Lajme

OBSH: COVAX-i në rrezik nga kërkesa e vendeve të pasura


Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, iu ka bërë thirrje vendeve të pasura që të mos dëmtojnë marrëveshjen COVAX, duke porositur më shumë vaksina.

Kërkesa e tij ishte që të kontrollohej situata përpara se të porosisin vaksina shtesë. Kjo sipas drejtorit të OBSH-së mund të dëmtojë vendet e varfëra duke i privuar ato nga furnizimi me vaksina.

Shumë shtete kanë siguruar mjaftueshëm vaksina dhe akoma po porosisin doza të tjera.

Kombet evropiane i kanë dhënë mbështetje financiare skemës COVAX të mbështetur nga OKB-ja.

Të premten, udhëheqësit e G7-ës, njoftuan se do të shpërndajnë një ndihmë totale prej 7.5 miliardë dollarësh për vaksinimin kundër COVID-19.

Problemet e furnizimit me vaksina

“Qasjet e disa vendeve të pasura për të siguruar më shumë vaksina po ndikojnë në marrëveshjet me COVAX. Shuma që u caktua për COVAX u zvogëlua për shkak të kësaj”, shpjegoi Tedros.

Ai ka paralajmëruar më parë, se bota do të përballet me një dështim katastrofik, nëse vaksinat COVID-19 nuk shpërndahen në mënyrë të drejtë.

“Mënyra më e mirë për t’ju mbrojtur nuk është vetëm vaksinimi popullit tuaj, por vaksinimi i pjesës tjetër të botës”, theksoi Tedros.

COVAX është një nismë ndërkombëtare që synon të bashkojë burimet midis kombeve të pasura dhe të varfra, për të siguruar një qasje më të barabartë të vaksinave në të gjithë botën.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore