E njoha Ibrahim Rugovën në kohë t’vshtira, kur Kosova ishte e thyeme prej dhunës, luftës, e pasigurisë për të ardhmen. Ai ishte njeriu i paqes, unë isha njeriu i luftës. N’fillim s’mund t’thuesh që ishim krejt t’ngjashëm, por ajo që na bashkoi ishte dashnia për Kosovën dhe bindja se ky vend e meritonte lirinë dhe shtetin e vet.
Në qeverinë e parë pas luftës, pata nderin të punoja krah tij. Rugova nuk fliste shumë, por kur fliste, çdo fjalë mbante peshë. Ai më mësoi se për të ndërtuar shtet, duhej durim dhe përkushtim. “Pa institucione, s’ka shtet,” thoshte.
Por koha nuk kursente askënd. Kur erdhi momenti të përballesha me akuzat në Gjykatën Ndërkombëtare, dhashë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ishte një nga momentet më të rënda për mua, por edhe për të. Kujtoj fjalët e Rugovës atë ditë, me një qetësi që nuk do ta harroj kurrë:
“Dhimbja është e madhe, Ramush, dhe mua më është këputur njëri krah. Por ti shko. Bëje drejtësinë për Kosovën, se lirinë e bëmë.
Fjalët e tij më dhanë forcë. Për Rugovën dhe për Kosovën, vendosa ta përballoj atë betejë si njeri i drejtësisë, ashtu siç e kishim bërë luftën dhe paqen bashkë. Sot, ato fjalë më rikujtojnë se amaneti i tij nuk ishte vetëm liria, por edhe ndërtimi i një shteti të fortë, që respekton drejtësinë dhe miqtë ndërkombëtarë që na ndihmuan të arrijmë këtu ku jemi.
Kur m’u dha mundësia me punu bashkë me të për ndërtimin e qeverisë së parë, ndjeva peshën e momentit. Ishte një kohë kur duhej jo veç guxim, po edhe mençuri me ndal dhunën që po na përçante si shoqni. Unë vijsha prej luftës, prej asaj që më kish mësu me i mbrojt njerëzit e mi me pushkë. Ai vijte prej një rruge tjetër – rruga e paqes, e durimit, e fjalës. Bashkë, bëmë një marrëveshje të pashkrueme: për Kosovën, asnjëherë s’kishte me pas vend për hakmarrje, përçarje, a dobësi në ndërtimin e shtetit.
Kur punoje me Rugovën, ndjeje se çdo vendim që merrte s’ishte për sot, po për nesër, për një Kosovë që duhej me qëndrue mbi themele t’forta. Ai nuk fliste shumë, por fjala e tij kishte peshë. Ishte i butë, po me një vendosmëri që nuk thyhej. Kam mësu prej tij se shteti nuk ndërtohet vetëm me forcë, por me urti e bashkëpunim. Ai m’siguronte se forca ime prej njeriu t’luftës s’ishte veç për me mbrojt Kosovën në front, por edhe për me u përballë me sfidat e paqes.
Kujtoj me respekt çastet kur ai insistonte që duhet me ruajt institucionet. “Pa institucione, s’ka shtet,” thoshte. Dhe kishte të drejtë. Sot, kur shoh se si disa forca politike po tentojnë me rrënu atë që e ndërtuam me aq mund, ndjej detyrën me kujtu se sakrificat tona nuk ishin për lojëra politike, por për një shtet që duhet me i mbijetue kohës.
Me Rugovën, kam kuptu se forca e një kombi është kur njeriu i luftës dhe njeriu i paqes punojnë bashkë. Lufta e mbrojti Kosovën, paqja i dha vizionin. Dhe kjo është një mësim që duhet me e mbajt mend përherë: Kosova asht më e madhe se secili prej nesh, dhe puna për të nuk përfundon asnjëherë.
Rugova sot s’asht ma mes nesh. Ai është në botën tjetër, po amaneti i tij mbetet këtu, me ne. Jam i gjallë dhe i vendosun me vazhdu aty ku kemi nisë bashkë: me i kthye miqtë ndërkombëtarë kah Kosova, me rikthy besimin që kemi ndërtu me dekada sakrifice. Sot po shohim si përpjekjet tona për 30 vjet me ndërtu shtetin e miqtë janë t’rrezikueme prej atyne që nuk e kuptojnë peshën e asaj që kemi ba. Por unë nuk do t’lej që Kosova me deviju prej rrugës që ndërtuam.
Ibrahim Rugova nuk është më mes nesh, por kujtimi dhe mësimet e tij mbeten si udhërrëfyes për mua dhe për të gjithë ata që e duan këtë vend. Ashtu siç më tha atëherë, unë vazhdoj aty ku e nisëm bashkë, për një Kosovë të drejtë, të fortë dhe të respektuar në botë.
Për Ibrahim Rugovën dhe për krejt ata që dhanë gjithçka për këtë vend, vazhdoj me punu për një Kosovë të fortë, të lirë dhe të respektueme në botë.
Ramush Haradinaj