Opinione / Editoriale

200 mijë, vetëm, janë të mbyllur, të tjerët kanë pasaportë


14 vjet pavarësi Kosovë dhe 10 vjet pritje për të qenë pjesë e një Evrope së cilës i përket.

Samiti i Bashkimit Evropian, i cili u mbajt në Bruksel më 23 qershor, mblodhi liderë, jo vetëm evropianë. Ai i parapriu një takimi të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Si pjesë e të fundit, Shqipëria dhe Kosova janë të pranishme së bashku, por me narrativë tërësisht të ndryshme.

E, megjithatë, një element i vetëm i bashkon: Pritja!

Dy janë rrugëtimet e gjata dhe të lodhshme që bashkojnë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Njëra në pritje dhe me kërkesë për liberalizimin e vizave dhe tjetri tashmë pothuaj i dorëzuar përballë pafuqisë së Unionit për të hapur negociatat.

Me “na leni të hyjmë brenda”, e ka përfunduar fjalimin presidentja Osmani në Samit. Ndërkohë, u ka kërkuar anëtarëve të BE-së që të reflektojnë e t’ia liberalizojnë vizat Kosovës.

Kosova ka një popullsi të vogël, 1 milion e 800 mijë banorë, prej të cilëve rreth 700 mijë janë të mitur të moshës 0-17 vjeç. Një numër i konsiderueshëm i kësaj popullsie janë shqiptarë që nga treva të ndryshme të ish-Jugosllavisë në vitet ‘70, e bënë Kosovën banesë të tyre. Aty u shkolluan, aty ndërtuan jetën, familjet. Por nuk humbën kurrë rezidencat në vendet nga vinin.

Kur kufijtë u hapën me Shqipërinë, shumë prej kosovarëve krijuan lidhjet e forta me vendin amë. Dhe, mjaft prej tyre iu drejtuan vendeve të Evropës për një jetë më të mirë…

Kështu që prej 1 milion e 800 mijë banorë, rreth 200 mijë janë ata që bartin pasaporta nga vende të tjera: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia apo Mali i Zi.

500 mijë familje kosovare jetojnë dhe punojnë në Gjermani dhe Zvicër dhe kanë pasaporta të BE-së. 100 mijë familje të tjera jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e diasporës. E po të bëjmë një llogari të shpejtë, do të shohim që numri i të rriturve, të cilët janë në pritje të një vendimi evropian për lëvizjen e tyre të lirë në kontinent nuk i kalon 350 mijë. Aq sa janë turistët ditorë në Paris.

Nuk bëhet fjalë për njerëz që duan ta lënë vendin e tyre në mërgim, ndryshe do ta kishin bërë. Aq më shumë që liberalizimi i vizave në vetvete sjell obligime dhe detyra. Dhe mos harrojmë që ambasadat evropiane lëshojnë rreth 100 mijë viza në ditë.

Sa janë banorët e Kosovës të ngujuar mes katër muresh? Në Evropë, kryesisht do të shkojnë ata që kanë shkuar gjithnjë. Evropa do të rrezikohet më së shumti me 100 mijë banorë të Kosovës.

Në pranverën e vitit 1950, Jean Monnet priti ministrin e Jashtëm francez, Robert Schuman. Disa javë më vonë, në përputhje me propozimin e Monnet, Schuman i shpalli botës krijimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut.

Ky propozim hodhi themelet e një projekti më të gjerë: Pajtimin dhe prosperitetin e vendeve armike që dikur përballeshin me njëri-tjetrin në fushat e betejës.

“Evropa nuk u bë: Ne kishim luftë”, deklaronte Schuman në dhomën e orës, në Quai d’Orsay, më 9 maj 1950.

Pas kaq shumë dekadash e luftërash që kishin përgjakur Evropën dhe copëtuar popujt e saj, solidariteti evropian u bë gur themeli i projektit të rindërtimit të kontinentit të vjetër.

Midis 16 prillit dhe 6 majit 1950, Jean Monnet mblodhi bashkëpunëtorët në shtëpinë e tij në Bazoches, larg konfuzionit parizian, për të hartuar atë që do të merrte emrin “Deklarata Schuman”.

Është certifikata e lindjes e Evropës siç e njohim sot.

Shtatë liderë vizionarë, shtatë politikanë shtetesh armike deri pak kohë më parë, që besuan në një ëndërr të përbashkët. Dy italianë (Altiero Spinelli dhe Alcide De Gasperi), dy francezë (Jean Monnet dhe Robert Schuman), një gjerman (Konrad Adenauer), një luksemburgez (Joseph Beck) dhe një belg (Paul Henri Spaak) kanë hyrë në histori si etërit themelues që bashkuan Evropën.

Burra shteti, të cilët, pavarësisht se ishin të gjuhëve, kulturave dhe traditave të ndryshme, të gjithë kërkonin dialogun, takimin.

Evropa dhe njëherë do t’i shpaloste këto vlera pas rënies së komunizmit. Në fakt, ajo iu përgjigj shembjes së Murit të Berlinit me zgjerim në lindje, për të bashkuar kontinentin. Ishte një proces me kosto tejet të lartë dhe bujar për të ripërqafuar sërish vlerat e etërve themelues dhe për të mbështetur “vëllezërit” që ishin bllokuar në anën tjetër të “Perdes së Hekurt” pas Luftës së Dytë Botërore.

Bujar, sepse u jepte një perspektivë vendeve, ekonomia dhe shoqëria e të cilave ishin të dërrmuara nga komunizmi.

Një trashëgimi e rëndë për brezat pasardhës. Një trashëgimi idesh, vlerash dhe horizontesh, që gradualisht zhduket.

Evropa e sotme vuan nga mungesa e guximit. Liria, demokracia, solidariteti dhe paqja, vlerat e një unioni të dikurshëm duket se janë zbehur përballë populizmit, cinizmit, lokalizmit në kërkim të përfitimeve të menjëhershme elektorale.

Në mënyrën me paradoksale të mundshme ka qenë më e lehtë thithja dhe absorbimi i miliona refugjatëve nga kontinente të tjera, sesa liberalizimi i vizave për 350 mijë njerëz të këtij kontinenti, të dalë nga një luftë spastrimi etnik.

Shpirti i Unionit, krenaria dhe vullneti politik, zhduken përballë një numri të vogël qytetarësh në kërkim të dinjitetit për të lëvizur të lirë në kontinentin pjesë e të cilit janë. Justifikimi nuk është praktik, por vetëm politik.

Pesë anëtare të Unionit nuk e njohin ende shtetin Kosovë.

Dikur Helmut Kohl tha: “Shumë nga qytetarët e mi janë kundër euros, por unë dua euron, sepse, pasi të ketë rënë Muri i Berlinit, duhet të jetë e qartë se ne nuk duam një Evropë gjermanike, por një Gjermani evropiane”.

Kosova është evropiane, e njohin apo nuk e njohin ato pesë shtete. Herët a vonë, edhe ata 100 mijë qytetarë në pritje të liberalizmit do të jenë të lirë, për turpin e një lidershipi evropian të munguar.

Kur “fuçia ballkanike e barutit” kishte përsipër një tapë të kauçuktë e pretendohej se Evropa ishte ajo, e cila po e mbante të mbyllur (fillimshekulli i XXI-të), të gjithë e besuan unitetin evropian.

Po sot, kaq besimplotë mbetet Ballkani sërish, karshi një Evrope, e cila nuk është më fuqia perëndimore që mban të mbyllur tapën e fuçisë, por polemistja ballkanike që po bën gjithçka për ta hequr atë.

Duke e ditur që zgjidhje nuk mund të jetë ballkanizimi i Evropës, mbetet vetëm një e vetme, sido që të jetë: evropianizimi i Ballkanit.


Lajmet kryesore