Opinione / Kulturë

Anamneza e nacionalizmit serb (II)


Latinka Peroviq

Pjesë nga libri i Skender Latifit “Ashtu ka qenë, Bisedë me Latinka Peroviq, historiane, poltikane dhe intelektuale serbe”.

 

Politikat ekspansioniste serbe në dëm të shqiptarëve

– Si i shikoni marrëdhëniet shqiptaro-serbe gjatë periudhës së fundit të Perandorisë Osmane në Ballkan?

Kuptohet, marrëdhëniet serbo-shqiptare ashpërsohen edhe më tepër pas fitimit të pavarësisë shtetërore, pas shpalljes së Mbretërisë Serbe, dhe tashmë këto raporte do të përcaktohen sipas kësaj linje të ideologjisë kombëtare për çlirimin dhe bashkimin e popullit serb, në thelb, nëpërmjet shtrirjes dhe ekspansionit territorial. Kështu Luftërat Ballkanike, depërtimi i Serbisë nëpër Shqipërinë e Veriut, ishte futja në dorë e territorit të huaj dhe ky okupim i ka dhënë vulë dëmtuese marrëdhënieve shqiptaro-serbe në fillim të shekullit të XX. Po ashtu, edhe situata pas Luftërave Ballkanike dëshmoi se atje (në Kosovë, Maqedoni, në Luginë të Preshevës, ku jetojnë shqiptarët dhe kur këto vise pas vitit 1912 u përfshinë në shtetin serb) kurrë nuk ishin zbatuar ligjet të cilët ishin në fuqi në Mbretërinë Serbe. Qe ky një status kolonial të cilin shteti serb e vendosi mbi shqiptarët e atjeshëm dhe i cili i vështirësoi dhe i ashpërsoi marrëdhëniet serbo-shqiptare gjithnjë në faza të ndryshme dhe në tërësi.

– Në cilën kohë Serbia fillon me u marrë me shqiptarët, pra edhe qeveria e saj shtetërore etj?

Qarqet shtetërore serbe, shumë herët e kanë vendosur në rend të parë, doktrinën e pretendimeve territoriale kundër tokave shqiptarëve. Dhe thënë drejt, Serbia kurrë nuk lëvizi nga doktrina e politikës ekspansioniste kundrejt shqiptarëve. Ndërkaq, fillimisht shkenca serbe në fund të shekullit të XIX në mentalitetin e qytetarit serb rrënjosi imazhin e “shqiptarëve të egër” dhe më vonë filloi zbatimin konkret të politikës ekspansioniste kundër shqiptarëve. Megjithatë krahas parashenjave negative u shfaqën edhe ato le të themi pozitive. Parashenjë negative ishte kur mbreti Aleksandër kishte nisur kolonizimin e viseve shqiptare. Ai u kishte dhënë kolonizatorëve serbë prona, shtëpi, kafshë. Por, kolonizimi nuk kishte pasur sukses sepse, siç thoshte ai, “Ishte kjo një ndeshje e dy kulturave kundërshtuese”. Ndërkaq parashenjë pozitive ishte kur në Beograd, brenda universitetit, u ngrit Katedra Shqiptare, e cila veproi deri para fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

– Megjithatë dua të flasim edhe për projektin serbomadh të “Naçertanies”. Çfarë mendoni  për programin nacionalist “Naçertania” të Ilija Garashaninit?

Lidhur me atë projekt hegjemonisto-nacionalist, ekziston njëfarë mistifikimi. Ai projekt fillimisht ishte plan i emigracionit polak. Ilija Garashanin vetëm e reduktoi atë, pra e bëri përshtatjen e tij. Ishte kjo një ide që rikthehej, e cila u tregua, faktikisht, e parealizueshme. Nuk mund të realizohej Serbia e Madhe sepse, para së gjithash, një numër i madh i serbëve do të mbeteshin jashtë kufijve të saj. Në të njëjtën kohë, brenda kufijve të sajë do të jetonin shumë joserb. Mos të harrojmë se bota gjithnjë shkon drejt multikulturalizmit dhe drejt hapjes, gjë që shihet qartë çdo ditë e më tepër, prandaj planet e tilla si Naçertania vdesin akoma pa lindur.

– Cilët ishin ato qarqe intelektuale, të kohës së Ilija Garashaninit, të cilat e përkrahnin politikën e zgjerimit të Serbisë dhe të cilat kishin vendosur, aso parimesh të cilat varrosnin çdo mundësi bashkëpunimi mes serbëve dhe shqiptarëve? Konkretisht, cilët ishin indikatorët të cilët e nxisnin politikën e këtillë?

Para së gjithash ishte Kisha e Serbisë me idenë e shtetit etnik serb. Pastaj elitat politike, të organizuara në parti politike, sidomos Partia Popullore Radikale. Pra, duket qartë se “Naçertania” nuk u realizua, por si ide ajo vazhdoi, mbijetoi madje ajo u përsërit edhe në gjysmën e dytë të shekullit të XX në Serbi, nëpërmjet ndasive brenda Partisë Komuniste. Pra e pranuam apo jo, fatkeqësisht kjo ide depërtoi në institucione dhe e cila gjithnjë përpiqet që patjetër ta imponojë një vetëdije të caktuar që në vete barte tharmin e egër nacionalist. Por, nuk e kam të qartë se pse në Serbi edhe sot nuk kuptohet vetvetiu se çka mund të fitohet me një orientim të këtillë politik? (…)


Lajmet kryesore