Opinione / Editoriale

Albin Kurti ist ein Betrüger


Lirim Mehmetaj Albanian Post

Një fillorist në Serbi në orën e historisë do të mësojë se si në ish-Jugosllavi udhëheqësit e Serbisë filluan luftëra shkatërruese në dëm të popujve të tjerë, vranë fëmijë, masakruan civilë dhe dhunuan gra.

Ndonjëherë, me raste, iu shkon në klasë një shqiptare e dhunuar në luftë, për t’iu treguar se çfarë i ngjau.

Shkolla i dërgon në ekskursione në Reçak, Meje, Izbicë, Rezallë, Krushë, Studime e vende të tjera nëpër Kosovë për t’iu treguar masakrat e strukturës policore/ushtarake serbe.

Në meshën e radhës në ndonjë Kishë në Beograd dëgjojnë nga kleriku për brutalitetin e llahtarshëm të Sllobodan Millosheviç-it, për vrasjet në masë dhe për represionin e vazhdueshëm.

Derisa, kur lexojnë lëktyra shkollore gjejnë histori të tjera të dhunës e agresionit serb.

Serbia zyrtarisht fillon një përballje me fajin historik. Mekanizmat përtej shtetërorë organizohen që populli serb ta pranojë sinqerisht se një e kaluar e tillë kriminale ka ndodhur dhe se ata duhet të përpiqen për të korrigjuar gabimet (për aq sa korrigjohen), se kanë mësuar nga ai gabim fatal dhe se do të ecin përpara, gjithmonë duke e pranuar fajësinë historike.

Ata – kolektivisht – e pranojnë të vërtetën, dëmet që shkaktuan, jetët që zhdukën, si një formë e shërimit pa harresë.

Serbët kërkojnë një vetëdije morale më të lartë që nuk është vetëm marrje e përgjegjësisë, por gjetja e një lidhje përtej se fajësisë edhe me viktimën, duke provuar që kështu të gjendet ndjeshmëria e sinqertë që krijon mundësinë për t’u çliruar nga e kaluara, pa u larguar nga fajësia.

Kjo është “Vergangenheitsbewältigung”, fjala që s’dinte ta shqiptonte Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës, e cila shpjegon procesin e përshkruar më lartë.

Këtë – gënjeu kryeministri – e ka arritur në Bruksel dhe Vuçiç është pajtuar.

Pa kurrfarë shqetësimi për gënjeshtrën e paskrupullt, tha se kalimi nëpër këtë proces gjendet në preambulën e Marrëveshjes për rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në pjesën ku thuhet “…to overcome the legacy of the past (tejkalimi i trashëgimisë të së kaluarës)”

Për sqarim, “Vergangenheitsbewältigung” është kur populli serb e pranon pa detyrim dhe sinqerisht se një e kaluar e tillë ka ndodhur me të vërtetë, se ka ndodhur prej tyre dhe më pas përpiqet të bëjë çmos për të korrigjuar gabimet që janë bërë dhe provon të ecë përpara.

E vërteta në ndërlidhjen e kryeministrit është po aq larg sa pranimi i të vërtetës nga shteti e populli serb.

Vergangenheitsbewältigung” në asnjë rast nuk përkthehet as s’bëhet dot referencë e fjalisë “to overcome the legacy of the past”.

Vergangenheitsbewältigung” mund të përkthehet si “sfida e tejkalimit të së kaluarës” në rastin më të afërt, apo “përpjekja që kërkohet për ta përballuar të kaluarën”, ose përkthimi më i shpeshtë “përballja me të kaluarën”.

Edhe fjalori gjerman “Duden” e definon “Vergangenheitsbewältigung” si “debati publik brena një vendi për një periudhë problematike të historisë së vet” ku me “periudhë problematike” nënkuptohen ngjarjet traumatike që ngjallin nevojën për pyetjet e ndjeshme të fajit kolektiv.

Në rastin e Gjermanisë, saktësisht fjala i referohet krimeve të luftës dhe Holokaustit. Pra përshkrimi i një procesi që përtej denazifikimit institucional, kërkon denazifikimin psikologjik.

