Pirja me masë ka pak gjasa të dëmtojë reagimin imunitar ndaj vaksinës së Covidit, por pirja e tepërt po.
Pas një viti të gjatë dhe me shumë pritje, marrja e vaksinës Covid-19 mund të jetë shkak për të festuar, që për disa mund të jetë duke pirë e ngreh dolli për imunitetin e tyre të ri. Por a mund ta pengojë alkooli reagimin imunitar?
Përgjigja e shkurtër është se varet se sa pi.
Nuk ka ndonjë dëshmi që pirja e një gote apo dy mund t’i bëjë vaksinat e Covidit të paefektshme. Disa studime bile edhe kanë gjetur se në mënyrë afatgjate, pak pirje ose mesatarisht mundet që të jetë e dobishme për sistemin imunitar duke e reduktuar inflamacionin.
Konsumi i madh i alkoolit, në anën tjetër, e sidomos në mënyrë afatgjate, mund të shtypë sistemin imunitar dhe potencialisht të pengojë reagimin e vaksinës, thonë ekspertët. Pasi që mund të kalojnë javë deri sa një dozë e vaksinës të gjenerojë nivelet e nevojshme të anitrupave kundër Coronavirusit të ri, çdo gjë që pengon reagimin imunitar do të ishte shkas për tu shqetësuar.
“Nëse jeni konsumues mesatar i alkoolit, nuk ekziston ndonjë rrezik nëse pini ndonjë gotë gjatë kohës që keni marrë vaksinën”, thotë Ilhem Messaoudi, drejtor i Qendrës për Hulumtime të Viruseve në Universitetin e Kalifornisë, në Irvinë, i cili ka kryer hulumtime mbi efektet e alkoolit në reagimet imunitare.
“Por, jini të vetëdijshëm se çfarë do të thotë të pini me masë. Është e rrezikshme që të pihen masa të mëdha alkooli, sepse efektet në të gjitha sistemet biologjike, përfshirë sistemin e imunitetit, janë shumë të rënda dhe shfaqen shumë shpejt kur tejkalohet zona mesatare”.
Pirja mesatare në përgjithësi definohet si jo më shumë se dy pije në ditë për burra, dhe maskimum një pije në ditë për gra, kurse pirje e tepërt do të thotë më shumë se katër pije në ditë për burra dhe tre ose më shumë për gra. Mbani mend se një pije ‘standarde’ konsiderohet që është 140 ml verë, 40 ml liker, dhe 340 ml birrë.
Një prej shqetësimeve të para në lidhje me alkoolin dhe vaksinimit për Covid nisi të qarkullojë pasi një zyrtare shëndetësore Ruse paralajmëroi se njerëzit duhet të mënjanojnë alkoolin për dy javë para vaksinimit dhe pastaj të abstenojnë edhe për 42 ditë tjera.
Sipas një raporti të Reuters, kjo zyrtare deklaroi se alkooli mund të pengojë aftësinë e trupit në zhvillimin e imunitetit kundër Coronavirusit të llojit të ri.
Paralajmërimi i saj u dha shkëndijë shumë reagimeve të ashpra brenda Rusisë, vend ky që renditet si një prej vendeve me konsumin më të madh të alkoolit.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa ekspertë thonë se kanë shqetësime të njëjta në lidhje me atë se a është apo s’është e sigurt që të pihet gjatë kohës së vaksinimit. “Kemi pranuar pyetje të shumta për këtë nga pacientët tanë”, tha Dr. Angela Hewlett, profesoreshë e asociuar e sëmundjeve infektive e cila e drejton ekipin hulumtues për sëmundje infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nebraskas. “Me të drejtë, njerëzit që po i marrin këta vaksina duan të dinë që janë duke bërë çdo gjë në rregull për të maksimizuar reagimin imunitar të tyre”.
Provat klinike të vaksinave Covid që janë miratuar aktualisht për përdorim nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave nuk e kanë shqyrtuar në mënyrë specifike nëse alkooli kishte ndonjë ndikim në efektivitetin e vaksinave, tha Dr. Hewlett.
Është e mundur që do të ketë më shumë informacion mbi këtë në të ardhmen. Por tani për tani, shumica e asaj që dihet vjen nga hulumtimet e mëparshme, përfshirë studimet që ekzaminuan se si alkooli ndikon në sistemin imunitar tek njerëzit dhe nëse pengon përgjigjen imune në kafshë që morën vaksina të tjera.
Një gjë që është e qartë nga studimet është se konsumi i madh i alkoolit dëmton reagimin imunitar dhe rrit ndjeshmërinë ndaj infeksioneve bakteriale dhe virale. Parandalon qelizat imune të udhëtojnë në vendet e infektimit dhe të kryejnë funksionin e tyre, si shkatërrimin e viruseve, baktereve dhe qelizave të infektuara; e bën më të lehtë për patogjenët që të pushtojnë qelizat, dhe shkakton një mori problemesh të tjera.
Në kontrast me këtë, pirja mesatare nuk duket se e ka këtë efekt. Në një studim, shkencëtarët ekspozuan 391 njerëz ndaj pesë viruseve të ndryshme të frymëmarrjes dhe zbuluan se pirësit mesatarë kishin më pak të ngjarë të zhvillonin ftohje, por jo nëse ishin duhanpirës.
Në një tjetër studim, Dr Messaoudi dhe kolegët e tij u dhanë majmunëve rhesus qasje në alkool për shtatë muaj dhe studiuan se si trupat e tyre reagojnë ndaj vaksinës kundër poxvirus-it. Sikur njerëzit, disa majmunë rhesus e shijojnë alkoolin dhe pijnë shumë, kurse disa të tjerë shfaqin më pak interesim dhe e kufizojnë veten në masa të vogla. Hulumtuesit kanë gjetur se kafshët që u bënë më kronikë të alkoolit kishin reagim shumë më të dobët ndaj vaksinës. “Ata kishin gati se zero reagim imunitar”, tha Dr. Messaoudi.
Kafshët që konsumuan vetëm sasi të moderuar të alkoolit, megjithatë, gjeneruan reagim më të fortë ndaj vaksinës, madje edhe krahasuar me ata që nuk konsumonin fare alkool. Studimet në minjtë kanë gjetur një model të ngjashëm: Ata që konsumojnë sasi të mëdha alkooli kanë reagim të dobët imuniteti ndaj infeksioneve në krahasim me kafshët që u japin sasi të moderuar të alkoolit ose aspak.
Studime të tjera kanë zbuluar se kur njerëzit pinë mesatarisht, duket se u ulen shënjueset inflamatore në gjakun e tyre.
Një arsye tjetër për të moderuar konsumin e alkoolit është se pirja e madhe – së bashku me hangoverët që mund të pasojnë – mund të amplifikojnë potencialisht çdo efekt anësor që mund të keni nga vaksina Covid, duke përfshirë ethet, gjendje të keqe ose dhimbje trupi dhe t’ju bëjë të ndiheni më keq, tha Dr. Hewlett i Qendrës Mjekësore të Universitetit të Nebraskës. Dr. Hewlett zgjodhi të mos pinte pasi bëri vaksinën Covid. Por ajo tha që njerëzit mund të ndjehen të lirë të pijnë alkool për aq kohë sa pinë brenda arsyes.
“Të pish një gotë shampanjë ndoshta nuk do të pengojë asnjë reagimet të imunitet”, tha ajo. “Unë mendoj se të kesh një pije festive në moderim është e mirë.”
Përkthyer nga Xhezair Dashi, gazetar i Kulturës në Albanian Post.