Lajme

OPEC-u dhe India përplasen për prodhimin e naftës


Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe India janë përplasur të martën për ndryshimet në nivelet e prodhimit të naftës.

Ministri indian kundërshtoi publikisht zyrtarin më të lartë të OPEC-ut për ndryshimin e politikave të kartelit. Përplasja erdhi gjatë një konference të organizuar nga Këshilli Atlantik këtë javë.

Në fokus të diskutimit ishte një ndryshim i papritur i politikës së kartelit në fillim të këtij muaji për nivelin e prodhimit.

Shumë blerës të naftës kishin pritur një rritje të furnizimit mujor, por shumica e vendeve të OPEC-ut ulën prodhimin. Vendimi u pasua me një reduktim të papritur prej një milion fuçish në ditë nga Arabia Saudite.

Ministri indian i naftës dhe gazit, Dharmendra Pradhan, debatoi me Sekretarin e Përgjithshëm të OPEC-ut, Mohammad Barkindo në lidhje me konfuzionin e papritur që vendimi i OPEC-ut krijoi për tregjet e naftës.

India dhe blerësit e tjerë do të kishin preferuar prodhim më të lartë dhe çmime më të ulëta. Sipas ministrit indian, vendimi i OPEC-ut mund t’i drejtojë vendet drejt burimeve alternative të energjisë.

Barkindo argumentoi se çdo vendim i OPEC-ut kishte në fokus interesin e vendeve konsumatore. Një situatë e paqëndrueshme e tregut e ka detyruar OPEC+ të adaptojë planet prodhuese, të cilat do të rishikohen përsëri në fillim të shkurtit dhe çdo muaj në vijim.

India dhe OPEC kanë pasur pëplasje të ndryshme gjatë viteve për tregjet e naftës. Në fund të diskutimit, palët u shprehën optimistë për zgjidhjen e problematikave./AlbanianPost.com

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore