Opinione / Editoriale

Ballkani me masterplan për energjinë, ndërsa Kosova jashtë…pse?


Bordi Editorial Albanian Post

E enjtja e 17 nëntorit pa të mbledhur në një konferencë biznesi të organizuar nga Norvegjia vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu si edhe ishte emërtuar a priori mbi ‘Mundësitë e zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor’.

Mirëpo, flamuj të përfaqësuar, ishin vetëm pesë, kur në Ballkan shtetet, janë gjashtë.

Kush mungonte? Kosova!

Kjo konferencë – përpos faktit se mbahej në Beograd të Serbisë – ishte e një rëndësie aq të lartë, sa njëzëri nuk e theksuan thjesht liderët e pesë vendeve ballkanike të pranishme, por edhe vetë Norvegjia.

Oslo, e ka kuptuar kaherë rëndësinë e bashkëveprimit energjetik.

Por në kontekstin e sotëm, e gjithë çështja merr rëndësi edhe më të veçantë, duke parë krizën energjetike të sjellë prej luftës në Ukrainë, përpos gjithë problematikave ekonomike me inflacionin e lartë.

Për shembull, kryeministri shqiptar, Edi Rama, e cilësoi jo vetëm si një mundësi të shkëlqyer, por edhe si një mbledhje të nevojshme, këtë që u përcoll në Beograd.

Gjithsesi, përtej vendodhjes, a ka realisht arsye të tjera pse Prishtina, diçka kaq me rëndësi, e ka humbur?!

Sipas burimeve të Albanian Post, në fakt, nga Kosova as që është ftuar njeri…

Ftesë e munguar për një projekt të tillë, i cili etiketohet si masterplan energjetik për Ballkanin, por me Prishtinën jashtë.

Arsyet e mungesës së ftesës nuk bëhen me dije, por ajo çfarë përflitet në rrugë diplomatike, është edhe një “lodhje” e ndërkombëtarëve me ftesa në projekte të tilla, ku të mëparshmet kanë parë pengesa apo nuk kanë parë fryte.

Në fakt, e vetmja nismë e vërtetë rajonale ku Kosova përfshihet deri tani, është Projekti i Berlinit, i cili pas një ngërçi të gjatë, e rigjeti veten muajin e shkuar me iniciativë nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, për të firmosur tre marrëveshje të lëvizjes së lirë.

Marrëveshje këto, të cilat në nismën paralele rajonale, “Open Balkan”, ku aderojnë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ishin nënshkruar me kohë.

I njëjti skenar është edhe me çështjen energjetike, ku marrëveshje në “Open Balkan” me dy vendet e tjera janë nënshkruar.

Por, tashmë, me bekimin dhe supervizimin e Norvegjisë, ka edhe nisma konkrete për bashkërendim të tregut dhe përthithjes së investitorëve.

Nëse pesë vendet dhe Norvegjia (e cila duket e zellshme në çfarë u tha në konferencë), shtyjnë përpara bazat e shëndosha për të tilla projekte, pa diskutim që i gjithë rajoni merr vitalizim të tjetërsojtë.

Po Kosova, e cila në këtë krizë energjetike të ashpër, herë me shkëputje rryme e herë me “dhurata” e borxhe nga Shqipëria, e ka përballuar situatën jo kënaqshëm dhe me një dimër edhe më të egër përballë, çfarë merr?

Përjashtim? Vetëpërjashtim?

Aty Prishtina, faktikisht, nuk është…


Lajmet kryesore