Boterori 2022

Onana vjen me deklaratë zyrtare lidhur me largimin nga kombëtarja


Portieri i Inter-it, Andre Onana, u largua nga grumbullimi në Kupën e Botës me kombëtaren e Kamerunit, pas një mosmarrëveshje me trajnerin e tij, Rigobert Song.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale, Onana ka thënë se është “përpjekur për të gjetur zgjidhje për këtë ngjarje”.

“Dua të shpreh dashurinë time për vendin tim dhe Kombëtaren. Dje nuk më lejuan të isha në fushë për të ndihmuar Kamerunin, siç bëj gjithmonë, për të arritur objektivat e ekipit. Gjithmonë jam sjellë në një mënyrë për ta udhëhequr ekipin drejt suksesit në një mënyrë të mirë”, shkruan Onana në Instagram.

“Kam vënë të gjitha përpjekjet dhe energjinë time për të gjetur zgjidhje për një situatë që një futbollist e përjeton shpesh, por nuk ka pasur vullnet nga ana tjetër”.

“Disa momente janë të vështira për t’u asimiluar. Megjithatë, unë gjithmonë respektoj dhe mbështes vendimet e njerëzve të ngarkuar për të ndjekur suksesin e ekipit dhe vendit tonë”.

“E vlerësoj përkushtimin e bashkëlojtarëve të mi, sepse treguam se jemi të aftë të shkojmë shumë larg në këtë garë. Vlerat që promovoj si person dhe si lojtar janë ato që më identifikojnë dhe që më ka dhënë familja që në fëmijëri”.

“Përfaqësimi i Kamerunit ka qenë gjithmonë një privilegj. Kombi i pari e përgjithmonë. Faleminderit!”, shkruan portieri i Inter-it.

Kujtojmë që Onana pati një konflikt me trajnerin e tij, Rigobert Song. Ky i fundit i tha të ndryshonte stilin e lojës që ka Onana dhe mos të luante shumë me topin, megjithatë portieri i Inter-it i refuzoi urdhrat e tij.

Ndërkohë, edhe trajneri i Kamerunit, Song, e komentoi këtë ngjarje, derisa tha se lojtarët duhet të ndjejnë përgjegjësinë për atë që përfaqësojnë.

“Në një skuadër ju duhet të shihni disiplinë dhe nëse nuk mund të përshtateni me atë disiplinë, me atë që kërkohet për të qenë pjesë e një skuadre, atëherë duhet të pranoni përgjegjësinë për këtë”.

“Ne nuk e vëmë në dyshim aftësinë e tij – ai luan për një nga ekipet më të mira në Evropë – por ju duhet të siguroheni që ekipi të ketë përparësi ndaj individit”, ka thënë Song.

Pas kësaj, Onana është larguar nga grumbullimi me kombëtaren e tij dhe nuk do të jetë mes shtyllave në ndeshjen e fundit që Kameruni e luan me Brazilin.

Mediat e huaja shkruajnë se edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kamerunit, Samuel Eto’o, ka ndërhyrë në mes për ta gjetur një paqe mes palëve, por kjo ka qenë e kotë.

Tani Onana pritet shumë shpejt t’i bashkohet Inter-it dhe të jetë i gatshëm për përgatitjet para-sezonale me klubin e tij.

Kujtojmë që Onana në total numëron 35 paraqitje zyrtare me kombëtaren e Kamerunit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore