Fenomeni i përplasjes publike, që sot po shfaqet aq hapur me intervista të gjata dhe akuza të njëpasnjëshme, nuk është i ri.
Ai nisi në vitin 2017, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme.
Ishte pikërisht periudha kur marrëveshjet mes aktorëve kryesorë të inceneratorëve filluan të çaheshin dhe tensionet të dilnin në dritë.
Nga konferenca për shtyp, deri te deklaratat publike plot kunja dhe insinuata, u bë e qartë se gjithçka po degradonte.
Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila fillimisht kishte mbështetur projektin dhe kishte luajtur një rol kyç, mbeti jashtë lojës – pa projektin dhe, siç duket, pa pjesën e saj.
Ajo që pasoi ishte një garë për të shpëtuar veten, një betejë e brendshme mes njerëzve të së njëjtës kauzë, që nga jashtë dukej më shumë si një luftë bandash sesa një debat politik.
Konferencat për shtyp u kthyen në platforma shantazhi, ku fjalët dhe akuzat fluturonin, por gjithmonë ndaleshin një hap larg nga adresat e sakta.
Askush nuk guxonte të thoshte emrat e duhur apo të përmendte faktet konkrete – britmat shkonin gjithmonë në ajër, duke paralajmëruar njëri-tjetrin për “të qenë të kujdesshëm”.
I gjithë ky teatër u bë vula që tregoi se në këtë histori nuk kishte marrëveshje politike, por thjesht marrëveshje personale dhe përfitime të fshehta.
Dhe kur këto marrëveshje u prishën, filloi një periudhë ku gjithçka që dikur bëhej në prapaskenë tani dilte hapur, me gjithë pisllëkun e saj.
Dhe këtu filloi realisht degradimi.
Marrëdhëniet personale në Partinë Socialiste nisën të kalben, një proces që sot është bërë kaq i dukshëm, saqë nuk kanë mbetur më as maska për të mbuluar të vërtetën.
Nëse atëherë, më 2017, ishte e qartë se askush nuk po luante më sipas rregullave, tani është më e qartë se të gjithë po përpiqen thjesht të mbijetojnë, duke përmbytur njëri-tjetrin me akuza e kërcënime.
Dhe Arben Ahmetaj, me gjithë monologët e tij të stërzgjatura, është vetëm kapitulli i fundit në këtë histori që, përtej cinizmit, tregon më së miri se si shantazhi dhe intrigat janë kthyer në themelin e lojës politike në vend.
Pisllëku ka filluar atëherë, dhe sot, me çdo deklaratë, thjesht po bëhet më i dukshëm.
E pashë intervistën e Arben Ahmetajt në Syri TV dhe, para se të ndalem tek ajo, dua të bëj një shpjegim të natyrës së fenomenit që duket se ka përfshirë një pjesë të mirë të politikës shqiptare: spiunimin dhe rrënimin e personaliteteve nga brenda, duke shpërfaqur një dinamikë që shkatërron jo vetëm individët, por edhe strukturat që ata pretendojnë të mbrojnë.
Kur shikon se si personazhe të një partie politike akuzojnë, sulmojnë dhe zbulojnë gabimet e njëri-tjetrit, ajo që shfaqet nuk është vetëm një betejë për pushtet, por një formë autoshkatërrimi që duket si një simptomë e thellë e një sistemi të degraduar.
E pashë intervistën e gjatë – një monolog treorësh të Arben Ahmetajt – dhe kur përfundoi, ndjeva se nuk kisha kuptuar fort pse një njeri si ai zgjedh të dalë publikisht në këtë mënyrë.
Ishte një intervistë që prekte gjithçka dhe asgjë, një përpjekje e stërzgjatur për të mbajtur veten në qendër të vëmendjes, pa dhënë ndonjë provë konkrete apo pa shpjeguar qartë pse gjërat që ai pretendon kanë ndodhur ashtu si thotë ai.
Ajo që u duk menjëherë ishte halli i tij, një frikë e përzier me zemërim dhe një dëshirë për të sulmuar këdo, nga kryeministri deri te kryeredaktorët, por pa dhënë një bazë solide për fjalët e tij.
Monologu i Ahmetajt ishte një përzierje e narrativave të ndërlikuara dhe gjuhës spekulative.
Për çdo akuzë që ai hodhi, kishte më shumë pyetje sesa përgjigje.
Për shembull, ai përmendi një takim në Turqi, por nuk shpjegoi qartë rëndësinë e tij, dhe historia mbi tunelin që përfshinte 50 milion euro mbeti po aq e mjegullt. Çfarë ndodhi me këto para? Pse nuk ofroi prova konkrete për të mbështetur pretendimet e tij?
Ato që do të duhej të ishin momente të forta në narrativën e tij u bënë pikërisht ato që e bënin më të pabesueshëm.
I gjithë qëndrimi i Ahmetajt në këtë intervistë dukej inflativ.
Ai mbante letra në duar, i vendoste mbi tavolinë dhe premtonte se do t’i përdorte në të ardhmen, si një njeri që kërcënon se ka karta të forta, por nuk i hedh asnjëherë mbi tryezë.
Kjo sjellje i jepte më shumë pamjen e një individi që kërkon të shantazhojë me fjalë, sesa të bindë publikun me fakte.
Ai akuzoi SPAK-un dhe Altin Dumanin për standarde të dyfishta, por nuk dokumentoi qartë se ku qëndronte padrejtësia e tyre.
Ishte një akuzë boshe, një sulm për të shpëtuar veten, jo një thirrje e sinqertë për drejtësi.
E keqja e kësaj interviste të tretë ishte se shumë pak dallonte nga intervista e dytë, e bërë disa muaj më parë.
Narrativa ishte po ajo: akuza të mëdha, insinuata dhe mungesë e fakteve konkrete.
E pandershme ishte që Ahmetaj të kërkonte standarde të ndryshme të drejtësisë për pllakat e tij dhe për ministrat e tij, për të cilët deklaronte se “duhej të ishin arrestuar”, pa ofruar prova të qarta se për çfarë. Ai qëndronte në rolin e një viktime të persekutuar, por njëkohësisht dukej si dikush që di shumë më shumë sesa thotë, një lojtar i rrezikshëm që është mësuar të mbijetojë në prapaskena.
Por kjo përplasje mes figurave të Partisë Socialiste nuk është e re.
Konfliktet e brendshme kanë nisur prej kohësh dhe tashmë janë shfaqur hapur.
Ndarja mes “5B” dhe “5D” – mes Belinda Ballukut dhe Erion Veliajt – është vetëm një shembull i kësaj klime përçarëse.
Kjo dinamikë është pasqyrë e një loje ku të gjithë kanë diçka për të fshehur, por gjithashtu janë të gatshëm të shpërfaqin gjithçka kur pozicioni i tyre vihet në pikëpyetje.
Fenomeni i dërgimit të letrave nga adresa të panjohura dhe sabotimit të brendshëm nuk është unik për Shqipërinë.
Në botë, kemi parë raste ku liderë politikë apo figura me ndikim kanë shkatërruar njëri-tjetrin për të siguruar përparësi personale.
Në SHBA, skandali “Watergate” shpërfaqi se si ndjekja e interesave personale mund të shembë themelet e një sistemi politik.
Në vendet e tjera, si në Gjermani, historitë e pastrimeve politike – ku figura të fuqishme zbulohen dhe goditen nga aleatët e tyre të mëparshëm – janë të njohura.
Por ajo që ndodh te ne në Shqipëri është më e sofistikuar në amoralitetin e saj: nuk kemi thjesht një luftë për të eliminuar kundërshtarët, por një lojë ku personazhet duket se spiunojnë edhe vetveten, duke zbuluar të bëmat dhe gabimet e tyre në përpjekje për të shpëtuar apo për të rrënuar të tjerët.
Në Partinë Socialiste, konfliktet dhe stërkëmbëshat janë shfaqur hapur.
Një shembull është ndarja mes “5B” dhe “5D”, ku Erion Veliaj dhe Belinda Balluku kanë krijuar kampe të qarta kundërshtie.
Veliaj, i njohur për manovrat e tij politike dhe raportimet e tij në ambasada, shpesh përshkruhet si një lider ambicioz, por gjithashtu i njohur për të sulmuar aleatët e tij të brendshëm.
Nga ana tjetër, Balluku, një nga figurat më të fuqishme të qeverisë, ka krijuar një rreth të ngushtë që shpesh shihet si rivali më i fortë i Veliajt brenda strukturave të partisë.
Ndarjet mes tyre nuk janë thjesht politike; ato janë personale, të mbështetura nga inate të vjetra dhe ambicie të pakontrolluara.
Dhe pastaj kemi Arben Ahmetajn, i cili nga një nga njerëzit më të fuqishëm të ish-qeverisë është kthyer në një akuzator që sulmon të gjithë: Belindën, Veliajn, Ramën, dhe madje edhe SPAK-un.
Lufta e tij personale është kthyer në një arenë ku ai, në vend që të mbrojë veten, zbulon gabimet dhe skandalet që përfshijnë jo vetëm atë, por edhe sistemin ku ai ishte pjesë integrale.
Kjo është një formë unike e vetëshkatërrimit, ku dikush, për të shpëtuar lëkurën, është i gatshëm të shembë gjithçka përreth.
Kjo dinamikë nuk është e re.
Në histori, liderë dhe figura të fuqishme kanë përdorur informacionin për të eliminuar njëri-tjetrin, por ndodh rrallë që këto të bëhen kaq të dukshme.
Në rastin tonë, ne kemi një përzierje të hapjes totale të skenës politike dhe mungesës së një reflektimi minimal nga këta personazhe.
Çdo lëvizje e tyre për të demaskuar të tjerët duket se u kthehet mbrapsht si një bumerang.
Dhe më keq akoma, e gjithë kjo nuk po dëmton vetëm këta individë, por edhe vetë Partinë Socialiste, një parti që tani duket më e përçarë dhe më e brishtë se kurrë.
Kjo situatë është një përshkrim i përsosur i një partie në autokonsum. Ata kanë kohë që kanë nisur të spiunojnë njëri-tjetrin dhe, për pasojë, po e shembin nga brenda atë që kanë ndërtuar.
Veliaj me Saimir Tahirin, Belinda me Veliajn, Ahmetaj me Belindën, Taulanti me Veliajn – këto janë fushëbetejat e padukshme të një lufte të hapur, që tani po bëhet gjithnjë e më publike. Dhe çfarë na mbetet neve, si spektatorë?
Një ndërthurje e rrallë e cinizmit dhe absurditetit, ku të gjithë këta personazhe, përmes zbulimeve të tyre, tregojnë jo vetëm frikën që kanë nga drejtësia, por edhe paaftësinë për të mbajtur të bashkuar një parti që dominon politikën shqiptare.
Nëse Arben Ahmetaj ka një meritë për jetën publike dhe opozitën ajo është se ai ka bërë publike prishjet e brendshme dhe një kulturë ku tradhtia dhe spiunimi janë mjete të zakonshme politike.
Por kjo nuk e bën atë më të pastër apo më të besueshëm. Në fakt, intervista e tij nuk bëri gjë tjetër veçse thelloi idenë se të gjithë këta janë të përfshirë në një rreth vicioz korrupsioni dhe dyshimi të ndërsjellë.
Dhe kështu, ata zbulojnë jo vetëm njëri-tjetrin, por edhe veten, duke na dhënë një shembull tragjik se si mund të shembet një sistem nga brenda.
Pyetja që lind duke u mbështetur mbi logjikën e veprimeve është se a mjafton për këta njerëz fuqia që kanë brenda partisë?
Një Jo e madhe!
Sepse ata kërkojnë më shumë. Ata kërkojnë gjithçka. Dhe në fund, ndërsa shikon këtë cirk të përmasave të mëdha, ku të gjithë hedhin baltë mbi njëri-tjetrin dhe shpresojnë të dalin të pastër, pyetja e vetme që mbetet është: çfarë duan në fund? Të jenë më shumë se thjesht politikanë? Të jenë mbretër, perandorë, apo ndoshta të krijojnë një pseudo-fron të përjetshëm ku të bëjnë ligjin e tyre?
Fatkeqësisht, ndërsa ata kërkojnë gjithnjë e më shumë, gjithçka që arrijnë është të shkatërrojnë atë pak që u ka mbetur.
Dhe, ndoshta, të na argëtojnë për pak me këtë teatër absurd ku loja e madhe është asgjë më shumë se një betejë e vogël për shpëtimin e kokës.