Lajme

Olaf Scholz betohet si kancelari i ri i Gjermanisë


Bundestagu gjerman zgjodhi të mërkurën e 8 dhjetorit, Olaf Scholz liderin e socialdemokratëve, si kancelarin e ri të Qeverisë, duke i dhënë fund 16 viteve historike të Angela Merkel.

Zgjedhja nga dhoma e ulët legjislative e Gjermanisë – e mbajtur me votim të fshehtë dhe pa debat – u pa si një formalitet.

Kryetari i Bundestagut, Bärbel Bas, hapi votimin dhe anëtarët e Parlamentit votuan me 395 nga 707 vota që Scholz të bëhej kreu i ri i Qeverisë gjermane.

Megjithatë, jo të gjithë anëtarët e të ashtuquajturit “koalicioni i semaforëve” votuan pro.

Po ta kishin bërë këtë, Scholz do të kishte marrë 416 vota.

Dorëzimi i pushtetit shënon fundin e karrierës politike 31-vjeçare të ish-kancelares Merkel.

Scholz dhe kabineti i tij prej 16 ministrash – shtatë nga SPD, pesë nga të Gjelbrit dhe katër nga FDP – do të emërohen nga Presidenti Frank-Walter Steinmeier dhe do të betohen në Bundestag.

Gjatë ditës, ministrat e Merkelit do t’u dorëzojnë zyrtarisht portofolet pasardhësve të tyre.

Kryetari i SPD-së, Olaf Scholz

Gjermania është një demokraci parlamentare ku Presidenti Federal është përfaqësuesi më i lartë i vendit, ndërsa pushteti qëndron në zyrën e Kancelarit Federal.

Kryetari i socialdemokratëve Olaf Scholz – pas negociatave të suksesshme me të gjelbrit dhe liberalët – do të formësojë koalicionin e ashtuquajtur “semafor”.

Planet e Qeverisë

Qeveria e re ka plane ambicioze për të luftuar ndryshimin e klimës duke hequr qymyrin në fillim dhe duke u fokusuar në energjinë e rinovueshme.

Por prioriteti i tyre fillestar do të jetë luftimi i pandemisë së coronavirus-it.

Ai dhe udhëheqësja e përbashkët e të Gjelbërve, Annalena Baerbock, e cila bëhet ministre e Jashtme, do t’i duhet gjithashtu t’i përgjigjen frikës rreth grumbullimit ushtarak të Rusisë pranë kufirit me Ukrainën.

Ndërsa, për postin e ministrit të Financave është caktuar Christian Lindner – kreu i liberalëve (FDP).

Kryetari i FDP-së, Christian Lindner

Ky i fundit ishte zgjidhja e ngërçit të negociatave mes palëve.

Ministritë faktorizuese

Një nga drejtuesit e “të Gjelbërve” Robert Habeck do të ketë ministrinë e kauzës së partisë së tyre – Mjedisin.

Ministria e tij do të ketë dhe shtimin e kompetencës së Energjisë që ka qenë pjesë e departamentit të ekonomisë.

Robert Habeck

Habeck do të mbajë edhe postin e zëvendëskancelarit.

Ky lajm konfirmon se – pas performancës zhgënjyese të Baerbock në fushatën elektorale – ai tashmë është “kryesori” i të Gjelbërve.

Ministria e Ekonomisë do t’i shkojë kreut aktual të Mjedisit, socialdemokrates Svenja Schulze.

Svenja Schulze

Një tjetër grua e SPD-së, ministrja në largim e Drejtësisë, Christine Lambrecht, do të shkojë në departamentin shumë delikat të Ministrisë së Brendshme.

Lambrecht do të ketë në kontrollin e saj edhe portofolin e emigracionit.

Ajo gjithashtu do të bëhet gruaja e parë që do të mbajë këtë post.

Christine Lambrecht
Shpërndarja e departamenteve të tjera

Kongresmenja Klara Geywitz, e cila kandidoi pa sukses me Olaf Scholz për presidencën e SPD-së në 2019, do të jetë ministrja e re për Kërkimin dhe Arsimin.

Wolfgang Schmidt, një njeri i besuar i kancelarit të ardhshëm do të jetë ministri i Kancelarisë.

“Të Gjelbrit” do të kenë sërish ministritë e bujqësisë, transportit dhe ndihmës zhvillimore.

Klara Geywitz

Për të parën, emri që qarkullon është ai i Steffi Lemke, ndërsa Bujqësia do t’i shkonte Toni Hofreiter, kreut të së majtës dhe bashkëkryetar aktual i grupit parlamentar.

Zhvillimi do të sillte lideren tjetër të “Fraksionit” të gjelbër në Bundestag, Katrin Goring-Eckardt.

Goring-Eckardt është eksponente historike e Realos, krahut pragmatik dhe realist të partisë.

Megjithatë, emri i saj është gjithashtu në lojë për Departamentin e Familjes, Grave dhe Rinisë.

Katrin Goering-Eckardt
Ministritë e FDP-së

Tre ministri të tjera të rëndësishme për liberalët: Mbrojtja, e cila do t’i takonte Marie-Agnes Strack-Zimmermann dhe Drejtësia, ku emri që propozohet është ai i Volker Wissing.

Sekretari i përgjithshëm i FDP-së, 51-vjeçar, është njeriu që menaxhoi negociatat e qeverisë.

Volker Wissing

Shëndeti, një pozicion që është bërë strategjik me pandeminë duhet t’i shkojë Michael Theurer, deputet dhe drejtues i FDP-së në Baden-Württemberg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore