Opinione / Editoriale

Albin Kurti dhe aleanca e pafytyrësisë


Baton Haxhiu Gazetar

Pafytyrësia politike e Albin Kurtit është skandal historik në skenën e Kosovës, ku njeriu që dikur sulmonte Ibrahim Rugovën tani përdor monumentin e tij për të shitur gënjeshtrat dhe hipokrizinë e tij politike.

Dikur kritik i ashpër, tani shfaqet në zbulimin e monumenteve të Rugovës së bashku me përfaqësuesit e tij politikë. Ky është një shembull i transformimeve politike hipokrite dhe të motivuara nga interesat elektorale.

Kjo edhe do të tolerohej deri diku, nën arsyetime për ndryshime pozicionesh si lëvizje taktike brenda nevojës së pragmatikut për ta mbajtur vetën në pushtet mbështetur mbi supe të kujt të mundet, edhe të Rugovës në këtë rast.

Por, në rastin e Kurtit është shumë më ndryshe. Dy janë arsyet kryesore, mes shumë të tjerave.

E para, Albin Kurti ishte kundër Ibrahim Rugovës para luftës në Kosovë jo se vetë nuk dëshironte rezistencë paqësore, por luftë. Ai ishte kundër Rugovës sepse deklaronte se Rugova nuk di ta bëjë rezistencën fare.

Ndryshe nga krahu i luftës që e vlerësonte se rezultatet e rezistencës së Rugovës janë vjelur dhe tash duhet zgjatim e shkallëzim drejt rezistencës së armatosur, Kurti sulmonte brenda oborrit paqësor, meqë edhe vetë i takon idesë së joviolencës.

E dyta, Albin Kurti nuk ka vendosur të bëjë një pol kundërshtues me Rugovën dhe të matet me të, rrjedhimisht me partinë e tij. Ai, përmes kuajve të Trojës si Vjosa Osmani e Shpejtim Bulliqi, ka provuar – në një shkallë të suksesshme do thosha – ta gërryejë LDK-në nga brenda.

Albin Kurti nuk e do Rugovën asi si trashëgimi e as si moment politik i shqiptarëve dhe çfarë mënyrë më të mirë do të gjente për të provuar zhbërjen e kësaj trashëgimie përveçse ta copëtonte LDK-në deri në 100 mijë vota, rezultati më i dobët në histori të kësaj organizate të rëndësishme politike.

Normalisht, Kurti është ekstremi i ndyrësisë së luftës politike, por nuk qëndron i vetëm në baltën e madhe nëpër të cilën notojnë politikanët e Kosovës.

Vjosa Osmani për shembull, dikur kritike ndaj Albin Kurtit, bashkohet me të për të fituar zgjedhjet.

Njëherë e reklamuar si djathtiste e përbetuar që bënë luftë kundër Hugo Chavez-it të Kosovës, ajo kapërceu në anën tjetër në momentin e parë që kuptoi se andej ka më shumë për të ngrën (pushtet kuptohet).

Ky fenomen i ndryshimit të  aleancave tregon se në politikën e Kosovës, koherenca ideologjike është e dorës së dytë krahasuar me interesat personale dhe qëllimet e përbashkëta momentale.

Përplasjet dhe akuzat e rënda që bëhen mes palëve për shkak të trashëgimisë së Rugovës, tregojnë një mungesë thelbësore të respektit për historinë dhe parimet politike të tij, dhe më tepër ndjekjen e interesave të ngushta partiake.

Në politikën moderne të Kosovës, po na ndodh një fenomen i përhershëm: mungesa e moralit politik, ku aleancat dhe qëndrimet politike ndryshojnë në varësi të interesave të ditës, si në ceremoninë e zbulimit të monumentit të Ibrahim Rugovës në Podujevë ku figura kryesore e tij u përdor brutalisht në prag fushate për qëllime politike.

Këtu kemi një shembull të asaj që mund të quhet “moral politik i pamoralshëm”, ku ndjenjat dhe qëndrimet ndaj simboleve kombëtare shiten për përfitime elektorale.

Kurti, dikur kundërshtar i ashpër i filozofisë rugoviane, qëndron përkrah monumentit të tij në një veprim të pastër politik për të tërhequr simpatinë e atyre që ndjehen të lidhur me figurën e Rugovës, derisa krijesën e tij, LDK-në, e shkatërron ngadal.

Fenomeni i ndryshimit të vazhdueshëm të aleancave politike pa ndonjë reflektim mbi historinë dhe parimet politike është një simptomë e një problemi më të thellë në shoqërinë tonë. Kjo mungesë morale tregon sesi politika në Kosovë nuk udhëhiqet nga parimet apo vlerat, por nga oportunizmi. Në një skenë politike ku morali përdoret si një mjet për të arritur qëllimet e momentit, dëmtimi i besimit te udhëheqësit politikë është i pashmangshëm.

Pyetja që duhet të shtrohet është: A mund të kemi një shoqëri me politike të pashëndetshme kur udhëheqësit e saj nuk kanë ndonjë parim moral për të qëndruar të përhershëm? Pa ndjenjë të fortë të moralit politik, çdo udhëheqës mund të bëhet i ndërrueshëm, dhe rruga drejt drejtësisë dhe zhvillimit mund të humbasë në pragmatizmin e pamoralshëm.

Për të kuptuar pse votuesi shpesh nuk e vëren këtë shkarje të rëndë morale, duhet parë përmes prizmit të ndikimit socio-politik dhe dinamikave që udhëheqin vendimet elektorale. Në shumë raste, votuesit janë të kapur në ciklin e përditshëm të mbijetesës dhe sfidave ekonomike, duke mos pasur hapësirë për të reflektuar mbi moralin politik të udhëheqësve të tyre.

Gjithashtu, diskursi politik në Kosovë ka krijuar një klimë ku retorika populiste dhe premtimet e mëdha i përmbysin vlerësimet morale. Shpesh votuesi ndjehet i manipuluar nga premtimet që i ofrojnë një zgjidhje të shpejtë për problemet konkrete dhe të prekshme, ndërsa nuk vë re degradimin moral dhe mungesën e koherencës në veprimet e liderëve.

Për më tepër, politika shpesh bëhet një lojë e perceptimeve. Liderët krijojnë imazhe të forta për të fituar mbështetjen e votuesve, dhe media, për shkak të ndikimeve të shumta, rrallë ndihmon për të zbuluar këto kontradikta morale. Përballë këtij realiteti, votuesi bëhet indiferent ndaj moralit dhe shpesh ndjek atë që duket si më e sigurta për interesin personal apo të komunitetit.

Në këtë kuptim, votuesi mund të mos e ndjejë shkarjen morale, sepse sistemi është i dizajnuar për të shpërqendruar dhe për të vendosur mbi prioritete afatshkurtra në vend të parimeve afatgjata.

Politika e Albin Kurtit po bëhet një treg i transaksioneve ku morali është një mall që mund të ndërrohet dhe zëvendësohet sipas nevojës. Kjo krijon një klimë ku zgjedhjet nuk janë më reflektim i vlerave, por të udhëhequra nga perceptimet dhe interesat momentale, duke shkaktuar humbjen e një ndjenje të përbashkët të drejtësisë dhe etikës në politikë.

Kur politika mbështetet te njerëz pa ndërgjegje, fundi i tyre është i pashmangshëm: një rënie e turpshme që do të mbahet mend si një dështim i përhershëm i njerëzve të cilët shkelën çdo parim për pushtet të përkohshëm.


Lajmet kryesore