Shqipëria

Objekte të hershme shqiptare do të shfaqen në ekspozitën ‘First Kings of Europe’


Ekspozita “First Kings of Europe” – duke shfaqur thesare nga e gjithë Evropa Juglindore, nga Neoliti deri në Epokën e Hekurit – do të hapet në Muzeun Field më 31 mars 2023.

Aty do të eksplorohet se si fshatrat e lashta bujqësore çuan në mbretëritë më të hershme fisnore në Evropë.

Vendet e përfaqësuara në ekspozitë përfshijnë Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Hungarinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë, Serbinë dhe Slloveninë.

“Një nga gjërat më unike dhe më të veçanta në lidhje me këtë ekspozitë është bashkëpunimi ndërkombëtar që ndodh për të krijuar First Kings of Europe”, ka thënë Bill Parkinson, kurator në Muzeun Field.

“Ekspozita është bërë në partneritet me 11 vende, plus Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë, dhe 26 muze të ndryshëm. Shumë prej artikujve kulturore nuk janë ekspozuar kurrë jashtë vendeve të origjinës së tyre dhe disa nuk janë ekspozuar kurrë”, ka shtuar ai.

Ndaj dhe “First Kings of Europe” është një mundësi unike për të parë këto objekte kulturore.

Më shumë se 700 objekte kulturore në ekspozitë datojnë nga epoka neolitike, e bakrit, e bronzit dhe e hekurit.

Pikat kryesore përfshijnë disa nga thesaret më të vjetra të arit në botë nga varrezat e Varnës, kurora e artë e një princi trak, kryeveprat e prodhimit të shpatave dhe armaturës, armët, bizhuteritë dhe më shumë.

Sakaq, ekspozita është e ndarë në kapituj të ndryshëm që fokusohen në periudha të ndryshme kronologjike.

Seksioni i Epokës së Bronzit eksploron shfaqjen e klasës së luftëtarëve dhe përmban armë, helmeta dhe mburoja. Vizitorët do të shohin gjithashtu një parzmore të lashtë prej bronzi që u gjet në fund të lumit Danub.

Ky seksion përfshin gjithashtu armaturën dhe armët që luftëtarët do të përdornin në Evropën Juglindore kur klasa e luftëtarëve po shfaqej.

A series of violin-shaped figurines.
Figura qeramike të paraqitura nga Muzeu Arkeologjik i Tiranës

Ekspozita në Shqipëri do të jetë në bashkëpunim me Muzeun Arkeologjik të Tiranës, i pari muze i krijuar pas Luftës së II Botërore, pasi gjatë kësaj lufte u shkatërruan edhe institucionet e fundit muzeale.

Në vetë sallat e muzeut janë ekspozuar foto të lidhura me materialin e ekspozuar sipas çdo periudhe.

Aty paraqiten sitet arkeologjike të gërmuara nga arkeologët në vite nga periudhat më të hershme deri në periudhën para pushtimit turk, ku është dhe fundi i koleksionit të muzeut dhe harta tjetër paraqet shtrirjen e fiseve ilire në antikitet.

Këto të fundit janë edhe objektet e zgjedhura në ekspozitën “First Kings of Europe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore