhe shumë të tjera, nuk arriti që të realizojë atë kishte në planprogram. Pjesëtarët kryesorë të kësaj lëvizje aktivitetin e tyre do të përpiqeshin që ta vazhdonin përmes qeverisë së Shqipërisë, pasi që dy akterët kryesorë të lëvizjes si Hasan Prishtina dhe Hoxë Kadri Prishtina, u bën pjesë e ekzekutivit të Sylejman Delvinës, i dalë nga Kongresi i Lushnjës. Përsëri pa sukses.
Në periudhën mes dy luftërave botërore, në kohën kur Shqipëria po udhëhiqej nga Ahmet Zogu, fillimisht si kryeministër, më pas si President dhe në fund si Mbret, për shkak të pafuqisë dhe pozitës në të cilën gjendej shteti shqiptar, nuk pati ndonjë lëvizje serioze për bashkimin me Kosovën, qytetarët e së cilës po përballeshin me represion të vazhdueshëm nga pushtuesi jugosllav (fillimisht mbretëria serbo-kroato-slloven).
Lufta e Dytë Botërore do të sillte për shqiptarët një bashkim të përkohshëm. Kjo nën kontrollin e Italisë fashiste dhe më vonë Gjermanisë naziste, por që në përfundim të luftës (1945), gjendja për shqiptarët përsëri do të ishte e njëjtë si para fillimit; të ndarë.
Fatin e Shqipërisë do të merrnin komunistët më në krye Enver Hoxhën, ndërsa Kosova mbeti nën sundimin e Jugosllavisë së Josip Broz Titos, i cili do të përdorte dhunë sistematike ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke ua mohuar të gjitha të drejtat e tyre, në përpjekje për t’i asimiluar.
Gjatë periudhës së sundimit të Jugosllavisë, të gjitha organizimet e patriotëve shqiptarë të Kosovës – përjashto ata shqiptarë që u bënë kolaboracionistë me pushtetin e Titos – ishin në funksion të bashkimit me Shqipërinë, ndonëse regjimi komunist i shtetit shqiptar nuk u dha përkrahje, madje në disa raste edhe i luftoi.
Kur në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar po krijohej një realitet i ri, në Shqipëri po binte sistemi komunist, ndërsa shpërbërja e Jugosllavisë kishte filluar, përpjekjet e shqiptarëve për të shfrytëzuar momentumin për të arritur aspiratat e tyre, posaçërisht në Kosovë, kishin filluar.
Të gjitha lëvizjet patriotike të krijuara në Kosovë kishin një qëllim: çlirimin dhe bashkimin me Shqipërinë. Në këtë linjë nuk ishte partia më e madhe në atë kohë, Lidhja Demokratike e Kosovës. Jo për shkak se nuk e përkrahnin këtë ide, por se realizimi i saj dukej i pamundur. Dhe kjo më së miri mund të kuptohet nga lideri i asaj kohe i LDK-së, Ibrahim Rugova, i cili do të deklaronte në vitet e 90-ta se “Pavarësia e Kosovës është kompromis”.
Ndryshe nga LDK mendonte Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), e cila krijoi edhe krahun e saj ushtarak, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila edhe në betimin e saj e kishte bashkimin me Shqipërinë.
Si rezultat përfundimtar, lëvizja për çlirimin e Kosovës përmes rrymave të ndryshme, kulmoi me ndërhyrjen e NATO-s mbi çarqet ushtarake jugosllave, të cilat nën urdhrin e Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, po kryenin krime dhe masakra ndaj popullsisë civile.
Në vazhdën e kësaj, 17 shkurti i 2008-së do të sillte një realitete të ri në terren, më të mirin në histori të shqiptarëve, krijimin e një shteti tjetër shqiptar, pavarësinë e Kosovës, ndonëse jo atë që pjesa më e madhe e kishin dëshiruar; bashkimin me Shqipërinë.
Por, përkundër këtij realiteti të krijuar, në kushtet aktuale, është gabim që bashkimi kombëtar të shihet vetëm si një ideal historik, por si një strategji që duhet të arrihet për shkak se do të krijojë zhvillim ekonomik, fuqizim dhe mbrojtje të identitetit kombëtar.
Sfidat dhe përparësitë e bashkimit
Bashkimi i dy shteteve shqiptare domosdoshmërisht mund të përcjellët me sfida, duke filluar prej aspektit politik, ekonomik, social dhe atij kulturor. Dëshirojmë ta pranojmë apo jo, ndarja politike, ka krijuar edhe kufij te sferave të ndryshme duke përmendur këtu edhe atë kulturor. Kjo ka bërë që të krijohen mentalitete dhe qëndrime të ndryshme për shkak të fateve historike.
Duke u bazuar në shembujt e së kaluarës, procesi i bashkimit duhet të kalojë nëpër shumë procese të afirmimit, e më i rëndësishmi ndër to është njohja e sovranitetit nga shtetet e tjera. Kjo nënkupton se pa mbështetjen ndërkombëtare, ideja për bashkim është vetëm një iluzion.
Bashkimi kombëtar mund të rihap shumë negocime të marrëveshjeve bilaterale dhe trelaterale, marrëveshje tregtare dhe aleanca. Për më tepër mund të çoj edhe në tensione me shtetet e tjera, për faktin se kjo gjë do të shkaktonte prishje të balancave të fuqive rajonale. Duke shtuar faktin se ky veprim mund të krijojë edhe precedent, gjë që mund të shkaktojë stimulim për shtetet e tjera apo edhe për popuj të ndryshëm që të bashkohen me shtetet e tyre amë. Ky precedent mund të krijojë rrethana të paparashikushme për kontekstin politik rajonal.
