30 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Ukrainës

 “Duajeni Ukrainën tuaj”  – Taras Shevchenko, рoet ukrainas 2021 është një vit jubilar, pasi shënjon 30-vjetorin e pavarësisë së shtetit tonë. Çdo vit, data 24 gusht, për nder të miratimit të Aktit të...
Vladimir Shkurov
Loading Icons...
test12

30 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Ukrainës

Vladimir Shkurov
Loading Icons...

 “Duajeni Ukrainën tuaj”  – Taras Shevchenko, рoet ukrainas

2021 është një vit jubilar, pasi shënjon 30-vjetorin e pavarësisë së shtetit tonë.

Çdo vit, data 24 gusht, për nder të miratimit të Aktit të Pavarësisë së Ukrainës nga Parlamenti i Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës, “Verkhovna Rada”, kujtohet si ajo e formimit të shtetit të Ukrainës në formën e tij moderne.

Më 24 gusht 1991 do të shpallej pavarësia e shtetit ukrainas!

Kjo do të vinte si rezultat i luftës së popullit ukrainas dhe bijve të tij më të shquar, të cilët vuajtën nga shkeljet e pushtuesve.

Si ndodhi…

Një nga hapat e parë drejt pavarësisë ishte miratimi i Deklaratës së Sovranitetit Shtetëror të Ukrainës, nga Verkhovna Rada, më datë 16 korrik 1990.

Ky dokument është i një rëndësie të veçantë.

Edhe pse Deklarata nuk do të shpallte Pavarësinë e Ukrainës, ajo do ta përcaktonte atë si një shtet-komb sovran, sovraniteti i të cilit shtrihej në të gjithë territorin e vendit dhe në të gjitha sferat e shoqërisë ukrainase.

Pavarësisht se Ukraina mbeti pjesë e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, pas shpalljes së Deklaratës së Sovranitetit të Shtetit, nëpërmjet këtij dokumenti, do të demonstrohej vullneti i popullit ukrainas për pavarësi.

Po ashtu, do të ishte shtysa për fillimin e proceseve, të cilat përfunduan më 24 gusht 1991. Datë kur Parlamenti i Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës do të miratonte Aktin e Pavarësisë së Ukrainës.

Për të parën herë, Dita e Pavarësisë së Ukrainës do të festohej jo më 24 gusht, por më 16 korrik (Festimi i Ditës së Pavarësisë së Ukrainës u caktua për 24 gusht, sipas rezolutës të miratuar nga Verkhovna Rada të Ukrainës, më 20 shkurt 1992).

Fakti është se më datë 16 korrik 1990, kur Verkhovna Rada e Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës miratoi Deklaratën për Sovranitetin Shtetëror të Ukrainës.

Për të siguruar ekzistencën sovrane të Ukrainës, ishte e nevojshme të miratoheshin një sërë ligjesh të rëndësishme për: “Kufirin Shtetëror të Ukrainës”; “Forcat e Armatosura të Ukrainës”, “Themelimin Kombëtar të Shërbimit të Sigurisë” dhe të tjerë në periudhën 1991-1992.

Po ashtu, u miratuan simbolet kombëtare – himni, stema (trident, si stemë e vogël e Ukrainës) dhe flamuri.

Pas 1 dhjetorit 1991, filloi procesi i njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri.

Vendi i parë që e njohu Ukrainën si të pavarur ishte Polonia, duke krijuar marrëdhënie diplomatike më 2 dhjetor të po këtij viti.

Gjatë dymbëdhjetë muajve të parë të ekzistencës si shtet sovran, pavarësia e Ukrainës u njoh nga më shumë se 130 kombe.

Në fillim të vitit 2001, ne vendosëm marrëdhënie diplomatike me 153 vende të botës.

Gjatë viteve të Pavarësisë

Ukraina është përpjekur shumë për të siguruar integrimin organik në bashkësinë ndërkombëtare evropiane.

Ajo u bë vendi i parë në Bashkim e Shteteve të Pavarura që përfundoi marrëveshje partneriteti dhe bashkëpunimi me Bashkimin Evropian. Po ashtu u bë pjesë e Këshillit të Evropës, si dhe e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Shteti ynë nënshkroi një numër dokumentesh mbi bashkëpunimin dhe partneritetin me NATO-n dhe vendet e Evropës Perëndimore.

Gjithashtu lidhi bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, institucione të tjera kreditore dhe financiare botërore e evropiane.

Më 1 janar 2000, për herë të parë si shtet i pavarur, Ukraina filloi të shërbejë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke “rritur përgjegjësinë dhe rolin e saj në ruajtjen e paqes në botë”.

Për të kuptuar rëndësinë e 30-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës, duhet të theksohet se flamuri kombëtar u miratua me rezolutën e Verkhovna Rada të Ukrainës më 28 janar 1992.

Më 23 gusht 2004, presidenti i Ukrainës, Leonid Kuchma, nënshkroi Dekretin “Dita e Flamurit të Ukrainës”, e cila festohet çdo vit në këtë datë.

Dekret i krijuar “për nder të historisë shekullore, nxitjen e respektit të qytetarëve ndaj simboleve kombëtare të Ukrainës së pavarur”.

Më datë 24 gusht 1991, u shpall Akti i Pavarësisë së Ukrainës. Që nga ajo ditë, një flamur blu dhe i verdhë u ngrit mbi ndërtesën e Verkhovna Rada të shtetit tonë. Ky flamur është një nga tre simbolet zyrtare të Ukrainës sovrane.

Kombinimi modern i ngjyrave blu në të verdhë është ndër më të vjetrit në mesin e flamujve modernë kombëtarë.

Ajo vjen nga stema e principatës Galicia-Volyn, një luan i artë në një sfond blu, i cili u shfaq në gjysmën e dytë të shekullit XIII.

Flamujt blu, si simbole shtetërore, janë ruajtur në Ukrainë që nga shekulli XVIII. Mbi to janë pikturuar edhe figura shenjtorësh, kryqesh etj.

Me dy vija horizontale të barabarta, blu dhe të verdhë, me një raport të gjerësisë me gjatësinë e tij 2:3, është dizenjo i flamurit kombëtar të Ukrainës.

Kuptimi i ngjyrave blu dhe të verdhë interpretohet tradicionalisht si një kombinim i qiellit të kthjellët dhe paqësor, mbi fushën e verdhë të grurit (simbol i punës dhe mirëqenies).

Sot, flamuri blu dhe verdhë është flamuri kombëtar i Ukrainës.

Rrugëtimi 30-vjeçar

Rrugëtimi i formimit të shtetit dhe forcimit të subjektivitetit të tij ndërkombëtar, në tridhjetë vjet, ka kaluar në një sërë vështirësish.

Aktualisht Ukraina është një anëtare e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare, ajo respektohet nga partnerët e saj. Zëri i popullit ukrainas dëgjohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare me ndikim.

Ne jemi pjesëmarrës në shumë projekte ndërkombëtare, të cilat synojnë forcimin e paqes dhe stabilitetit në botë.

Ukraina ofron ndihmë në nivel eksperti ndërkombëtar dhe humanitar për të gjithë shtetet në nevojë.

Pushtimi i Gadishullit të Krimesë nga Rusia dhe konfrontimi i saj i zgjatur ushtarak në Ukrainën Lindore kanë qenë një sprovë e vështirë e popullatës civile dhe mbrojtësve ukrainas. Në radhët e të cilëve janë regjistruar shumë viktima dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturën e rëndësishme.

Ukraina aktualisht është drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit të armatosur, që ka vazhduar që nga viti 2014 dhe kthimit të Krimesë së pushtuar, për çka po mbështetet nga partnerët amerikanë dhe evropianë.

Gradualisht, populli ynë e ka kuptuar se suksesi i shtetit në botën moderne përcaktohet nga sasia e investimeve në Ukrainë nga jashtë dhe investimet në vend.

Siç tregoi viti 2014, suksesi i shtetit qëndron edhe në aftësinë e tij për t’i mbrojtur qytetarët dhe ekonominë nga çdo shkelje. Vendi ka nevojë për një ushtri të fortë.

Në këtë kontekst, duhet të theksohet se vitet e fundit ka pasur një ringjallje të shumë ndërmarrjeve industriale, dikur pa përfitime, të cilat tani kanë rritur prodhimin dhe po funksionojnë me një fitim të lartë.

Këto janë, para së gjithash, fabrika të kompleksit mbrojtës-industrial, të tilla si: Iskra (Zaporizhzhya), uzina Malyshev (Kharkov), kantier detar Pallada (Kherson), fabrika e traktorëve Kharkiv (Kharkov), Fabrika e ndërtimit të anijeve “Estuary” (Nikolaev) , Elektrovazhmash (Kharkiv) etj.

Gjatë viteve të fundit, qindra uzina dhe rreth 20 porte të reja moderne janë ndërtuar në Ukrainë, të cilat po zhvillohen në mënyrë aktive.

Vlen të përmendet se industria ukrainase e raketave dhe hapësirës përfshin 40 ndërmarrje të mëdha, shumë ndërmarrje të vogla, disa të mesme-zhvilluese, si dhe laboratorë kërkimorë të pavarur.

Qendrat kryesore, midis tyre ajo e projektimit “Southern” dhe shoqata e prodhimit “Central Machine-Building Plant” në qytetin e Dnipro, ku u projektuan dhe u prodhuan më shumë se 400 satelitë artificialë të Tokës, krijojnë dhe prodhojnë në masë automjetet e lëshimit, anijet kozmike, sistemet e kontrollit, orientimet dhe trajektoret e matjes.

Arritjet e mëdha të specialistëve ukrainas janë krijimi i anijeve kozmike “Sich-1”, “Ocean-0”, “AUOS” dhe “Micron”, transportuesit e raketave “Zenith-3SL”, “Dnipro” dhe “Cyclone-3”.

Ukraina është gjithashtu e njohur për pajisjet e ankorimit Kurs për Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, sistemet e shënjestrimit të raketave, pajisjet e kontrollit për komplekset hapësinore Soyuz, Progress dhe Proton.

Po ashtu, edhe për objektet unike të infrastrukturës tokësore: stacionet e kontrollit dhe rregullimit për satelitët globalë të hulumtimit, rrjeti i vëzhgimeve të fenomeneve gjeofizike etj.

Ukraina moderne renditet në nivele të larta në botë, për sa i përket zhvillimit të teknologjisë së informacionit.

Një avantazh i rëndësishëm konkurrues i saj është stafi tradicionalisht i fortë i IT-së. Kjo do të thotë se shteti ynë mban një nivel shumë të lartë të trajnimit të programuesve dhe mbetet një nga qendrat botërore të programimit në det të hapur.

Sa i përket sektorit të Shëndetësisë, përballja me pandeminë COVID-19 dëshmoi për potencialin e fuqishëm mjekësor të shtetit tonë.

Aktualisht, po kryhet reforma në mjekësi. Nëpërmjet saj parashikohet krijimi i një industrie shëndetësore konkurruese, aktivitetet e së cilës do të bazohen në parimet ekonomike, të tregut të menaxhimit dhe marketingut modern.

Po ashtu, është ndërmarrë edhe reforma arsimore. Kjo do të lejojë të shfrytëzojmë sa më shumë potencialin e fuqishëm profesional të arsimtarëve tanë vendas.

Ukraina mbetet një vend me potencial të fuqishëm të lëndëve të para, bujqësisë të zhvilluar dhe prodhimit të makinerive.

Gjithashtu është një vend me shumë monumente të lashta historike dhe me biodiversitet të fuqishëm, çka e bën atë shumë tërheqëse në kontekstin e zhvillimit shumëdimensional të turizmit.

Marrëdhëniet e Ukrainës me Republikën e Shqipërisë sa vijnë dhe po forcohen, lidhur me qarkullimin tregtar, rritjen në fluksin e ndërsjelltë turistik, si dhe bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe arsimit.

Duhet theksuar se rruga e zhvillimit të Ukrainës nuk ka përfunduar. Ajo po përparon në fushën e integrimit evropian. Çdo qeveri ukrainase është e detyruar të kryejë reforma, edhe nëse nuk dëshiron vërtet.

Ukraina ka çdo mundësi për t’u bërë një vend i ngjashëm me Poloninë, Republikën Çeke dhe Sllovakinë.

Pyetja e vetme është: A do të bëhemi një vend i tillë në 10 vjet apo 50?

Patjetër që koha e zhvillimit varet dhe nga ne. Sa më shumë ukrainas të kuptojnë realitetin dhe atë se çfarë nevojitet për rritjen ekonomike, aq më shpejt vendi do ta arrijë rezultate të larta.

Në jubileun e 30-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës, ne dëshirojmë t’i përshëndesim përzemërsisht të gjithë njerëzit tanë, të shprehim mirënjohjen dhe respektin tonë të sinqertë për mbrojtësit tanë dhe të gjithëve, duke u uruar paqe dhe mirëqenie.