Opinione / Kolumnistët

Artisti që e kthente prozën në poezi


Ag Apolloni Shkrimtar
Që në fillim duhet të them që, për shkak se janë vetëm pak ditë nga ikja e Xhevdet Bajrajt nga kjo botë, ky shkrim është më shumë një përkujtim, pra një shënim personal, sesa një gjykim profesional. Poezinë e tij e kam ndjekë në mënyrë sistematike, dhe me interesim e kam përcjellë trajektoren e transformimeve të tij poetike. Shekulli i kaluar nuk ishte këmisha e tij. Në të nuk ndihej rehat as ai, as kombi i tij.
Dekada e parë e shekullit të ri dukej premtuese, ndërsa në vitet e fundit poezia e tij vërshonte, si në rrjete sociale, ashtu edhe në formë librash. Në kohën më antipoetike ai ngulmonte në përhapjen e poezisë. E shpërndante gjithkund. Frymëzohej më shumë nga jeta sesa nga librat. Pra, bënte një letërsi që në teori njihet si letërsi në shkallën e parë. Ai e përjetonte thellë fatin personal dhe realitetin kosovar. Pa këtë kontakt emocional nuk mund të kuptohet poezia e tij.
Poezia e Xhevdet Bajrajt, ashtu si edhe jeta e tij, mund të ndahet në dy faza: ‘parameksikane’ dhe ‘meksikane’. Në fazën e parë, ai dha shenjat e poetit që po krijonte një profil autentik, por që konteksti po ia ndrydhte tekstin. Në fazën e dytë, pas shkuarjes në Meksikë ai po kërkonte zërin e vet, dhe përfundimisht e gjeti, duke e përqafuar parimin estetik të poetëve latino-amerikanë, se për të qenë i pranuar për botën s’do të thotë të bësh përgjithësime poetike me ngjyresë globale e universale, por mjafton të shkruash për atë që njeh më së miri, për vendin tënd, për lagjen tënde, për familjen tënde dhe, natyrisht, për veten tënde. Kështu, ai u kthye te rrënjët, te rrënjët e rrushit të Rahovecit. Poezia e tij mori dozë të madhe të lokalizmit, diçka nga e cila poetët e dobët do të tmerroheshin, dhe me të drejtë, sepse poetët e dobët nuk arrijnë ta nxjerrin universalen nga lokalja e autoktonja, por mbyten brenda saj, ndërsa për poetët e mirëfilltë lokalja e autoktonja janë trampolina prej ku hidhen në botë dhe e shohin pa frikë universin në sy.
Xhevdet Bajraj ishte poet nga Rahoveci, që frymëzohej nga Rahoveci dhe shkruante për Rahovecin, nga ku pastaj i zgjeronte rrathët e shtrirjes, motivimit dhe ndikimit. Ai e ktheu vendlindjen në topos poetik, dhe kjo e bëri poet autokton e autentik, jo pse askush tjetër nuk shkroi për vendlindjen, por sepse askush tjetër nuk shkroi si ai për veten dhe vendlindjen.
Viteve të fundit, në kundërshtim me natyrën e tij, ai shkruante e botonte shpesh. Ndoshta e ndiente se po i mbaronte rëra në pjesën e epërme të orës me rërë. Kushedi! Ai donte t’i thoshte të gjitha, që pastaj të mund të heshtte i qetë. Fatmirësisht, ai la pas vetes veprat që flasin për të, për ne, për të gjithë. Ai na i la kujtimet dhe krijimet. Të dyja të bukura dhe të shtrenjta për miqtë dhe lexuesit e tij.
Ashtu si vëllai i tij Fadili, që nëpërmjet përkthimeve solli një frymë të re në jetën kosovare, edhe Xhevdeti solli një model poezie që do t’i rezistojë kohës. Ai shkroi për përditshmërinë e vet dhe të subjektit folës, që është krijesë autoideografike, e shpesh edhe autobiografike, dhe atë përditshmëri prozaike e ktheu në tejkohësi poetike.
Nga kjo javë, Xhevdet Bajraj, i çliruar nga banaliteti i përditshmërisë, poetikisht banon në librat e tij. Poezia e tij qoftë si vera, që sa më shumë kalojnë vitet aq më e mirë bëhet!

Shkrimi është publikuar në Albanian Post me lejen e autorit.


Lajmet kryesore