Sa i përket aspektit ekonomik nuk do të ishte edhe aq i vështirë për shkak të sistemeve të njëjta ekonomike që kanë të dyja shtetet. Duke shtuar faktin këtu që procesi i integrimit është kontinuiv prej shumë viteve. Harmonizimi i politikave mund të rritë produktivitetin e përgjithshëm, po ashtu edhe konkurrencën mes tyre.
Aspekti i sigurisë është njëri prej elementeve që garanton stabilitet të jashtëm dhe të brendshëm. Bashkimi me Shqipërinë, Kosovës do t’i jepte sigurinë e kërkuar, atë që aktualisht e ka sfidën më të madhe. Kjo për faktin se Shqipëria është pjesë e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s, megjithëse mund të krijohej një situatë ku ky status do të mund të rishikohej.
Megjithatë, ekziston precedenti se në rast të bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, kjo e fundit nuk do të humbiste, apo rinegocionte pozicionin e saj në Aleancë. Si shembull mund të merret Gjermania e Bashkuar. Deri në bashkimin e plotë, vetëm Gjermania Perëndimore ishte pjesë e NATO-s, ndërsa Gjermania Lindore jo, për më tepër kjo e fundit kishte qenë edhe pjesë e Traktatit të Varshavës, por kur u bë bashkimi, Gjermania ishte pjesë e NATO-s si tërësi.
Bashkimi i dy Gjermanive mund të merret edhe si shembull klasik për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Procesi ishte i suksesshëm falë mbështetjes së fortë nga liderët gjermanë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Përveç kësaj, me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, kapacitetet për siguri dhe mbrojtje do të dyfishoheshin.
Përkundër kompleksitetit, procesi i bashkimit mund të ofrojë një mundësi për të forcuar sigurinë e këtyre dy shteteve respektive. Kjo mund të bëhet, gjithmonë nëse riafirmohen të drejtat e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare, që si rezultat do të sjellin forcim të sigurisë së kufijve, përmirësim të infrastrukturës së sigurisë, do të rriteshin kapacitetet ushtarake etj.
Edhe pse mund të ketë disponimi politik dhe ekonomik për bashkim, mund edhe të ekzistojë një hezitim, kjo për shkak të margjinalizimit deri dikund të theksuar që është krijuar në mes të dy popullsive.
Duke u bazuar në diskutimet dhe debatet që kanë marrë vëmendjen shpeshherë, ka qenë e lehtë të vërehet një skepticizëm tek një pjesë e caktuar e njerëzve për një gjë të tillë. Margjinalizimi mund të shërbejë si një pengesë e frikshme. E gjithë kjo narrativë është krijuar nga përvojat që të dy popullsitë e shteteve respektive kanë pasur me njëra tjetrën. Lirshëm mund thuhet që të gjitha këto ndarje nuk kanë ndodhur për arsye pragmatike apo identitare, mirëpo më shumë për arsye personale, që pastaj si pasojë kanë krijuar një narrativë që dominon shpeshherë studiot televizive.
Ky aspekt mund të jetë i tejkalueshëm në qoftë se, udhëheqësit dhe institucionet punojnë fuqishëm për t’i bindur ata se bashkimi nuk do ta mënjanojë asnjë grup, rajon, apo grup të caktuar, dhe se shpërndarja do të jetë e barabartë, dhe kështu besimi mund të ndërtohet gradualisht.
Përkundër që kombi gjendet në një udhëkryq historik, për shkak të status-quos dhe kufizimeve, duhet pasur parasysh që nëse bashkimi ndodhë diçka më e madhe na pret – bashkimi, fuqia dhe prosperiteti. Kjo nuk ka të bëjë me kufijtë ose qeveritë, mirëpo me të ardhmen që dëshirojmë të ndërtojmë për fëmijët dhe gjeneratat e ardhshme. Më shumë se sa për bashkim kemi të bëjmë me dinjitetin dhe identitetin tonë.
Për ta thjeshtëzuar: bashkimi nënkupton se më nuk do të kemi nevojë të shpjegojmë ndarjen tonë para botës.
Një komb i ndarë me forcë ka të drejtë të ribashkohet.
Pra, Bashkimi Kombëtar përfaqëson më shumë se sa thjesht një ide romantike apo ambicie historike, mbi të gjitha është një strategji e domosdoshme që mishëron aspiratat shekullore të një kombi të ndarë padrejtësisht. Përfaqëson një vizion largpamës për një të ardhme më të mirë të përbashkët.
Koncepti i bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë shkon përtej emocioneve dhe patriotizmit të zakonshëm, shfaq një domosdoshmëri për të përballuar sfidat e brendshme dhe të jashtme në një botë fragjile dhe shumë shpesh të paqëndrueshme.
S’mund të kuptohet Bashkimi Kombëtar vetëm si një akt i rikthimit te një identitet i përbashkët, por edhe si hap strategjik drejt forcimit të sigurisë kolektive, rritjes ekonomike dhe afirmimit të shqiptarëve si faktorë kryesorë në rajon dhe jo vetëm.
Jetësimi i bashkimit nënkupton kapërcimin e pengesave historike dhe ndarjeve të imponuara gjithmonë nga jashtë, derisa kufijtë artificialë do të mbeteshin kujtim i sfidave të kapërcyera.
Gëzuar 28 nëntorin!