Lajme

OKB-ja kritikon Francën për moslejimin e sportisteve me shami gjatë Lojërave Olimpike


OKB-ja nuk ka heshtur mbi debatin e Francës për sekularizmin dhe veshjen e grave, duke thënë se gratë nuk duhet të detyrohen të respektojnë kodet e veshjes.

Kjo pasi qeveria franceze ka thënë se atletet që përfaqësojnë Francën do të ndalohen të mbajnë shami gjatë Lojërave Olimpike 2024 në Paris.

“Askush nuk duhet t’i imponojë një gruaje atë që duhet të veshë, ose të mos veshë”, ka thënë Marta Hurtado, zëdhënëse për zyrën e të drejtave të njeriut të OKB-së.

Vërejtjet e saj kanë ardhur pasi ministrja franceze për sportin, Amélie Oudéa-Castéra, ka theksuar angazhimin e qeverisë ndaj laicizmit dhe kundërshtimin ndaj shfaqjes së simboleve fetare gjatë ngjarjeve sportive.

Ministria ka thënë sakaq se vërejtjet e Oudéa-Castéra ishin në përputhje me ligjin francez dhe “misionin e shërbimit publik” që pritet nga atletët francezë, që do të thotë se ata duhet të qëndrojnë neutralë dhe të mos shprehin opinione apo bindje fetare.

“Kështu që, ato nuk mund të mbajnë shami kur përfaqësojnë Francën në një garë sportive kombëtare ose ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë.

Ndërkohë, rregullat për atletët e tjerë do të vendosen nga çdo federatë ndërkombëtare, nën mbikëqyrjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Hurtado ka vënë në dukje detyrimin e Francës, si një nënshkruese e konventës ndërkombëtare për eliminimin e diskriminimit ndaj grave, “për të marrë të gjitha masat e duhura për të modifikuar çdo model social ose kulturor që bazohet në idenë e inferioritetit ose superioritetit të secilës gjini”.

“Duke thënë këtë, praktikat diskriminuese kundër një grupi mund të kenë një pasojë të dëmshme”, ka shtuar Hurtado.

Po ashtu ajo ka thënë se standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për të argumentuar se kufizimet në shprehjen e fesë ose besimeve ishin “të pranueshme vetëm në rrethana vërtet specifike që adresojnë shqetësimet legjitime për sigurinë publike, rendin publik ose shëndetin publik”.

Dhe se këto kufizime duhet të zbatohen proporcionalisht.

Debati i gjatë i Francës mbi sekularizmin dhe veshjet e grave është përhapur prej kohësh në sport.

Në qershor, gjykata më e lartë administrative e vendit la në fuqi një ndalim që i ndalonte femrat futbolliste të mbanin shami gjatë lojës.

Gjykata e gjeti ndalimin si “të përshtatshëm dhe proporcional” dhe se federatat sportive kishin të drejtë të impononin kërkesa për neutralitet ndaj lojtarëve të tyre në mënyrë që “të garantonin mbarëvajtjen e ndeshjeve dhe të parandalonin përplasjet ose konfrontimet”.

Qeveria franceze prej asaj kohe ka intensifikuar përpjekjet për të zbatuar sekularizmin duke goditur atë që ajo e sheh si veshje fetare.

Kurse kritikët e kanë akuzuar se po shkon drejt së djathtës në një përpjekje për të konkurruar me rivalët e saj të së djathtës ekstreme.

Angazhimi i rreptë i vendit ndaj laicizmit shpesh e ka vënë atë në kundërshtim me komitetin e OKB-së për të drejtat e njeriut.

Vitin e kaluar Franca u qortua nga komiteti i të drejtave të njeriut, i cili zbuloi se kishte diskriminuar një grua myslimane duke e ndaluar atë të ndjekë trajnimin profesional në një shkollë publike ndërsa mbante shaminë e saj.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore