Shqipëria

Operacioni antidrogë në Lezhë: 5 të arrestuar, sekuestrohen 158 kg kanabis


Policia e Lezhës ka arrestuar pesë shtetas dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë.

Gjatë kontrollit në banesat e tyre në fshatrat Bulsharë dhe Kaçinar, të rrethit Mirditë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 158 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike, kanabis sativa.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Alfred Elezi, ka dhënë detaje nga operacioni.

“Në kuadër të operacionit antidrogë të koduar Prioriteti u arrestuan në flagrancë shtetasit: Mirash Pima, 29 vjeç, Kristian Pima, 29 vjeç dhe Florian Pima, 33 vjeç, vëllezër, të tre banues në fshatin Kaçinar, Mirditë dhe Eduart Çoku, 41 vjeç dhe Fatmir Ukaj (Tirtja), 24 vjeç, banues në Bulsharë, Mirditë”.

Ai ka treguar po ashtu se vijon puna për kapjen e shtetasve Nikolin Ndoca, 31 vjeç, banues në fshatin Bulsharë, Mirditë dhe Kristian Mena, 21 vjeç, banues në Fan, Mirditë.

Sakaq, ai ka bërë me dije se janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Ndue Pima, 58 vjeç, banues në Kaçinar, Mirditë dhe Elion Tirtja, 36 vjeç, banues në Bulsharë, Mirditë.

“Janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 158 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, një pjesë e gatshme për shitje dhe një pjesë në proces tharjeje. Gjithashtu, u asgjësuan 280 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa që ishin kultivuar në fshatin Bulsharë, Mirditë”, ka treguar Elezi.

Sipas tij, në vijim të veprimeve hetimore janë sekuestruar edhe 14 mijë euro të dyshuara të përftuara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 15 celularë.

Nga hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të përfshirjes së këtyre shtetasve në këtë veprimtari kriminale, “dyshohet se ata janë autorë edhe të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Planet, Mirditë, rast i evidentuar dhe i goditur nga strukturat e Policisë, më datë 12 tetor 2023”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore