Opinione / Politikë

Albini është abstraksion, Kurti kryeministër realiteti


Xhezair Dashi Gazetar ne Albanian Post

Kur isha në gjimnaz, temperamenti dhe konstituenca psikologjike e ime mospajtuese, anti-establishment, anarkike ndaj politikës, autoritetit, shoqërisë, e sidomos kotësisë që e jetoja në institucionin skajshmërisht të padenjë shkollor, gjente njëfarë korrespodence me diskursin dhe profesimet subvertive të Albin Kurtit (2010-2012).

Kjo, sigurisht, prej modusit emocional të një tinejxheri kuller e roker, me doza egalitarizmi e marksizmi (tejet të zbehta, sepse nuk posedoja bagazhin konceptual për t’i përtypur, e assesi t’i tretja, premisat mbi çfare ndërtohej ajo ideologji). Por, ishte katalizator ndaj rrebelizmit krudo, paraprak, ekzistues.

Diskursi i Albinit, atëbotë timen, ishte njëfarë thjeshtësie përfundimtare e ndërtimit të hartës mendore për të naviguar rreth çeshtjeve socio-politike, njëfarë “political reality for dummies”, që atëherë më dukej që këta “dummies” tjerë s’e shohin. Rrjedhimisht simpatia.

Dukej si një “Rage against the machine” sociologjike, e thjeshtuar për tinejxherë.

Komplementohej gjithçka. Shkolla, relikë e së shkuarës. Familja, konzervatizëm puro. Ekonomia, gomarizëm me karrotë kapitaliste. Kultura, e mekdonalldizuar. Muzika, pornografi e idiotizëm i monetarizuar.

Lexoja Dostojevskin, si plagjiaturë letrare të Ungjillit të jetës politikës kosovare, që të shpiente aty, në ekplozion rrebelor ndaj “të keqes dhe padrejtësisë”.

Predispozitat ishin, në fak, të plota për t’u militantizuar në Vetëvendosje. Por, asnjëherë duke mos e bërë. Jo se s’ndjehesha, por urreja gjithmonë llogot dhe etiketat. Mendoja se njeriu merr fund kur i ngjet vetes llogo. Kur ç’individualizohet. Andaj edhe divideti mbeti marka shënjuese. Kjo, në fakt, ishte dostojevskiane. Mbase unë e kisha lexuar Dostojevskin më mirë se të gjithë. “Unë jam një, ata janë gjithë”, rënkon shkrimtari rus.

Pakënaqësia ishte lajtmotiv, kreshendot i ipte Albini. Ai kishte monopolizuar amplifikimin e saj. Augmentimin e saj. S’kishe si të shurdhoheshe nga zëdhënja, por nga heshtja, që nuk ishte opsion. Andaj edhe karremi popullizmit bëhej momokromatik me “të Vërtetën”.

Por me maturinë mendore, në të njëzetat, nisa njëfarë albinometrie, për të matur tymin e tij që s’i shihej kurrë zjarri. Mjegulla e injorancës sime nisi të zhveshej, e me të e shihja zhveshshëm edhe popullizmit.

Krejt nisi të bëhej qesharake. Edukimi im plotësohej, rridikulizmat e tij më bëheshin të qarta. Frazeologjia e tij në raport me faktologjinë ishte hendek marramendës. Ai ishte.misantropist politik, unë me të vërtetë e gjeja vetën filialistik. Ende doja.

Konstituenca psikologjike ishte e mirë. Kisha urryer korrupsionin, por më mungonim premisat bazike për ta vlerësuar atë. Pa përvojë, pa dije, si do ta dija?

Andaj, edhe edukimi ishte ekzorcizmi i nevojshëm për të mos parë me lente të gatshme demagogësh e ideollogësh.

Marksizmi, kuptova, ishte urrejtje, jo barazi. Ajo premisohej mbi urrejte, jo ndaj dashurisë për sferat e shtypura të shoqërisë.

Albini, kuptova, nuk ishte kundër eksploatimit njerëzor, ai ishte mega-eksploatuesi i pakanëqësisë dhe palumuturisë së akumuluar në kohë, dhe kapitalizuesi më i madh mbi to. Ai ishte kapitalisti i emocioneve. Kundër kapitalit monetar, për atë emocional.

Albini Kurti është abstraksion, ekzistencë vetëm mendore, pa asnjë prekje në realitet, mirazh.

Ndërsa Kryeministri Kurti, ai është realiteti i rritjes së çmimit të gjithçkaje e mos-a-rritjes së asgjëje.

Ekzorcizmi është [edhe] shëndet.


Lajmet kryesore