Lajme

OJQ-të akuzojnë Maltën për shkelje të ligjit duke i drejtuar emigrantët në Egjipt


Malta është akuzuar për shkelje të ligjit ndërkombëtar pasi urdhëroi një anije tregtare të çonte emigrantët dhe refugjatët e shpëtuar në Egjipt, pavarësisht se Malta ishte shumë më afër dhe më e sigurt.

Sipas një deklarate të përbashkët nga katër grupe ndërkombëtare për të drejtat e emigrantëve më 26 shtator, 23 persona, të cilët kishin me vete sasi minimale ushqimi dhe uji, u shpëtuan nga anija tregtare Shimanami Queen.

Qendra e Koordinimit të Shpëtimit të Maltës (RCC), e cila është ligjërisht përgjegjëse për misionet e shpëtimit në rast emergjence, udhëzoi anijen tregtare që t’i çonte emigrantët e shpëtuar në Egjipt.

OJQ-të kanë thënë se vendimi i Maltës për t’i drejtuar emigrantët në Egjipt ka shkelur një pjesë të Konventës së Gjenevës të vitit 1951.

Sipas saj, vendet nuk duhet të dëbojnë ose kthejnë një person “në kufijtë e territoreve ku jeta e tij e lirisë do të kërcënohej”, tha Alarm Phone së bashku me Mediterranea Saving Humans, Médecins Sans Frontières (MSF) dhe Sea-Ëatch.

Deklarata e përbashkët shtoi se 23 personat që nuk u dërguan në Maltë apo Itali, pavarësisht se ishin më të afërt, në vend të kësaj “u dërguan me forcë 1 mijë e 400 kilometra në Egjipt”.

“Ndërsa Egjipti është nënshkrues i Konventës së Gjenevës të vitit 1951, vendit i mungon një kuadër ligjor kombëtar adekuat për mbrojtjen e refugjatëve dhe azilkërkuesve”, tha ai.

OJQ- të thanë se “qendrat evropiane të koordinimit të shpëtimit duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre ligjore dhe të sigurojnë shpëtimin e menjëhershëm të njerëzve në fatkeqësi në det, me zbarkimin e mëvonshëm në një vend të sigurt në Evropë”.

Në të kaluarën, OJQ-të kanë akuzuar Maltën për organizimin e kthimit të emigrantëve në Libi.

Kryeministri i Maltës Robert Abela ka thënë se vendi ishull respekton detyrën e tij parësore për të mos lejuar që askush të vdesë në det.

Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga qeveria malteze ndaj akuzave të OJQ-ve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore