Kosova

O’Brien: Rreziqet kryesore, veriu i Kosovës dhe shkëputja e Republikës Srpska


Ndihmëssekretari amerikan i shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Jim O’Brien, ka thënë se në Ballkanin Perëndimor rrezik përbëjnë “betejat lokale” që kthehen në konflikt politik e që prekin të gjithë rajonin, derisa ka shtuar se “rreziku primar” është veriu i Kosovës dhe kërcënimi me shkëputje i një pjese të Bosnje dhe Hercegovinës.

“Rreziku primar është veriu i Kosovës dhe kërcënimi i shkëputjes së një pjese të Bosnje-Hercegovinës. KFOR’i si dhe EUFOR-i , janë aty për të parandaluar bandat e vogla lokale. Kemi bashkëpunim të mirë me Serbinë dhe autoritetet e Kosovës në përpjekje për t’i zgjidhur rreziqet e dhunës në veri dhe mendoj se kemi një shans për procese politike që do të adresojnë shkaqet e dhunës”, tha O’Brien në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Gjatë kësaj interviste, mediumi serb ka pyetur diplomatin amerikan se pse Kosovës i lejohet të blejë dronë, meqë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e vetmja forcë e armatosur që lejohet të operojë në Kosovë është KFOR-i.

Në përgjigjen e tij, O’Brien ka thënë se Rezoluta 1244 krijoi një proces për të diskutuar për të ardhmen e Kosovës, derisa ka shtuar se ai proces çoi në pavarësinë e saj.

“Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj pa rrezikuar fqinjët e saj. Në përgjithësi, është një hap përpara drejt stabilitetit në rajon dhe për këtë do të ketë mbështetjen e SHBA-së”, shtoi.

Duke komentuar për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe refuzimin e kryeministrit kosovar Albin Kurti për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, diplomati amerikan nënvizoi se shteti tij kërkon që sa më shpejt të jetësohet ky mekanizëm.

“Për sa i përket avancimit të dialogut, ne kemi mjete të tjera, siç është Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon forcimin e bashkëpunimit siç është lëvizja e njerëzve, mallrave dhe gjërave të tjera praktike, mendoj se kjo është gjëja kryesore që ne po fokusohemi në detajet që lidhen me dialogun. Në një rajon me 18 milionë banorë, ne duhet të gjejmë mënyra për të bashkëpunuar dhe për t’u ofruar njerëzve një gjë më të mirë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore