Lajme

Oda Amerikane bën thirrje për dialog mes SBASHK-ut dhe Qeverisë – greva duhet të përfundoj


Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vazhdimin e grevës së mësimdhënësve të sektorit publik në javën e katërt.

Të njëjtit kanë bërë thirrje për gjetje të kompromisit që do t’i jepte fund grevës.

“Migrimi i madh i popullsisë përgjatë viteve të fundit – konfirmuar edhe nga institucionet vendore por edhe ato ndërkombëtare- si reflektim i zhgënjimit social dhe të kërkuarit të perspektivës për jetë më të mirë jashtë vendit, përkeqësohet më tej në situatën aktuale ekonomiko-sociale nëpër të cilën po kalon vendi”, thuhet në njoftimin e Odës.

Oda Ekonomike Amerikane i ka rikujtuar institucioneve përgjegjëse se gjendja aktuale që lidhet me eskalimin e shpejtë dhe të vazhdueshëm të kostos së jetesës, kërkon masa adekuate konvecionale dhe jo vendime improvizuese, me efekte afatshkurtra apo kundërefekte.

“Diskursi publik duhet të jetë nxitës i arritjes së kompromisit dhe jo i përkeqësimit të raporteve ndërmjet partnerëve socialë. Në këtë aspekt, Oda Ekonomike Amerikane kërkon nga institucionet e vendit që të promovojnë dialogun e sinqertë me të gjithë hisedarët në vend”.

Foto: Albanian Post.

“Qeverisja është përgjegjësi e institucioneve shtetërore, por në demokracitë e zhvilluara ajo kapërcen shtetin duke përfshirë edhe organizatat sociale, sektorin privat, dhe organizatat e shoqërisë civile në përgjithësi”, thuhet ndër të tjera në reagim.

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove.

Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Më 5 shtator, Ministria e Financave dhe Transfereve e Kosovës tha se ka ekzekutuar pagat për muajin gusht për punëtorët që janë në grevë, duke shtuar se të njëjtëve duhet t’iu pezullohen kontratat e punës.

Punonjësit e arsimit, administratës lokale dhe qendrore janë në grevë që nga 25 gushti me kërkesë për rritje pagash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore