Lajme

OJQ-të nga Kosova dhe Serbia: Situata aktuale është duke ndikuar në jetën e qytetarëve


Flamuri i Kosovës dhe i Serbisë.

35 organizata të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia kanë miratuar një deklaratë të  përbashkët ku thuhet se Kosova dhe Serbia, janë të lidhur në mënyrë të pashmangshme me njëra-tjetrën.

Sipas tyre, një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve është hap i parë jetik në ndërtimin e të ardhme më të mirë, teksa thonë se situata aktuale është duke ndikuar në e qytetarëve edhe në Kosovë, por edhe në Serbi.

Përmes një komunikate dërguar mediave, këto OJQ konsiderojnë se cikli i vazhdueshëm i përshkallëzimit dhe de-eskalimit në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë paraqet “dështim të imagjinatës politike”.

“Trendi tashmë ekzistues është që njerëzit veç se po largohen nga Serbia dhe Kosova, veçanërisht të rinjtë. Ndërsa ngrihen barrikada të reja, aq dhe valixhe të reja mbushen. Shumë pak prej tyre ka të gjasë të kthehen. E ardhmja e vendeve tona do të jetohet diku tjetër”.

“E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme me njëra-tjetrën dhe një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve është hap i parë jetik në ndërtimin e një të nesërme më të mirë. Por është vetëm një hap i parë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Këto organizata kanë kërkuar nga institucionet që të dëgjohet edhe zëri i të rinjëve.

Policia e Kosovës në Veri.

Pasi, sipas tyre kërkesat e të rinjëve janë duke u anashkaluar.

“Me perspektivën e dhunshme që është më e theksuar se sa ka qenë për një dekadë, është koha tani që të dëgjohen zëra të rinj konstruktiv – zëra që shikojnë nga e ardhmja duke mbajtur shikimin e mprehtë nga e kaluara; zëra që kërkojnë partneritete dhe koalicione përtej vijave të kuqe që supozohet të na përcaktojnë; zëra që ngrihen publikisht kundër retorikës përçarëse dhe poshtëruese”.

“Vetëm duke ndarë perspektivat dhe perceptimet nga komunitetet tona përkatëse mund të fillojmë të ecim drejt një rruge të përbashkët për të ardhmen. Shumë nga problemet me të cilat përballen komunitetet tona përkatëse janë pothuajse identike, megjithatë ne rrallë e pranojmë këtë fakt”.

Edhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, por edhe ato në Serbi mendojnë se është koha e duhur për solidarizim.

“Kauza e paqes nuk kërkon vetëm fjalë për këtë qëllim, por imazhe e marrëdhënie që mishërojnë të qenit bashkë. Qëndrojmë kundërshtues ndaj të gjitha projeksioneve të panevojshme të forcës dhe të gjithë narrativave të urrejtjes e përçarjes”.

Nga 10 dhjetori serbët në Veri të Kosovës, po protestojnë duke bllokuar rrugët pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i cili po akuzohet nga institucionet e drejtësisë për akte terroriste.

Si pasojë e barrikadimit të serbëve, edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët atë ditë po kryenin detyrat e tyre në komunën e Leposaviqit dhe pikë kalimin kufitare Jarinjë mbetën të bllokuar pa pasur mundësi të kenë qasje në pjesë tjetër të territorit të Republikës së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore