Opinione / Politikë

Ambiciet e Kinës në hapësirë, krenari kombëtare apo betejë me SHBA-në?


Christian Shepherd, James Kynge Korrespodentë të Financial Times

Në fund të muajit të kaluar, kur inxhinierët kinezë dërguan pjesën e parë të stacionit hapësinor në orbitën e Tokës, presidenti Xi Jinping u tha atyre se kishin siguruar një vend të veçantë në historinë e kombit.

Për Xi-në, stacioni hapësinor është në qendër të vizionit të tij për Kinën, si “një fuqi hapësinore në të gjitha aspektet”, një udhëheqës global i përpjekjeve shkencore, aktivitetit ekonomik dhe fuqisë ushtarake në hapësirë.

Gjysmë shekulli pas përurimit, programi hapësinor i Kinës u zgjerua nga një grup shkencëtarësh, të cilët lëshuan një satelit nga shkretëtira e Gobi-t, në një burim të rëndësishëm të prestigjit dhe legjitimitetit për partinë.

Sapo stacioni hapësinor të përfundojë vitin e ardhshëm, ai do t’u hapë rrugën misioneve të ekuipazhit, gjatë të cilave do të marrin astronautët kinezë, ose “taikonautët”, në Hënë, diku pas vitit 2030.

Përveçse të dërgojë njerëz në hapësirë, Kina gjithashtu synon që, këtë muaj, të zbresë rover-in e saj të parë në Mars.

Krenaria e industrisë hapësinore kineze

Industria tregtare hapësinore e Kinës krenohet me më shumë se 150 kompani, të cilat garojnë për të ndërtuar satelitë dhe raketa, duke përmbushur kërkesën për infrastrukturë dhe shërbime jashtëtokësore.

Në të njëjtën kohë, në mars të vitit 2021, Moska dhe Pekini ranë dakord për të punuar së bashku në ndërtimin e një baze kërkimore hënore.

“Ashtu si me SHBA-të, Bashkimin Sovjetik dhe më vonë Rusinë, aktiviteti hapësinor është simbolik. Mbase ngjall në mënyrë unike ndjenjën patriotike”, thotë Alanna Krolikowski, studiuese në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Misuri.

“Është ekuivalenti i ndërtimit të katedraleve në shekullin XXI”.

Kina dëshiron të shihet si një krijuese dhe novatore e teknologjive të ardhshme, shton Krolikowski.

“Paqëndrueshmëria sociale mund të jetë ajo që i mban udhëheqësit e Kinës pa gjumë natën, por ajo çka i bën ata të ngrihen nga shtrati në mëngjes është dëshira për ta bërë Kinën një superfuqi të shkencës dhe teknologjisë”, thotë ajo.

Por, nën atë rrëfim madhështor, fshihet një përzierje e rrezikshme e mosbesimit politik dhe mungesës së koordinimit ndërkombëtar që kërcënon të minojë përpjekjen e Pekinit për të korrur prestigjin dhe përfitimet ekonomike nga të qenit një superfuqi hapësinore.

Kina ka zhvilluar armatim të përparuar, të aftë të rrëzojë satelitët amerikanë.

Analistët kanë frikë se një ritëm i përshpejtuar i lëshimit të raketave dhe satelitëve, i kombinuar me një ngurrim për të ndarë detaje të projekteve me rëndësi kritike kombëtare, krijon kushte që ajo të pengohet në një garë të re të armëve hapësinore me SHBA-në, pavarësisht dëshirës së saj.

Një problem thelbësor është ndarja e qëllimeve të Pekinit në hapësirë, nëse ato janë paqësore apo agresive.

“Vështirësia për politikëbërjen perëndimore, në lidhje me programin hapësinor të Kinës, është se ne nuk e dimë se çfarë (Pekini) dëshiron të bëjë”, thotë Mark Hilborne, ekspert në studimet e mbrojtjes në King’s College, Londër.

Misioni i njohur

Stacioni hapësinor është vetëm i fundit në një seri ndërmarrjesh të guximshme nga qeveria kineze. Në vitin 2018, për herë të parë vendi nisi më shumë anije në orbitë se çdo komb tjetër.

Në vitin 2019, Kina u bë vendi i parë që zbarkoi në pjesën e errët të Hënës. Kurse, në qershor të vitit të kaluar, ajo përfundoi konstelacionin satelitor BeiDou, një rival i Sistemit Global të Pozicionimit të SHBA-ve.

Në fund të këtij muaji, Kina mund të bëhet vetëm vendi i dytë pas SHBA-ve që zbarkon një rover në Mars.

Projektet, kryesisht të braktisura nga SHBA-të, janë marrë nga Pekini. Radioteleskopi më i madh në botë, një platformë 500 metra, e njohur si “syri i qiellit”, përfundoi në 2018.

Misioni i tij është të ndihmojë, pjesërisht, në kërkimin e inteligjencës jashtëtokësore. Shtetet e Bashkuara braktisën publikimin e fondeve federale për këtë çështje dekada më parë, edhe pse Pentagoni raportohet të ketë programin e tij.

Analistët paralajmërojnë që krahasimi një për një i përparësive të programeve hapësinore kombëtare është i vështirë.

Shumë prej tyre janë të mendimit se SHBA-të ende kanë epërsi të konsiderueshme për kryerjen e bëmave komplekse teknike, si ulja e rover-ëve në Mars, në krahasim me Kinën.

Në vitin 2020, buxheti i NASA-s ishte rreth 23 miliardë dollarë, krahasuar me pak më shumë se 10 miliardë dollarë në fondet publike të zbuluara për Administratën Kombëtare të Hapësirës së Kinës.

Por, edhe pse me gjithë këtë hendek, SHBA-të i shohin përpjekjet e Kinës në hapësirë ​​në terma strategjikë.

Një pjesë e madhe e asaj, që Washingtoni e percepton si një kërcënim, rrjedh nga gatishmëria e Kinës në atë që quhet “counterspace” (një arenë lufte, në të cilën vendet zhvillojnë armë, të cilat janë në gjendje të rrëzojnë ose çaktivizojnë satelitët që përdorin kundërshtarët, për të mbajtur në funksion rrjetet e informacionit civil dhe ushtarak).

Përparimi i Pekinit në armatime të tilla në vitet e fundit ka qenë aq i mrekullueshëm. Sipas analistëve amerikanë, nuk ka asnjë vend në hapësirë ku nuk mund të ndihet ndikimi i Kinës.

“Kina mund të kërcënojë satelitët ushtarakë, tregtarë dhe civilë në të gjitha orbitat nga LEO në GEO”, thotë Todd Harrison, drejtor i Projektit të Sigurisë Hapësinore në CSIS.

LEO i referohet orbitës së ulët të tokës, e cila zakonisht vendoset brenda 1 mijë kilometër nga Toka, dhe GEO i referohet orbitës gjeostacionare, ose 35 mijë e 786 kilometër nga Toka.

Armët anti-satelitore kineze përfshijnë raketa të lëshuara nga Toka, që janë në gjendje të shkatërrojnë objektivat me një goditje të drejtpërdrejtë. Por, forma të tjera të ndërhyrjes bien në ato që ekspertët i quajnë veprime “zona gri”, të tilla si përdorimi i lazerëve për të çaktivizuar satelitët, duke bllokuar ose verbuar ato, ose duke krijuar sinjale false të GPS, të njohur si “mashtrim”.

Me përjashtim të një marrëveshjeje për ndryshimin e klimës, ku dy ekonomitë më të mëdha në botë pranuan të punojnë së bashku, në takimet e hershme të diplomatëve të lartë, nën administratën e presidentit Joe Biden, nuk kanë gjetur pika të përbashkëta bashkëpunimi.

Hapësira është një fushë, ku konkurrenca ka më shumë gjasa sesa bashkëpunimi, thonë analistët.

Biden e ka bërë të qartë se administrata e tij nuk ka ndër mend të shpërbëjë Komandën Hapësinore dhe Forcën Hapësinore të SHBA-ve, një degë e re e shërbimeve ushtarake, e krijuar nga paraardhësi i tij, Donald Trump, për të udhëhequr gatishmërinë luftarake të SHBA-ve në hapësirë.

Edhe nëse administrata e re vendos që të kërkojë më shumë bashkëpunim në hapësirë, do të duhet të kapërcejë një pengesë ligjore.

Një ligj i vitit 2011, i njohur si “Neni i Ujkut”, ndalon NASA-n të punojë me shkencëtarë kinezë, nga rreziku që mund të vidhet teknologjia. Si rezultat, taikonautët kinezë nuk janë në gjendje të vizitojnë Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), të udhëhequr nga SHBA-të.

Në të njëjtën kohë, pamundësia për të punuar me Pekinin në përpjekjet shkencore në hapësirë ​​mund të kufizojë aktivitetet e shkencëtarëve amerikanë pas vitit 2024, kur ISS ka të ngjarë të çaktivizohet, duke e lënë stacionin hapësinor kinez si praninë e vetme të përhershme në orbitë.

Lincoln Hines, një studiues në Universitetin Cornell, beson se prestigji i brendshëm dhe fuqia e butë, në vend të ekspansionizmit ushtarak, mund të shpjegojnë shumë nga aktivitetet e Kinës në hapësirë.

Administrata Kombëtare Hapësinore kineze (CNSA) dhe ajo Roscosmos e Rusisë kanë ftuar vende të ndryshme, të marrin pjesë në planet e tyre për të filluar ndërtimin e një Stacioni Ndërkombëtar të Kërkimit Hënor rreth vitit 2026.

Pas ftesës, kuptohet se mes Kinës dhe Rusisë do të ketë një përpjekje të re për të sfiduar udhëheqjen e SHBA-së në kërkimin shkencor në hapësirë.

Muajin e kaluar, qeveria ruse njoftoi se do të ndalonte financimin e ISS-it në vitin 2025, duke u dhënë fund dy dekadave të bashkëpunimit.

Ekspertët paralajmërojnë, megjithatë, se thellësia e partneritetit ndërkombëtar mes Kinës dhe Rusisë mbetet e paqartë.

“Sigurisht që ka për qëllim t’i kundërvihet udhëheqjes amerikane në hapësirë, por unë nuk jam ende i bindur nëse është diçka më shumë se një partneritet komoditeti”, thotë Harrison.

Shqetësimet e sigurisë

Ditë pasi Kina festoi fillimin e suksesshëm të modulit të saj kryesor të stacionit hapësinor, rritja e mundshme e reputacionit të saj u njollos. Pentagoni njoftoi se po ndiqte një hyrje të pakontrolluar në atmosferën e Tokës të raketës kineze 22-tonëshe, Long March 5B, e cila nisi në orbitë modulin kryesor të stacionit hapësinor.

Rreziku, megjithëse i vogël, që predha lënduese të godasë një zonë të populluar të sipërfaqes së Tokës sjell që edhe një garë paqësore hapësinore mund të shkaktojë, nëse nuk ka koordinimin ndërkombëtar, për të shmangur aksidentet.

Gidon Gautel, një analist i pavarur i industrisë hapësinore, vëren se ekziston rreziku i mbeturinave hapësinore, ndërsa kombet garojnë për të hapur mega-konstelacionet satelitore për përparime të reja në hapësirë.

Si të tillë, grupet shtetërore mbeten thelbësore në konkurrencën e Pekinit me SHBA-të. Javën e kaluar, Grupi i Rrjetit Satelitor të Kinës, një ndërmarrje e re në pronësi qendrore, u krijua me një mandat për të ndërtuar mega-konstelacione të ngjashme me programin Starlink të SpaceX.

Projekte si këto shihen si pjesë thelbësore e infrastrukturës teknologjike për të ardhmen që Kina synon, thotë Krolikowski.

Përshtatur nga Financial Times për Albanian Post 


Lajmet kryesore