Lajme

Obama mbështet hapur Harris: Do të bëhet një presidente fantastike e SHBA-ve


Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka bërë me dije tanimë mbështetjen e tij ndaj Kamela Harris si kandidate presidenciale – pas spekulimeve se nuk është në mbështetje të saj.

Ai ka treguar se ka pasur një telefonatë me të, duke i shfaqur kështu mbështetjen e tij ndaj kandidaturës së saj.

“Në fillim të kësaj jave, Michelle dhe unë telefonuam miken tonë Kamala Harris”.

“Ne i thamë asaj se mendojmë se ajo do të bëhet një Presidente fantastike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se ajo ka mbështetjen tonë të plotë”, ka shtuar Obama në postimin e tij në platformën X.

Obama ka vijuar duke thënë se, në këtë moment kritik për vendin, “ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që ajo të fitojë në nëntor”.

“Shpresojmë që të na bashkoheni”.

Shumë liderë demokratë tanimë kanë mbështetur Kamala Harris si kandidaten e re të partisë për presidente të SHBA-ve.

Por ish-presidenti Obama kishte rezistuar deri më tani.

Jo më larg se një ditë më parë, New York Post raportoi se Obama nuk e ka mbështetur Harris – të cilin presidenti amerikan Joe Biden e mbështeti pasi ai u tërhoq nga gara, pasi nuk mendon se ajo mund të mposht kandidatin republikan Donald Trump.

“Obama është shumë i mërzitur sepse e di që ajo nuk mund të fitojë”, tha një burim  për New York Post.

“Ajo nuk mund të lundrojë në minat tokësore që janë përpara saj. Kur konkurroni për president, ka gjëra që mund dhe nuk mund t’i thuash”.

Obama privatisht ka mbështetur plotësisht kandidaturën e Harris dhe ka qenë në kontakt të rregullt me ​​të, thuhet në një raportim më herët, duke cituar njerëz të njohur me diskutimet.

“Ndihmësit e Obamës dhe Harris kanë diskutuar gjithashtu për organizimin e paraqitjes së tyre së bashku në fushatë, megjithëse nuk është caktuar një datë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore