Opinione / Politikë

Aleanca Transatlantike dhe Ballkani Perëndimor


Valbona Zeneli, Cameron Munter

Nëse Ballkani Perëndimor do të marrë vendin e tij të duhur në komunitetin Euro-Atlantik, atëherë Evropa dhe Amerika duhet t’i ftojnë ata të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve globale dhe të përbashkëta të Euro-Atlantikut.

“Kthimi” i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Evropë është një lajm i mirë për aleancën transatlantike; është themeli më i fortë mbi të cilin ndërtohet siguria dhe prosperiteti i Perëndimit.

“Aleanca transatlantike është në një pikë lakimi”, theksoi presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në fjalën e tij në Konferencën Virtuale të Sigurisë në Mynih muajin e kaluar. Sfidat me të cilat përballet Amerika sot janë më të vështira për t’u trajtuar në një epokë të re të konkurrencës së madhe të fuqisë.

Perëndimi ka një mundësi të veçantë për të hapur një kapitull të ri në forcimin e marrëdhënieve transatlantike, pasi administrata e re e SHBA-së ofron një mundësi për të punuar së bashku për kapërcimin e sfidave dhe fërkimeve aktuale.

Në një ushtrim forcimi të besimit në të dy anët e Atlantikut, konsultimet, koordinimi dhe bashkëpunimi do të marrin përparësi në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë. Çështjet që shtrohen për diskutim kanë të bëjnë me qasjet e përbashkëta transatlantike në lidhje me Kinën dhe Rusinë, me taktikat e përbashkëta për ri-angazhimin në Iran dhe përgjigjet ndaj ndryshimeve klimatike, NATO-s dhe pandemisë së coronavirus-it.

Në këtë kuadër, marrëdhëniet dypalëshe midis Gjermanisë dhe SHBA-ve, kanë potencialin për të përcaktuar karakterin dhe përmbajtjen e ardhshme të marrëdhënieve transatlantike. Disa përfaqësues gjermanë nga akademia, ushtria dhe politika, zhvilluan pesë kërkesa thelbësore për një marrëveshje të re midis dy shteteve “me qëllim forcimin e rolit të SHBA-së në Evropë, dhe për të zhvilluar një seri të re detyrash transatlantike.

Konsensusi i ri përqendrohet në pesë fusha kryesore të politikës: Kina, NATO, pandemia e coronavirus-it, klima, teknologjia dhe tregtia. Kësaj liste i shtohet Ballkani Perëndimor, për të arritur “qëllimin e Evropës së madhe, së lirë dhe në paqe”. Sigurisht, Ballkani Perëndimor është pjesë e pesë fushave të tjera thelbësore, por roli i tij unik (i Evropës, por jo akoma në Evropë) e veçon atë përsa i përket vëmendjes.

Vlen të theksohet se Ballkani Perëndimor nuk është thjesht një temë tjetër që kërkon vëmendje, ndërsa administrata e Biden hedh sytë në përmirësimin e marrëdhënieve me Evropën. Përkundrazi, zgjidhjet në Ballkanin Perëndimor janë pjesë përbërëse e suksesit të përparësive të tjera në marrëdhëniet transatlantike.

Kjo do të thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të kontribuojnë në zgjidhjet e çështjeve kryesore ndërkombëtare të kontrollit të pandemisë dhe ndryshimit klimaterik duke u dhënë hua peshën e tyre përpjekjeve multilaterale transatlantike; ato mund të forcojnë rëndësinë dhe rolin e NATO-s ndërsa ajo ripërcakton misionet dhe përparësitë e saj; ata mund të jenë në ballë të përpjekjeve transatlantike lidhur me adresimin ndaj Kinës, për sa kohë që përvoja e tyre gjatë dekadës së fundit me ‘Nismën për Rripin dhe Rrugën’ dhe ’17 + 1′ u jep atyre njohuri dhe interesa unike; dhe ato mund të jenë pjesë e përpjekjeve të BE-së për të aktivizuar përgjigjet ndaj çështjeve të tregtisë dhe teknologjisë, duke i dhënë kështu një impuls të ri kuptimit dhe të ardhmes së interesave të zgjerimit të BE-së.

Integrimi në BE dhe bashkëpunimi transatlantik: Dy anët e së njëjtës monedhë

Ballkani Perëndimor nuk është në gjendje të shkëlqyeshme, pasi po vuan rënien më të keqe ekonomike në 20 vitet e fundit. Pandemia e Covid-19 ka dëmtuar rëndë shëndetin fizik, shoqëror dhe ekonomik të rajonit. Divergjenca ekonomike me Evropën Perëndimore po rritet.

10 vite më parë, të ardhurat mesatare për frymë të rajonit përbënin 15% të mesatares së BE-së për frymë. Sot, përbëjnë vetëm 14%, me 6 mijë dollarë të ardhura mesatare për frymë.

Ndërsa qeveritë kanë miratuar masa emergjente dhe paketa të mbështetjes ekonomike, shkalla e sfidave me siguri ka tejkaluar kapacitetet e tyre kombëtare për t’iu përgjigjur.

Vendet e rajonit janë në disavantazh kritik në krahasim me vendet e BE-së në aftësinë e tyre për t’u marrë me krizat ekonomike, pasi atyre u mungojnë fondet dhe aftësitë.

Kjo situatë do të ndikojë në ritmin e reformave ekonomike, demokratike dhe sociale që janë kritike për integrimin në BE.

Procesi aktual i integrimit në BE ka ngecur. Pandemia i ka përkeqësuar gjërat, duke nënvizuar mangësitë e politikës së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, si dhe divergjencën ekonomike dhe politike të këtij të fundit lidhur me standardet e BE-së.

Kriza e vitit 2020 ka favorizuar njerëz të fortë që tërhiqen gjithnjë e më shumë nga modelet kineze dhe ruse të kapitalizmit autoritar.

Por edhe një herë, në vend që të shohë kandidaturat e Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE si një tjetër çështje në një listë të gjatë të problemeve të BE-së, komuniteti transatlantik, në vend të kësaj, mund të shfrytëzojë interesat dhe përvojën e Ballkanit Perëndimor në adresimin e të ardhmes. Duke vepruar kështu, ai do t’i japë një rëndësi të re dhe shtyrje anëtarësimit në BE, drejt në një epokë të re, dhe si rrjedhim, atë të një Perëndimi të forcuar.

Integrimi evropian dhe bashkëpunimi transatlantik janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme si dy anët e së njëjtës medalje. Kjo është gjithashtu qendra e gravitetit për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Pas Luftës së Dytë Botërore, prania dhe angazhimi i SHBA-së si një fuqi Evropiane, siguroi paqen dhe stabilitetin në kontinentin Evropian dhe krijoi kushtet për integrimin dhe prosperitetin Evropian.

Në vitet 1990, roli i SHBA-së ishte i domosdoshëm për sjelljen e paqes në Ballkan pas shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë. Sot, “pyetjet e hapura në Ballkan” dhe integrimi Euro-Atlantik i rajonit mund të arrihen vetëm përmes një qasjeje transatlantike.

Strategjia e Përbashkët Gjermano-Amerikane Drejt Ballkanit Perëndimor

Marrëdhënia e gjatë e Biden-it me Ballkanin duhet të lehtësojë rrugën për rikthimin e transatlantizmit dhe rindezjen e përpjekjeve të përbashkëta në integrimin Euro-Atlantik të rajonit.

Qasja e re transatlantike ndaj Ballkanit Perëndimor duhet të përqendrohet në vlerat thelbësore demokratike. Duke marrë parasysh shumë sfida me të cilat përballet SHBA-ja dhe BE-ja në epokën e re të konkurrencës së fuqisë së madhe, suksesi në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një detyrë shumë e arritshme, por edhe një provë e lakmusit për të ardhmen e integrimit evropian.

Një strategji e përbashkët transatlantike, me marrëdhëniet gjermano-amerikane si shtylla kurrizore e aleancës, duhet të përqendrohet në fushat kryesore: integrimi euro-atlantik i rajonit, zgjidhja e çështjeve dypalëshe, qëndrueshmëria, Kina dhe zhvillimi ekonomik dhe siguria e energjisë.

Le të shohim disa shembuj. Tani që Evropa dhe Amerika janë duke biseduar përsëri, duhet të jetë e lehtë (të paktën institucionalisht) të dalësh me një axhendë të përbashkët për problemin e ngutshëm të Kosovës dhe Serbisë.

Mekanizmi i një udhëheqjeje të BE-së me negociatorin e saj, Miroslav Lajcak, në një bashkëpunim të ngushtë me diplomacinë amerikane mund dhe duhet të tejkalojë qasjen e viteve të fundit.

Kjo do të thotë që fushë veprimi i Lajcak-ut duhet zgjeruar, për t’u përfshirë jo vetëm në zgjidhjen e çështjes së ngatërruar midis dy vendeve, por duke vënë në dukje Beogradit dhe Prishtinës se si bashkëpunimi i tyre në shëndetin publik, arsimin dhe partneritetin në teknologjinë e lartë, qeverisjen digjitale dhe teknologjinë e gjelbër mund t’i sjellë ata në të njëjtën linjë.

Për ta bërë këtë do të kërkohet vëmendje për çështje të tilla si korrupsioni dhe sundimi i ligjit, por jo vetëm sepse perëndimi insiston në këtë pikë, por sepse pa trajtuar këto probleme Kosova dhe Serbia nuk do të jenë partnerë realistë në ekonominë e re post-coronavirus-it dhe zhvillimin politik.

Kinë: Bëj aleatë vendet e Ballkanit Perëndimor

Një temë tjetër prioritare për Evropën dhe Amerikën është Kina. Rritja e Kinës përfaqëson sfida të rëndësishme për komunitetin transatlantik, dhe si e tillë është shumë në majë në listën e përparësive për të përcaktuar një strategji të përbashkët transatlantike për t’u përqendruar në ekonomi, siguri dhe teknologji.

Në Ballkanin Perëndimor, aktivitetet e rritura kineze përmes tregtisë, investimeve, por gjithashtu edhe  përmes veprimtarive arsimore dhe mediatike kanë forcuar pozicionin e saj në rajon. Kështu,  qasja e çdo koordinimi mes BE-së dhe SHBA-së ndaj Kinës duhet të përfshijë Ballkanin Perëndimor.

Ballkani Perëndimor nuk duhet parë si një çmim që njëra apo tjetra palë do ta fitojë.

Përkundrazi, përparësia e madhe e një qasjeje të përbashkët perëndimore është se mund të sjellin Ballkanin Perëndimor në strategjinë evolucionare ndaj Kinës. Me fjalë të tjera, vendet e Ballkanit Perëndimor duhen trajtuar si partnerë.

Nevojitet një angazhim më i fortë transatlantik për të ndërtuar qëndrueshmëri në rajon ndaj ndikimit kinez dhe për të kundërshtuar narrativat propagandistike, veçanërisht për të mbështetur dimensionin demokratik. Përfundimi: bëj aleat vendet e Ballkanit Perëndimor, jo objekte.

Teknologjia dhe tregtia ofrojnë të njëjtën mundësi. Në të dy anët e Atlantikut, ne do të përqendrohemi në talentin njerëzor, promovimin e tregtisë së lirë dhe inovacionit, duke trajtuar deficitet e larta sovrane dhe sfidat e sigurisë globale.

Një strategji e tillë duhet të drejtohet drejt gjallërimit të konkurrencës së Perëndimit dhe promovimit të kushteve që Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja të drejtojnë një treg të bazuar në “vlera”.

Në këtë kuadër, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet Ballkanit Perëndimor, për të mbështetur zhvillimin socio-ekonomik të vendeve që aktualisht janë të prekshme nga detyrimi ekonomik prej lojtarëve “të gabuar”.

Hendeku ekonomik dhe infrastrukturor i rajonit me BE-në mjafton për të vendosur çështjen e Ballkanit Perëndimor si prioritet në agjendën transatlantike. Rajoni duhet të përfshihet në Nismën “3 Seas” të udhëhequr nga Uashingtoni dhe projektet e reja, në bashkëpunim me planet e investimeve të BE dhe Procesin e Berlinit.

Më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet rajonit kur bëhet fjalë për prodhimin e mallrave të domosdoshëm brenda ekonomisë transatlantike. Kjo sepse duhet zvogëluar varësia e tepërt nga Kina.

Në të gjitha këto fusha, ballafaqimi me Ballkanin Perëndimor nuk është çështje e vendosjes së një problemi tjetër në një listë të sfidave të përbashkëta për Evropën dhe Amerikën. Kjo listë është tashmë shumë e gjatë.

Por, nëse Ballkani Perëndimor do të marrë vendin e tij të duhur në komunitetin Euro-Atlantik, atëherë Evropa dhe Amerika duhet t’i ftojnë ata të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve globale dhe të përbashkëta të Euro-Atlantikut.


Lajmet kryesore