Lajme

OJQ-të “në luftë” me shtetin francez


Gjashtë organizata jo-qeveritare (OJQ) në Francë, kanë filluar një proces gjyqësor kundër qeverisë. Arsyeja sipas tyre është diskriminimi “sistematik nga oficerët e policisë”.

Organizatat, duke përfshirë Amnesty International, pretendojnë se policia franceze i bën përzgjedhjet e saj për kontrolle identiteti në bazë të racës.

“Njerëzit me ngjyrë dhe ato me origjinë arabe janë gjithmonë në shënjestër”, shprehen ata.

Organizatat, planifikojnë të shprehin iniciativën e tyre ligjore në një konferencë shtypi në Paris.

Çështja e selektimit racor nga policia është debatuar për vite me radhë.  Ajo nuk përfshin vetëm këtë situatë por edhe mënyrën e trajtimit të njerëzve në lagjet e varfëra.

Njoftimi për dorëzimin e projekt-ligjit është hapi i parë i detyrueshëm në një proces gjyqësor.

Ligji u jep autoriteteve franceze katër muaj për të biseduar me OJQ-të në lidhje me plotësimin e kërkesave të tyre. Nëse palët pas procesit gjyqësor nuk arrijnë një marrëveshje, çështja do të shkojë në gjykatë.

Sipas mediave franceze, OJQ-të po përdorin një ligj francez të panjohur për shumicën. Ai i lejon organizatat të ndërmarrin një veprim të tillë ligjor.

“Periudha katër mujore për arritjen e një zgjidhjeje mund të zgjatet nëse bisedimet po bëjnë përparim, por nëse jo, OJQ-të do të shkojnë në gjykatë”, shprehet një ekspert i çështjeve ligjore, për mediat.

“Njerëzit duan që zëri i tyre të dëgjohet edhe pse tani, ata janë të frikësuar dhe ka kaq shumë paqëndrueshmëri”, shprehet njëra nga organizatat.

Pakënaqësitë e qytetarëve me sistemin policor janë të vazhdueshme. Mijëra protestues, marshuan në janar për të denoncuar një projekt-ligj të sigurisë, që do të kufizonte filmimin e policisë dhe postimin e imazheve në mediat sociale. Kjo, sipas tyre do të ndikonte në mundësinë për të dokumentuar raste të brutalitetit nga policia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore