Ohri i Pajtimit – çfarë po ngjanë në qytetin maqedonaso-verior
Foto e hotelit ku po mbnahet takimi
Valon Rashiti
18.03.2023 8:55Rrugët e qytetit të Ohrit nga mëngjesi i hershëm i 18 marsit janë zbrazur nga makinat civile për shkak të perimetrit të sigurisë të vendosur disa kilometra larg hotelit “Inex Olgica” ku do të mbahet takimi i nivelit të lartë në mes të kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Qindra policë në pothuajse gjithë qytetin janë vendosur si patrulla të rregullta nga hyrja e qytetit e deri tek porta e jashtme e hotelit ku nga ora 10:00 do të vijnë pos Kurtit e Vuçiç-it, edhe dy përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm për dialogun Miroslav Lajcak.
Pos tyre, në event do të jetë edhe zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Gabriel Escobar.
Por, shumë para tyre, që nga ora 7:00 kanë filluar të vijnë gazetarë nga e gjithë bota për ta përcjellur ngjarjen.

Qindra media, shqiptare, serbe e ndërkombëtare janë pozicionuar në një pjesë të hotelit ku edhe është përgatitur skena për konferencën për media.
Karrige, një foltore dhe në prapavijë të foltores një pamje me simbolet e Bashkimit Evropian ku Borrell, siç është paraparë me agjendë, do të mbajë konferencë.

Ora e konferencës nuk është bërë e ditur, meqë nuk është e ditur as kur do të përfundojë takimi trilateral.
Zakonisht, zgjatë me orë të tëra. Siç ndodhi herën e fundit në Bruksel, njëjtë parashikohet edhe kësaj here, meqë diskutimi do të jetë i gjatë dhe për shumë pika me supozimin të arrihet pajtim për Aneksin për Zbatim të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, mbështetur në Propozimin Evropian.
Agjenda zyrtare
Pas ardhjes së liderëve në orën 10:00, në orën 10:30 fillojnë takimet e Borrell e Lajcak me liderët individualisht.
Nuk është dhënë njoftimi se me cilin nga liderët do të fillojnë dyshja nga BE.
Këto takime nevojiten për konkretizim të pikave që më pas shërbejnë si hartë në takimin trepalësh mes dy diplomatëve të BE-së dhe Kurtit e Vuçiç-it.
Takimet paraprake janë praktikë e vendosur nga ndërmjetësuesja e parë, paraardhësja e Borrellit, baronesha Catherine Ashton.
Këtu u tregohet liderëve se kush do flas i pari dhe kush i dyti. Në cilat anë do të ulën, sa minuta kanë për fjalën hyrëse dhe për çka konkretisht do të flasin.
Liderët në këto takime tregojnë gjithashtu pikat e tyre konkrete dhe më pas arrihet pajtim se çka duhet të flitet e çka jo. E gjitha bëhet që të mos krijohen befasi në takim, por secili paraprakisht ta dijë rolin e vetë.
Më pas fillon takimi trilateral.
Për shkak të semantikës së përdorur dhe ambiguitetit në deklarata, pak mund të kuptohet se cilat janë qëndrimet e dy palëve para takimit.
Megjithatë, deklarimet e ndërkombëtarëve, siç ishte ai i 17 shkurtit nga Escobar, pas takimeve të zhvilluara në Beograd dhe Prishtinë, kanë dhënë nota optimiste për pajtim.