Përkundër se qartësisht i shpjeguar nocioni, filozofi gjerman Theodor Adorno, kishte refuzuar fraza të tilla si më sipër, pasi besonte se ishin çorientuese, meqë mund të nënkuptohen edhe si ide për  ta tejkaluar të kaluarën duke e harruar. Ai argumentonte se kjo shkakton mohim, më shumë se sa reflektim kritik për të kaluarën. Prandaj donte diçka edhe më të rëndë.

Fjala “Vergangenheitsbewältigung” vjen nga gjermanishtja, sepse atje ndodhi ky proces i pranimit të fajit kolektiv, reflektimit për të kaluarën, kujtimit dhe çlirimit nga e kaluara duke kujtuar.

Institucionet, shkollat, literatura, letërsia, filozofia, pati një valë dedikimi këtij shërimi përmes njohjes së sinqertë me trashëgiminë naziste.

Vergangenheitsbewältigung” ishte parë si “hapi logjik i radhës” pas denazifikimit zyrtar të udhëhequr nga Forcat e Aleancës dhe nga qeveria e Unionit Kristian-Demokratik në krye me Konrad Adenauer. Filloi në vitet e vona të 1950-së dhe në fillim të 60-së, pasi periudha e rindërtimit (Wiederaufbau) ishte drejt fundit dhe nuk zinte më aq shumë vende në preokupimet e institucioneve.

Pas zëvendësimit të strukturës në pushtet dhe administratës, qëllimi i gjermanëve u bë pranimi i sinqertë se një e kaluar e tmerrshme kishte ndodhur dhe kishte ndodhur me fajin e tyre. Ata donin të pajtoheshin më këtë të vërtetë, të përmirësonin aq sa të mundnin, dhe të lëviznin përpara me pajtimin për çfarë kanë bërë.

Ky ishte procesi që u përshkrua me “Vergangenheitsbewältigung”.

S’ka nevojë për dije të mëdha për ta kuptuar se a ekziston ky vullnet në Serbi. Njohuritë bazike të strukturës politike, fetare, universitare, mediatike e shoqërore atje, mjaftojnë për ta konstatuar se a është gati Serbia ta instalojë përmes mekanizmit shtetëror ndjenjën e fajit, pranimin e krimit dhe nisjen e procesit të pendesës.

Serbia akoma as që ka kërkuar falje.

Liderët aktualë politikë janë zgjatim i atij sistemi kriminal. Ata nuk e fajësojnë as udhëheqësin Slobodan Millosheviç, madje e kujtojnë me vlerësim.

“Qëllimet i kishte të mira, por metodat e gabuara”, pati thënë njëherë presidenti aktual serb, Aleksandër Vuçiç, duke përshkruar të bëmat e Millosheviç-it viteve 90-ta në Ballkan.

Kisha Ortodokse Serbe, hartuesja jo formale e politikave fashiste, kërkon që asnjëherë të mos hiqet dorë nga Kosova, derisa kinematografia serbe prodhon filma duke i prezantuar shqiptarët si terroristë dhe serbët si viktima.

Serbët – përkundër tri luftërave të shkaktuara në Ballkan, qindra mijërave të vrarëve, gjenocidit në Bosnje, dhunimit masiv – e kanë politikë zyrtare se dolën të dëmtuarit nga luftërat.

Duke qenë krejtësisht i vetëdijshëm për dy realitete të kundërta, dallimin mes gjermanëve të pasluftës së dytë botërore e serbëve të sotëm, kryeministri Kurti – fare pakuptueshëm – u tha kosovarëve me një lehtësi të padurueshme se për këtë është pajtuar Serbia në Bruksel.

Ai, duke gënjyer, provoi ta pështjellojë fjalinë e preambulës me një proces krejtësisht unik që s’e ka bërë asnjë shtet tjetër i botës, aq më pak është gati ta bëjë Serbia.

Shënim: Albin Kurti ist ein Betrüger (Albin Kurti është mashtrues)


Lajmet kryesore