Shqipëria

‘Open Balkan’ pa veto, si shembull i një nisme gjithëpërfshirëse


Një për të gjithë dhe të gjithë për një – edhe kur vetëm ka tre kënde në heksagon.

Të paktën ky duket deri tani të jetë shpirti i nismës rajonale “Open Balkan”, e cila mbajti gjatë të premtes dhe të shtunës, një samit dy-ditor, me qëllim nënshkrimin e disa marrëveshjeve të dakordësuara më parë, si edhe për të pasqyruar përpara shteteve të tjera, mundësinë e zgjerimit.

Skepticizmi më i lartë momental mbi çështjen, mbetet ai i Kosovës, ku me vendim të Qeverisë Kurti, një delegacion nga Prishtina, ende nuk ka marrë pjesë asnjëherë në ngjarje të tilla dhe e ka përçudnuar iniciativën, nën pretendimin se rrënjët i ka në Novi Sad të Serbisë dhe i shërben vetëm Beogradit.

Megjithatë, kjo nuk ka ndaluar vende të tjera skeptike fillimisht, si Mali i Zi apo Bosnjë dhe Hercegovina, që të jenë pjesëmarrëse në takime dhe të shohin nga afër se për çfarë bëhet fjalë në realitet.

Po ashtu, delegacione këtë herë ka pasur edhe nga Hungaria dhe Turqia, të cilat duken të interesuara për zhvillimin e konceptit dhe zgjerimin e tij (në pamundësi momentale për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane, në rastin e Ballkanit Perëndimor).

Një ndër detajet që spikati gjatë fundjavës si risi, ishte koncepti “pa veto” për të gjitha vendet e organizmit. Një koncept ky (ai i vetos), i cili kohët e fundit, me zhvillimin e ngjarjeve në Ukrainë dhe në këshillat më të mëdhenj botërorë të sigurisë, po merr kritika të njëpasnjëshme.

Arsyeja? Sepse një shtet i vetëm, mund të ndalojë një reformë të tërë, apo edhe vendime me rëndësi shumë të lartë.

Fjala bie, Shqipëria, si vend anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e ka artikuluar mjaft herë përmes ambasadorit Ferit Hoxha, nevojën për rishikimin e konceptit të vetos.

Për të qenë tërësisht të drejtë me gjithë faktet, Serbia, si aleate strategjike e kamotshme e Rusisë, ka përfituar (jo pak herë madje), nga vetot që Moska ka vendosur në organe ndërkombëtare.

“Open Balkan” ndërkohë, këtë trysni mbi një opinion të vetëm e shkarkon tërësisht, duke i lënë vendet të lira të veprojnë si të duan.

Mirëpo, si artikulim, ai i vetos, shtrihet edhe në një rrafsh shumë më të gjerë e më interesant.

Pse? Pasi iniciativa, vendos veten si qëllim, përmbi shteteve si interesa!

Për t’u shpjeguar më thjeshtë…

Duke marrë vetëm tre vendet aktuale pjesëtare dhe duke hipotetizuar se në rastin e tanishëm, për shkak të luftës në Ukrainë, Serbia vendos një veto mbi grurin që mund të eksportojë drejt vendeve të tjera, ç’ndodh me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nëse i nevojitet kjo lëndë e parë?

Kjo veto, me bazë kushtetuese, është e vlefshme kundrejt çdo vendi tjetër.

I vetmi ent më madhor që e thyen, është “Open Balkan”, pasi në bazë të konceptit dhe të marrëveshjeve të arritura deri tani, çfarë është e Serbisë, është edhe e dy vendeve të tjera anëtare dhe anasjelltas.

Ose, nëse marrim një rast të një krize potenciale (dhe shumë të mundur) energjetike, të tre vendet, resurset e tyre i vendosin në disponueshmëri të njëra-tjetrës tashmë, për të ndihmuar në rast nevoje.

Veto-ja pra, jo vetëm që nuk ekziston në “Open Balkan”, por kur ka marrëveshje, nisma vetë zhbën edhe veto vendore të shteteve.

Disa marrëveshje me shumë rëndësi u vulosën përfundimisht në Beograd, duke përfshirë edhe disa, të cilat lidhen me tregtinë pa kufizime të ushqimeve dhe marrëveshje në fushën e energjetikës.

Të dyja, shumë të domosdoshme në kushtet e tanishme dhe situatën gjeopolitike në të cilën Evropa ndodhet.

Duke ritheksuar në përmbyllje edhe atë çfarë u tha shpesh gjatë konferencave për shtyp nga tre liderët ballkanikë e sidomos nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, “Evropa, jo pak herë ka “gabuar” duke e lënë Ballkanin Perëndimor pas dore dhe për këtë, rajoni nuk ka qenë i përgatitur”.

A do të jetë ky rasti i parë, i një “dimri të madh”, ku të paktën tre nga gjashtë vendet, i tregojnë pjesës tjetër të vetë rajonit e kontinentit më gjerë, se “pa veto” është rruga e duhur?

Duhet pritur, por në letër, gjasat janë se po…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore