Opinione / Politikë

6 janari jo valë e ekstremizmit të krahut të djathtë – çfarë ndodhi në të vërtetë?


Colin P. Clarke Një studiues politik në Korporatën RAND, kërkimi i të cilit fokusohet në terrorizmin, kryengritjen dhe rrjetet kriminale.

Një vit pas kryengritjes së Capitol-it, më 6 janar 2021, sa duhet të shqetësohemi për ekstremizmin e krahut të djathtë në Shtetet e Bashkuara?

Pas asaj dite tragjike, shumë analistë parashikuam se do të shihnim një rritje të sulmeve të dhunshme në pjesën tjetër të vitit. Por, kjo nuk ndodhi. Në vend të saj, diçka, ndoshta më shqetësuese, ka ndodhur.

Gjatë vitit të kaluar, ekstremizmi u përhap, duke krijuar një sfidë të re – dhe më të ashpër – kundër terrorizmit për qeverinë amerikane të drejtuar nga Biden.

Është vënë re një zgjerim masiv i ekosistemit të ekstremizmit të djathtë.

Vitin e kaluar u kuptua se dhuna, që mbështet ideologjinë e rebelëve të Capitol-it, ka depërtuar në kulturën dhe politikën kryesore. Si rezultat, shumë më tepër njerëz janë përfshirë në mendime dhe veprime ekstremiste.

Kjo rrit rrezikun e dhunës nga “ujqërit e vetmuar” të radikalizuar, të cilët janë shumë më të vështirë për t’u gjurmuar dhe penguar.

Ajo që disa studiues e quajnë “radikalizim masiv” – integrimi i ekstremizmit përtej një bërthame më të organizuar – paraqet një lloj tjetër sfide kundër terrorizmit për administratën Biden.

Në vend që të luajë për mbrojtje, përmes një përqasjeje të drejtuar nga zbatimi i ligjit, administrata ka nevojë për një strategji gjithëpërfshirëse, e cila pak nga pak pret pjesë të ndryshme të shoqërisë.

Kështu dobëson grupin në rritje të ekstremistëve të përgatitur për të përdorur dhunën për t’i çuar përpara qëllimet e tyre ideologjike.

Viti 2021, çuditërisht, filloi me një shfaqje të paprecedentë të dhunës politike, por nuk pamë ndonjë sulm të madh terrorist në tokën e SHBA-ve, as nuk përjetuam ndonjë gjë që i ngjante tubimit “Unite the Right 2017” në Charlottesville.

Arsyeja e parë ka të bëjë me COVID-19.

Pandemia ka shtypur artificialisht komplote dhe sulme terrorizmi, që mund t’i kishim parë ndryshe.

Në të njëjtën kohë, bllokimet, izolimi dhe stresi kanë përkeqësuar shumë nga faktorët themelorë, që kontribuojnë në ekstremizëm, duke i bërë gjithashtu çështjet e shëndetit mendor më akute.

Ndërkohë, 2020 dhe 2021 ishin vite rekord për shitjen e armëve dhe municionit. Amerikanët janë të shqetësuar, të zemëruar dhe të mirë-armatosur– një kombinim i frikshëm.

Një arsye tjetër, për më pak incidente të terrorizmit vendas, është fakti se ekstremistët e ekstremit të djathtë, si individë ashtu edhe organizata formale, ka të ngjarë të jenë goditur nga një përgjigje agresive e zbatimit të ligjit më 6 janar.

Deri më sot, më shumë se 700 individë janë akuzuar për krimet federale, për rolin e tyre në kryengritje.

Qyteti i Washington-it, DC, ka paditur “Proud Boys” dhe “Oath Keepers”, duke kërkuar dënime të rënda financiare.

Po ashtu, shumë grupe ekstremiste të krahut të djathtë, kanë kaluar në ilegalitet. Madje, janë përpjekur të heqin dorë nga rrjeti për të shmangur ngatërresat e mëtejshme me autoritetet.

Megjithatë, do të ishte gabim nëse arrinim në përfundimin se problemi është zbehur.

Megjithëse nuk kemi parë shenjat më të dukshme të ekstremizmit në rritje, shoqëria, kultura dhe politika jonë janë kapluar nga një klimë më ekstreme.

Mënyra e të folurit të ekstremistëve të djathtë, për ndërhyrjen në zgjedhje dhe krahasimet e zyrtarëve të shëndetit publik me nazistët, tanimë janë pjesë e debatit politik midis republikanëve.

Zgjerimi i ekosistemit ekstremist po ushqehet nga lart-poshtë, me politikanët e zakonshëm, që po përpiqen të gjejnë pikëtakimin në biseda që nuk diskutoheshin, dhe nga poshtë-lart, me individët që nëpërmjet internetit rreken të tërheqin në orbitën e tyre antivaksistë dhe teoricienët e konspiracionit “QAnon”.

Nëse hedhim një vështrim përciptas në kanalet e njohura të mediave sociale të ekstremit të djathtë, zbulon një miazmë (burim i një infeksioni) të dëmshme – përdoret një gjuhë raciste, e dhunshme ndaj politikanëve demokratë dhe komplote për emigrantët dhe të huajt.

Gjuha e terrorizmit vendas, ekstremizmit të ekstremit të djathtë dhe supremacisë së dhunshme të bardhë është e lidhur me referenca për “Zëvendësimin e Madh”, një komplot që sugjeron se një grup global elitash po planifikon ta çojë racën e bardhë drejt zhdukjes.

Ky konspiracion është promovuar nga Tucker Carlson i “Fox News”, i cili ndihmoi që koncepti të bëhet më i aksesueshëm për miliona amerikanë, për të cilët është një emër i njohur.

Në mënyrë të ngjashme, retorika e ish-presidentit Donald Trump, e cila shpesh ngjallte një “pushtim” të emigrantëve, në shumë mënyra e ka integruar fjalorin e së djathtës ekstreme përtej fushëveprimit të organizatave ekstremiste.

Sapo erdhi Trump, kushdo që kishte një telefon mund të hynte në këto pika bisedimi.

Gjuha e tij u përdor në një manifest të mbushur me urrejtje.

Kujtojmë Patrick Crusius, i cili me një gjakftohtësi të frikshme, në vitin 2019, vrau 22 blerës në një dyqan.

Apo Robert Bowers, sulmuesi i sinagogës në Pitsburg, që gjithashtu iu referua “pushtuesve” në postimet në mediat sociale para sulmit të tij në 2018.

Roli unik i Trump-it në dërgimin e ekstremizmit kryesor ndihmon në shpjegimin e terrorizmit më të spikatur të brendshëm me të cilin përballemi në vitin 2022: dhunën politike nga ata që janë të bindur se zgjedhjet e 2020-ës u vodhën.

Shumë nga thirrjet për dhunë që kam vërejtur denigrojnë presidencën e Biden-it si të paligjshme dhe i referohen drejtpërdrejt gënjeshtrës se fitorja e tij ishte “mashtruar”.

Një sondazh i Universitetit të Masaçusets Amherst zbuloi se gati 71 për qind e votuesve republikanë ende kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, duke rënë viktimë e “Gënjeshtrës së madhe” të Trump-it.

Kur pothuajse tre të katërtat e një partie politike besojnë se zgjedhjet janë vjedhur dhe lideri i asaj partie e përforcon vazhdimisht besimin, kjo ul shiritin e dhunës.

Ndërsa vendi vazhdon të hapet, ky univers më i madh, më i mjegullt ekstremistësh mund të fillojë të kryejë llojet e sulmeve që patëm fat t’i shmangnim në vitin 2021.

Zgjerimi i ekosistemit ekstremist të krahut të djathtë duket se ka hequr një pjesë të ndikimit nga organizatat si “Proud Boys”, “Oath Keepers” dhe “Three Percenters”.

Gjatë vitit të kaluar, kam vërejtur se këto grupe referohen shumë më rrallë në Telegram dhe kanale të tjera ekstremiste.

Në vend të kësaj, ekstremistët, që duket se nuk i përkasin ndonjë grupi të caktuar, nxisin njëri-tjetrin, në përpjekje për të shtyrë radikalët e tjerë nga veprimet “online” në ato “offline”.

Deri më sot, shumica dërrmuese e të akuzuarve për krime, që rrjedhin nga kryengritja e 6 janarit, afërsisht 87 për qind, nuk u përkasin organizatave formale.

Në fakt, megjithëse këto grupe ishin të zënë me organizimin në javët përpara 6 janarit, përbërja e rebelëve ishte shumë më e gjerë.

Kjo do të thotë se ka një turmë masive “agjentësh të lirë”, më të radikalizuarit, prej të cilëve kanë potencialin të bëhen “ujqër të vetmuar”, ndërsa të tjerët mund të kërkojnë të bashkohen me grupet ekzistuese ose të zgjedhin të formojnë të reja.

Edhe pse sulmet nga individë janë lidhur më ngushtë me terrorizmin xhihadist, ideja në fakt i ka rrënjët në ekstremizmin e krahut të djathtë.

Koncepti i “rezistencës pa udhëheqës” u formulua nga Louis Beam Jr., supremacist famëkeq i bardhë, i cili besonte se aktorët e vetmuar dhe qelizat e vogla të militantëve të vetorganizuar mund të ishin më efektivë në nisjen e sulmeve dhe më pak të prekshëm për t’u kapur, sepse ishin më pak të dukshëm ndaj zbatimit të ligjit sesa grupeve të organizuara.

Strategjia e administratës për terrorizmin e brendshëm, e zbuluar në qershor 2021, përfshin shtylla të dedikuara për burimet dhe shërbimet e parandalimit.

Por mbetet e paqartë sesi këto nisma do të zvogëlojnë turmën në rritje të individëve të vetmuar, të cilët mund të mos shohin asnjë alternativë përveç dhunës për të qetësuar ankesat e tyre.

Ajo që nevojitet, është një qasje më e qëllimshme dhe e përshtatur.

Kjo mund të bëhet duke siguruar fondet, burimet dhe trajnimin e nevojshëm për të parandaluar ekstremizmin përpara se të zërë rrënjë.

Çelësi për këtë do të jetë “frenimi i përhapjes së dezinformatave dhe komploteve”, që do të thotë t’u jepen njerëzve mjetet që u nevojiten për të identifikuar dhe refuzuar propagandën apo retorikën ekstremiste.

Meqenëse një pjesë e madhe e këtij radikalizimi ndodh në internet, është thelbësore që qeveria të vazhdojë të punojë me Silicon Valley, për të detyruar kompanitë e teknologjisë të godasin dezinformimin dhe propagandën ekstremiste që nxit komplote të dhunshme.

Një komponent tjetër thelbësor i kësaj përpjekjeje, do të jetë promovimi i shkrim-leximit digjital.

Ashtu si COVID-19, epidemia e ekstremizmit të krahut të djathtë nuk do të zhduket thjesht vetë.

Në fakt, ndërsa vendi rihapet gradualisht, ne mund të shohim disa nga sulmet e shtyra që nuk u materializuan në vitin 2021.

Do të duhet një përpjekje e bashkërenduar nga ana e qeverisë amerikane, sektorit privat dhe shoqërisë civile – si dhe një zhvendosje afatgjatë në një kulturë politike më pak ekstreme – për të zbutur këtë kërcënim në rritje, i cili po rezulton gërryes për demokracinë amerikane, duke copëtuar strukturën shoqërore që nënshtron republikën amerikane gjithnjë e më të brishtë.


Lajmet kryesore