Lajme

Nxënëset në Iran shtrohen në spital pas dyshimeve për helmime


Dhjetra nxënëse iraniane në pesë provinca të ndryshme janë pranuar në spital, pas një vale të re të dyshuar të sulmeve me helmim, kanë raportuar mediat lokale.

Qindra raste të shqetësimit të frymëmarrjes janë raportuar në muajt e fundit në mesin e nxënëseve në mbarë vendin, kryesisht në qytetin e shenjtë të Qom, në jug të Teheranit, me disa që kanë nevojë për shtrimin në spital.

Sëmundjet mbeten të pashpjegueshme dhe zyrtarët iranianë besojnë se vajzat mund të jenë helmuar dhe kanë fajësuar armiqtë e Teheranit.

Agjencitë e lajmeve “Tasnim” dhe “Mehr” raportuan të shtunën për incidentet në provincën perëndimore Hamedan, si dhe Zanjan dhe Azerbajxhanin Perëndimor në veriperëndim të Iranit, Fars në jug dhe provincën Alborz në veri.

Dhjetra studentë u transferuan në spitalet lokale për trajtim.

Agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se sëmundja preku më shumë se 30 shkolla në të paktën 10 nga 31 provincat e Iranit.

Videot e postuara në mediat sociale treguan prindërit që u mblodhën në shkolla për t’i çuar fëmijët e tyre në shtëpi dhe disa studentë që dërgoheshin në spitale me ambulanca ose autobusë.

Të premten, presidenti Ebrahim Raisi tha se rastet e dyshuara të helmimit ishin “komplot i armikut për të krijuar frikë dhe dëshpërim te njerëzit”.

Ministri i Brendshëm i Iranit të shtunën tha se hetuesit kishin gjetur “mostra të dyshimta” që po studioheshin.

“Në studimet në terren janë gjetur mostra të dyshimta, të cilat janë duke u hetuar për të identifikuar shkaqet e sëmundjes së studentëve dhe rezultatet do të publikohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha në një deklaratë ministri, Abdolreza Rahmani Fazli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore