Opinione / Politikë

9 maji: Një hap përpara dhe dy hapa pas


Stefano Marcelli Stefano Marcelli është gazetar në RAI

9 maji është një ditë përkujtimore si për Rusinë, e cila feston fitoren ndaj Rajhut të Tretë, ashtu edhe për Evropën, e cila feston lindjen e Unionit.

Kishte shumë pritshmëri mes vëzhguesve ndërkombëtarë, mbi atë çfarë do të thoshte Vladimir Putini nga Sheshi i Kuq.

Do të fliste më në fund për luftën, duke thirrur rezervistët në front dhe duke deklaruar një agresion në shkallë të plotë ushtarake? Do të bënte të kuptohej se cili është objektivi i tij, në mënyrë që të mbyllej lufta? Do ta sillte sërish në skenë përdorimin e armëve bërthamore?

Epo, asnjëra nga këto!

Putin foli vetëm një çerek ore të mjerë dhe të vetmet gjëra të reja që u pikasën nga një diskurs, të cilin e lexoi pa marrë hiç frymë (aq sa përkthyesit mezi ia mbanin ritmin), ishin vijueset:

-Pushtimi i Ukrainës ishte një ndërhyrje preventive për të mbrojtur Rusinë nga plani i sulmeve të NATO-s dhe Ukrainës karshi Moskës.

-Rusia po lufton për Donbasin dhe Krimenë. Vetëm një herë e citoi Putini Ukrainën.

-Qeveria e Moskës është e keqardhur për të rënët në këtë betejë heroike dhe po angazhohet për t’i dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme familjeve të tyre.

Një diskurs kaq i përmbledhur (pa kërcënime), sa që të bën të mendosh se kreu i Kremlinit po përgatitet për ndonjë rrugëdalje nga moçali ukrainas, ku duket se ka ngecur.

Nga Strasburgu, Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe ajo e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë konfirmuar anagazhimin e Bashkimin Evropian për të mbështetur ushtarakisht Ukrainën dhe për të përftuar pavarësinë energjetike nga Rusia.

“Ukraina është sot në Bashkimin Evropian për luftën që po zhvillon dhe për mbrojtjen që po i bën vlerave tona”, thanë dy liderët kontinentale.

Shumë kanë këmbëngulur mbi nevojshmërinë e forcimit të politikave të përbashkëta, duke hequr detyrimin për votim unanim mbi mbrojtjen e Eropës dhe kapacitetet legjislative të Parlamentit Evropian.

Por, ka diçka të fshehur pas duartrokitjeve gjëmuese të platesë së europarlamentarëve, që e frenon entuziazmin.

Të 27-ët, nuk kanë mundur akoma të gjejnë një akord mbi paketën e re të sanksioneve, e cila do të duhet të përfshijë edhe ndalimin e blerjes së naftës nga Moska. E shtynë sërish me një javë tjetër.

Ursula von der Leyen, e ka sulmuar ashpër populizmin, duke pohuar se ai duhet mposhtur.

Fjalë të ashpra, të cilat u dukën se shkonin kundrejt Hungarisë së Viktor Obranit, pasi lideri i sovranistëve evropianë, është kryesori, i cili e kundërshton ndalimin e naftës ruse.

Më pas, pyetja për zgjerimin e unionit.

Ndërsa Ursula von der Leyen ka deklaruar se brenda qershorit, Komisioni do të bëjë publik mendimin mbi kërkesën e Ukrainës për t’u bashkuar me BE-në, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se procedurat për anëtarësim janë shumë komplekse dhe mund të zgjasin me dekada.

Presidenti i radhës i BE-së, i ka përmendur edhe vendet e Ballkanit në arsyetimin e tij, të cilët presin përgjigje, në një diskurs ku u la të kuptohet se unioni, nuk mundet të heqë dorë nga parimet e veta as përballë një situate të jashtëzakonshme si ajo e tanishmja, të provokuar nga pushtimi i Ukrainës.

Në një ditë si kjo, të dominuar nga shumë reminishenca dhe citime historike, atij që shkruan, i vjen në mendje një tjetër.

Një pamflet i njohur i Vladimir Leninit, titullohej “Një hap përpara dhe dy hapa pas”.

Ja, duket se 9 maji i vitit 2022, si në Moskë edhe në Bruksel, përballë vështirësive reciproke, kanë lexuar atë leninist të moçëm dhe kanë ecur me hapin e breshkës.

Mbetemi në pritje të zhvillimeve të ardhshme.


Lajmet kryesore