Opinione / Editoriale

A duhet Kosova ta njohë Serbinë?


Čedomir Petrović Regjizor filmash serb, i cili jeton në Beograd

“Është e pamundur t’i shtypësh arnautët (shqiptarët) vetëm me kolonizim gradual… Mënyra dhe mjeti i vetëm është forca brutale e një qeverie të organizuar shtetërore, në të cilën ne kemi qenë gjithmonë superiorë mbi ta. Vetëm një vend i banuar nga populli i tij mund të mbijetojë”.

Kjo nuk është nënshkruar nga Hitleri, Goebbels, apo të tjerë të së njëjtës kauzë.

“Dëbimi i arnautëve” është një memorandum i shkruar në 1937nga Vaso Çubriloviç, asistent-profesor në Fakultetin Filozofik në Beograd, i cili në atë kohë drejtohej nga Slobodan Jovanoviç dhe Dragisha Vasiç.

Teksti konsiderohet si një nga dokumentet themelore të ideologjisë së Serbisë së Madhe të shekullit XX, ku renditen idetë që i përdorën autoritetet serbe gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, me qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve, myslimanëve dhe kroatëve.

Gjithashtu, krimet kundër shqiptarëve, që u kryen gjatë luftërave ballkanike, nga forcat ushtarake dhe policore të Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi. 120 mijë shqiptarë, të të dy gjinive dhe të të gjitha moshave u vranë.

Qeveria e Milan Stojadinoviç-it nuk arriti të zbatonte memorandumin. Arsyeja ishte fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe shembja e Mbretërisë së Jugosllavisë.

Komunistët do të refuzonin me ndrojtje idetë e Vaso Çubriloviç-it, por Millosheviçi pa ngurrim do të pranonte planin për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova në 1999, të quajtur “Operacioni Patkoi”.

Plani do të përfshinte një fushatë brutale dhe masive të spastrimit etnik, të kryer nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së vitit 1998-1999.

Sipas Çubriloviç-it, kolonët serbë duhet të armatoseshin, për të nxitur e shkaktuar një konflikt të drejtpërdrejtë midis malazezëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

Trazira dhe frika duhet të nguliteshin në popullin shqiptar. Kërcënimet dhe paratë duhet të shërbenin për t’i detyruar të emigronin.

Gjobitjet e rënda, në një jetë tashmë të vështirë dhe të varfër, prerja e pyjeve, hedhja në erë e kafshëve, detyrimi me forcë i njerëzve në punë… Mbledhje të pamëshirshme të taksave, konfiskim të kullotave shtetërore dhe komunale.

Gjithashtu, Çubriloviç-i propozoi presion mbi besimin fetar, poshtërim të prijësve fetarë, rihapjen e varreve, ndalimin e poligamisë; djegien në fshehtësi të fshatrave dhe lagjeve shqiptare në qytete.

Vaso Çubriloviç, akademik, historian, dy herë ministër, profesor universiteti, fitues i çmimeve… anëtar i organizatës revolucionare “Bosnja e Re” dhe pjesëmarrës në atentat, u bë një nga krijuesit përfundimtarë të lindjes së Serbisë mbinjerëzore.

Ai nuk do të ishte në realitet “Übermensch-i” (Mbinjeriu) i Niçes. Do të ishte abuzues, fals, ashtu siç ishte Hitleri. Ngjashëm, siç ndodhi kur ai do të vinte në krye të Gjermanisë, po ashtu do të ndodhte edhe në Serbi.

Rreth 10 mijë shqiptarë të Kosovës u vranë në tre muajt e përgjakshëm e të çmendur të vitit 1999.

Ushtria dhe policia e RFJ-së së atëhershme, nën kontrollin e udhëheqjes së shtetit, dëbuan mbi 850 mijë shqiptarë të Kosovës nga Kosova.

Kur ata largoheshin nga vendi, autoritetet kufitare konfiskonin dokumentet personale dhe provat e tjera të shtetësisë nga qytetarët e dëbuar, duke fshirë sistematikisht identitetin e tyre.

Millosheviçi kishte urdhëruar që të gjitha kufomat në Kosovë, që mund të ngjallnin interes për Gjykatën e Hagës, të zhdukeshin nga Kosova.

Gjatë viteve 1998 dhe 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen shkatërrime të mëdha, masakra, zjarrvënie, helmime pusesh, përdhunime, grabitje e vrasje të civilëve…

Krimi më i tmerrshëm, të cilin nuk mund ta pranojë as një mendje normale e njeriut, u krye në vitin 1998 në Prekaz, në zonën e Drenicës.

Forcat e mëdha të policisë ushtarake serbe, të armatosura me tanke dhe artileri të rëndë, rrethuan shtëpinë e familjes Adem Jashari dhe, për tri ditë e tri net, qëlluan pa dallim ndaj grave, fëmijëve, të moshuarve dhe civilëve të tjerë.

Helikopterët dhe automjetet ushtarake goditën çatitë e fshatit me breshëri dhe më pas, forcat e policisë hynë në fshat, duke qëlluar me zjarr në shtëpi.

Forcat serbe të sigurisë, me ndihmën e ushtrisë serbe, vranë 56 anëtarë të familjes së Jasharit. Midis tyre, 18 gra dhe 10 fëmijë. Fara u shkatërrua, u krye një gjenocid ndaj një familjeje.

Pas gjithë këtyre krimeve monstruoze, pamjet (imazhet ose fotografitë) mund të krahasohen veç me imazhet e krimeve fashiste në Luftën e Dytë Botërore… A duhet Republika e Kosovës, në fund të fundit, ta njohë Republikën e Serbisë?

Çdo kafshë dhe çdo njeri në këtë botë të trishtuar ka të drejtë të mbrojë veten kur dikush e sulmon atë. Ashtu si njerëz të një vendi, ata ishin në pritje për t’u vrarë, deri tek i fundit.

Shumë shqiptarë, që ishin mbështetës të politikës së paqes, jo të dhunës, pas krimeve kundër familjes Jashari, u rreshtuan përkrah rezistencës së armatosur.

Një numër i madh i oficerëve të policisë, që morën pjesë në aksione kundër shqiptarëve në Kosovë, në Serbi ende konsiderohen heronj të luftës.

Hetimi në Serbi është i ngadaltë, sepse shumë janë larguar nga vendi, ndërsa disa prej autorëve janë akoma në radhët e policisë.

Kjo histori duhet të tregohet, ajo e vërteta, për krimet e pakuptimta të një populli kundër një populli tjetër dhe kundër vetes.

Serbët vrisnin edhe serbët

Dy sulmues të maskuar, të veshur me uniforma të zeza me shenja të UÇK-së, hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe vranë me armë automatike gjashtë të rinj me kombësi serbe. Kjo ngjarje ishte 22 vjet më parë. Masakra u organizua nga Shërbimi i Sigurimit të Shtetit të Serbisë.

Publiku ndërkombëtar duhet të ishte portretizuar nga UÇK-ja si një organizatë terroriste, kurse veprimet e forcave serbe në Kosovë duhet të ishin të justifikuara.

“Unë besoja në vendin tim, në Serbi, luftëtarët e së cilës janë të drejtë. Por, duket se ajo krijoi monstra që ishin në gjendje të sakrifikonin fëmijë të pafajshëm. Ata mbollën urrejtje. Nuk e di se si është e mundur që Serbia të lindë monstra të tillë. Si funksionon ky truri juaj?”

Milena, nëna e njërit prej të rinjve të vrarë, shqipton fjalë tronditëse.

Nuk kishte asnjë shqiptar në afërsi të vendit të ngjarjes, por vetëm forcat ushtarake dhe policore serbe.

Ata vranë Oliver Ivanoviçin. E vunë në grackë nga prapa, në pabesi. Pra, vetëm frikacakët më të mëdhenj vrasin kështu.

Dhe vdekja flet në heshtje… Të gjitha gjurmët e vrasësve dhe ideatorëve çojnë në Beograd.

Dhe kush e di se sa mizori të tjera ishin kryer nga ushtria dhe policia serbe, të maskuar me uniformat e UÇK-së?

Unë kërkoj falje për të gjitha mëkatet e popullit tim kundër popullit shqiptar.

Dhe unë do t’i fal mëkatet e tyre.

Le të vijnë ata serbë, që nuk kanë kryer krime e që dëshirojnë fqinjësi dhe jetë të lumtur të pavarur dhe të lirë në Republikën e tyre të Kosovës.

Urojmë që ata të bëhen anëtarë të plotë të KB-së, BE-së, NATO-s, UNESCO-s, Interpol-it dhe në të gjitha organizatat e tjera në të cilat i takon të jetë Republika e Kosovës.

Që serbët dhe shqiptarët të fillojnë të jetojnë një jetë të qetë dhe të sigurt së bashku.

Pas gjithë vuajtjeve që ata kanë kaluar në historinë e tyre, si pak njerëz në botë, shqiptarët në Kosovë, janë duke pritur për fillimin e jetës që ëndërruan paraardhësit e tyre dhe fillimin për ata që akoma nuk kanë ardhur. Ata kurrë nuk do të trajtohen më si një popull i një race inferiore.

Nuk ka asnjë ndryshim midis nesh. Nëse do të duan t’i tregojnë, ato do të jenë në dëmin tonë.

Zoran Gjingjiç tha: “Unë ju them, shikoni në të ardhmen, shikoni në të ardhmen dhe ju dhe unë do të takohemi atje …”

Unë besoj se ai nuk do të zemërohet me mua nëse ndryshoj pak shkrimin: “Shikoni të ardhmen, shikoni të ardhmen dhe atje në Bashkim (BE), Kosova, Serbia dhe Shqipëria do të takohen përsëri dhe të gjithë ata që dikur ishin pjesë e një vendi, e një vendi të mirë, Jugosllavisë”.

Autori i këtij shkrimi është Čedomir Petrović. Artikulli është marrë dhe përshtatur nga gazeta “Danas” për Albanian Post


Lajmet kryesore