Lajme

OKB, me rezolutë që dënon mohimin e Holokaustit


Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka miratuar një rezolutë që synon të luftojë mohimin e Holokaustit.

Ajo po u kërkon shteteve anëtare dhe kompanive të mediave sociale të ndihmojnë në luftën kundër antisemitizmit.

Rezoluta, e paraqitur nga Izraeli dhe Gjermania, u miratua pa votim nga Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh.

Në deklaratën e përbashkët u tha se kjo “dërgon një mesazh të fortë kundër mohimit ose shtrembërimit të këtyre fakteve historike”.

Gjashtë milionë hebrenj vdiqën gjatë fushatës së Gjermanisë naziste për të zhdukur popullsinë hebreje të Evropës.

Të enjten e 20 janarit, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së tha se, “refuzon dhe dënon pa asnjë rezervë çdo mohim të Holokaustit si një ngjarje historike, qoftë plotësisht ose pjesërisht”.

Për ambasadoren gjermane në OKB, Antje Leendertse, injorimi i fakteve historike rrit rrezikun që ato të përsëriten.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, dhe homologu i saj izraelit, Yair Lapid, thanë në një deklaratë të përbashkët se ishin të shqetësuar nga një rritje dramatike e kohëve të fundit në mohimin e Holokaustit.

Rezoluta rendit shtrembërimin ose mohimin e Holokaustit si: përpjekje të qëllimshme për të justifikuar ose minimizuar ndikimin e Holokaustit dhe përpjekje për të fajësuar hebrenjtë për shkaktimin e gjenocidit të tyre.

Ndërsa rezoluta u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Irani – një anëtar i organizatës – nuk pranoi t’i bashkohej.

Irani akuzoi Izraelin se është “i vetmi regjim i aparteidit në botë”, ideologjia e të cilit bazohet në dy shtytësit kryesorë të Luftës së Dytë Botërore, “racizmin dhe ekspansionizmin”.

Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por pasqyrojnë opinionin global.

Kur nazistët erdhën në pushtet në vitin 1933, ata filluan t’i merrnin hebrenjve të gjitha pronat, liritë dhe të drejtat sipas ligjit.

Në Konferencën Wannsee-es në Berlin në janar 1942, udhëheqja naziste vendosi të shfaroste të gjithë popullsinë hebreje të Evropës dhe nisën deportimet e hebrenjve në kampet e shfarosjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore